BOTA, 18 Qershor 2026, 09:18

Sulm me raketa ndaj Kievit, shpërthime të fuqishme në kryeqytetin ukrainas

Sulm me raketa ndaj Kievit, shpërthime të fuqishme në kryeqytetin

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u vu në shënjestër të një sulmi me raketa në orët e para të mëngjesit, ndërsa në të gjithë qytetin u aktivizuan sirenat e alarmit për sulm ajror dhe banorët u detyruan të strehohen në bunkerë dhe strehimore.

Sipas raportimeve nga terreni, pak pasi u dha alarmi, mbi qytet u dëgjua zhurma e raketave, e ndjekur nga të paktën dy shpërthime të fuqishme. Shumë qytetarë braktisën banesat dhe u drejtuan drejt zonave të sigurta në pritje të përfundimit të sulmit.

Deri tani, autoritetet ukrainase nuk kanë publikuar informacione zyrtare mbi zonat e goditura apo mbi numrin e mundshëm të viktimave dhe dëmeve materiale. Situata në Kiev mbetet e tensionuar, ndërsa shërbimet e emergjencës dhe mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e zhvillimeve.

Sulmi vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë dhe intensiteti i bombardimeve nga të dyja palët është rritur ndjeshëm, duke sjellë pasoja të rënda për popullsinë civile.