TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë disa opsione për t’iu përgjigjur kërcënimit të Donald Trump për vendosjen e tarifave, përfshirë edhe mundësinë e pezullimit të marrëveshjes tregtare me SHBA, raporton Bloomberg.
Reagimi i BE-së ishte në fokus të një takimi të thirrur të dielën në Bruksel nga presidenca e Qipros, ku ambasadorët e vendeve anëtare përpiqeshin të formulojnë një qëndrim të përbashkët ndaj kërcënimit të Trump.
Më vonë të dielën, u bë e ditur se Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka thirrur një Samit të Jashtëzakonshëm, me sfond zhvillimet rreth Groenlandës dhe kërcënimin për vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve, nga të cilat gjashtë janë anëtare të BE-së.
Një nga propozimet që po shqyrtohet është vendosja e tarifave kundërvëniese ndaj produkteve amerikane në vlerë 93 miliardë euro.
Po ashtu është diskutuar edhe përdorimi i Mjetit të fuqishëm kundër praktikave të detyruara (Anti-Coercion Instrument), një mekanizëm që fillimisht u krijua për të kundërshtuar taktikat intimiduese të Kinës dhe që lejon BE-në të vendosë tarifa dhe kufizime investimesh ndaj vendeve që shkelin rregullat.
Ky instrument ofron një gamë të gjerë mundësish, përfshirë tarifat, kufizime në tregtinë e shërbimeve, kufizime në të drejtat e pronësisë intelektuale që lidhen me tregtinë, si dhe kufizime në investimet e huaja direkte dhe kontratat publike.
Madje, Emmanuel Macron propozoi të dielën që BE-ja të konsiderojë përdorimin e këtij mjeti, megjithëse Franca nuk e ka përdorur më parë.
Vitin e kaluar, BE-ja kishte miratuar tarifa kundër SHBA-së në vlerë 93 miliardë euro, por pezulloi zbatimin e tyre pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare me Uashingtonin.
Eurodeputetët propozuan gjatë fundjavës që të pezullojnë miratimin e marrëveshjes tregtare, duke iu referuar veprimeve të fundit të Trump.
Më herët dje, Presidenti amerikan kërcënoi të vendosë tarifa 10% ndaj tetë vendeve evropiane (Britani, Francë, Gjermani, Danimarkë, Norvegji, Holandë, Suedi dhe Finlandë) nga 1 shkurti, si përgjigje për veprimet e tyre lidhur me Groenlandën. Në rast se nuk realizohej plotësisht blerja ose marrëveshja e Trump, tarifat do të rriteshin në 25% nga 1 qershori.