BOTA, 14 Janar 2026, 19:45

Akuzohen për aktivitete anti-migrante, Franca u ndalon hyrjen 10 aktivistëve britanikë të ekstremit të djathtë

Akuzohen për aktivitete anti-migrante, Franca u ndalon hyrjen 10

Franca ka ndaluar hyrjen dhe qëndrimin për 10 shtetas britanikë, pjesëtarë të grupit “Raise the Colours”, pasi akuzohen se janè angazhuar në veprime për të penguar migrantët që të kalonin Kanalin Anglez me anije të vogla, njoftoi Ministria e Brendshme franceze.

Aktivistët u kapën duke kërkuar dhe shkatërruar anije të vogla përgjatë bregdetit verior të Francës dhe duke kryer “aktivitet propagandistik” për të mobilizuar publikun britanik.

Ministria tha se veprimet e grupit, të zbuluara në dhjetor 2025, mund të shkaktonin “çrregullime serioze të rendit publik” dhe se ndalimi u vendos për individët, jo për organizatën në tërësi. Grupi “Raise the Colours” deklaroi se aktivitetet e tij janë gjithmonë paqësore dhe brenda ligjit dhe se nuk mbështet as dhunën, as veprime të paligjshme.

Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, u shpreh në X  se “shteti ligjor nuk është i negociueshëm, veprimet me natyrë të dhunshme ose që nxisin urrejtje nuk kanë vend në territorin tonë”.

Sipas të dhënave të Home Office, 41,472 migrantë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2025, një rritje prej 13% krahasuar me 2024, ndërsa mes 1 dhe 5 janarit 2026, 32 persona kaluan me anije të vogla.

Qeveria britanike ka shtyrë Francën të ndërmarrë masa për të ndaluar kalimet e paligjshme, dhe në nëntor u ra dakord që autoritetet franceze të fillojnë të ndërhynin në këto kalime me anije të vogla.