TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian planifikojnë të bashkëpunojnë për të siguruar një furnizim më të pavarur me elemente dhe minerale të rralla të tokës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe komisioneri evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic, ranë dakord sot në Uashington për një partneritet strategjik në fushën e mineraleve të ralla që përfshin bashkëpunim në nxjerrjen, përpunimin dhe riciklimin e tyre.
“Përqendrimi i tepruar i këtyre burimeve, fakti që dominohen nga një ose dy vende, është një rrezik i papranueshëm”, tha Rubio, duke theksuar nevojën për diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit dhe burimeve të mineraleve.
Sefcovic u shpreh se “prova e vërtetë do të jetë zbatimi i këtij projekti”.
Përmes përpjekjeve për krijimin e një aleance të re tregtare për lëndët e para kritike, Brukseli dhe Uashingtoni synojnë të reduktojnë varësinë nga Kina.
Përpunimi i metaleve të njohura si elemente të rralla të tokës kontrollohet në masë të madhe nga Kina, ndërsa këto metale janë thelbësore për industrinë elektronike dhe prodhimin e produkteve si makinat elektrike dhe magnetët.
Ndër lëndët e para të konsideruara kritike përfshihen litiumi dhe kobalti.
Në fillim të shkurtit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se aleanca tregtare duhet të përdorë masa si tarifat dhe kufijtë minimalë të çmimeve për të parandaluar që Pekini të mbushë tregjet me lëndë të para me çmime dumping, duke dëmtuar konkurrencën.
Marrëveshja synon të forcojë ekonominë amerikane dhe njëkohësisht të zgjerojë prodhimin në të gjithë aleancën.