BOTA, 5 Maj 2024, 14:54

Agjencitë evropiane të inteligjencës: Rusia po komploton sabotim në të gjithë Evropën

Agjencitë evropiane të inteligjencës: Rusia po komploton sabotim

Agjencitë evropiane të inteligjencës lëshuan një paralajmërim të madh dhe akuzuan Rusinë për “komplotimin e akteve të dhunshme” të sabotimit në të gjithë kontinentin ndërsa lufta Rusi-Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet.

Agjencitë e inteligjencës kanë paralajmëruar qeveritë e tyre se Rusia tashmë ka filluar të përgatisë në mënyrë më aktive bombardimet e fshehta, sulmet me zjarrvënie dhe dëmtimin e infrastrukturës në tokën evropiane, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet përfaqësuesve.

Zyrtarët e inteligjencës paralajmëruan se forcat ruse kanë pak ose aspak vëmendje për jetën e civilëve gjatë kryerjes së operacioneve të tilla, transmeton Telegrafi.

Sipas The Financial Times, vlerësimi problematik është kryer nga zyrtarët e inteligjencës të tre vendeve evropiane.

“Ne vlerësojmë që rreziku i akteve të sabotimit të kontrolluara nga shteti të rritet ndjeshëm”, tha Thomas Haldenwang, kreu i inteligjencës së brendshme gjermane.

“Rusia tani duket e rehatshme për të kryer operacione në tokën evropiane [me] një potencial të lartë dëmtimi”, tha ai në një konferencë evropiane të sigurisë muajin e kaluar.

Deklarata nga Haldenwang erdhi vetëm disa ditë pasi dy shtetas gjermano-rus u arrestuan në Bayreuth, Bavari. Ata u arrestuan nga policia gjermane pasi dyshohet se kishin komplotuar për të sulmuar objektet ushtarake dhe logjistike në Gjermani në emër të Kremlinit.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, dy persona u akuzuan se kishin ndezur një zjarr në një magazinë që përmbante dërgesa ndihme për Ukrainën, muajin e kaluar. Pas arrestimit, prokurorët i akuzuan se punonin për qeverinë ruse.

Në Suedi, shërbimet e sigurisë po hetojnë një seri incidentesh të daljes nga binarët hekurudhor dhe në Estoni, Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të vendit tha se sulmi ndaj veturës së ministrit të Brendshëm në shkurt të këtij viti, dyshohet se është kryer nga operativë të inteligjencës ruse.

Jo vetëm kjo, Rusia u akuzua gjithashtu për përpjekje për të shkatërruar sistemet e sinjalizimit në hekurudhat çeke nga ministri i Transportit të vendit evropian, raportoi Financial Times.

“Përfundimi i qartë është se ka pasur një rritje reale të aktivitetit rus”, tha Keir Giles, këshilltar i lartë në Chatham House.

“Nuk mund të thuhet nëse kjo është një reflektim i faktit që rusët po hedhin më shumë burime në të; nëse po tregohen më të ngathët dhe po kapen; apo nëse kundërzbulimi perëndimor thjesht është bërë më i mirë në zbulimin dhe ndalimin e tij”, shtoi ai.

Një zyrtar i lartë i qeverisë evropiane tha se informacioni në lidhje me aktivitetet dashakeqe të Rusisë, po shpërndahej përmes shërbimeve të sigurisë së NATO-s.

“Ka ardhur koha për të rritur ndërgjegjësimin dhe fokusin për kërcënimin e dhunës ruse në tokën evropiane”, shtoi ai.

NATO lëshoi një deklaratë të enjten duke shprehur shqetësimin e saj të thellë për rritjen e “aktiviteteve malinje në territorin aleat” nga Rusia, dhe gjithashtu duke përmendur atë që ajo tha se ishte një “fushatë intensifikimi. . . në të gjithë zonën euroatlantike”.

Të premten, Gjermania u zotua për pasoja për Moskën – në një deklaratë e cila u mbështet nga BE dhe NATO për sulmet kibernetike të vitit 2023 ndaj partisë socialdemokrate të kancelarit Olaf Scholz. /Telegrafi/