BOTA, 8 Korrik 2026, 11:03

“Armëpushimi me Teheranin ka përfunduar!”/ Trump në samitin e NATO-s në Ankara: Udhëheqja iraniane, ‘kancer’! Humbje kohe të merresh me ata

“Armëpushimi me Teheranin ka përfunduar!”/ Trump në

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ka përfunduar, duke shprehur zhgënjimin e tij të fortë ndaj Teheranit.

Duke folur për gazetarët në samitin e NATO-s në Turqi, Trump tha: “Mendoj se ka mbaruar”. Ai shtoi se nuk dëshiron të merret më me udhëheqjen iraniane, duke e cilësuar dialogun me të si një humbje kohe.

“Për sa më përket mua, ka mbaruar. Është thjesht humbje kohe të merresh me ta”, u shpreh presidenti amerikan.

Megjithatë, Trump tha se negociatorët e të dyja palëve mund të vazhdojnë kontaktet, por sipas tij, aktualisht ato nuk po sjellin rezultate.

Në samitin e NATO-s, Trump përsëriti edhe kritikat ndaj aleatëve të SHBA-së, duke thënë se vendet e NATO-s nuk e mbështetën mjaftueshëm Uashingtonin në përballjen me Iranin, të cilin ai e cilësoi si një nga shtetet kryesore që sponsorizojnë terrorizmin.

“Jam shumë i mërzitur me NATO-n”, tha Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara paguajnë “miliarda e miliarda dollarë” për aleancën.

Presidenti amerikan sulmoi gjithashtu ashpër udhëheqjen iraniane, duke e përshkruar regjimin në Teheran si një kërcënim dhe ‘kancer’ dhe duke përsëritur qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.

Deklaratat e Trump vijnë pas përshkallëzimit të fundit në Ngushticën e Hormuzit, ku SHBA-ja dhe Irani janë përfshirë në një seri sulmesh dhe kundërpërgjigjesh ushtarake.