BLOG, 25 Maj 2023, 09:43

“Si u miqësova me njeriun, që do vriste Enverin”/ Dëshmia e operativit të sigurimit në burgun e Burrelit, që vdiq në “aksident”, një ditë para daljes së librit të tij

“Si u miqësova me njeriun, që do vriste Enverin”/

Memorie.al/ Ishte detyra ime, të kryeja veprimet në bankë dhe t’ia konvertoja në lek, të cilat pastaj, i kaloja në llogari të Filit. Konvertimi, bëhej me 20 lekë të vjetra për një dollar. Kostës, i dërgonte shpesh dollar, djali i tezes nga SHBA-ja, Jani Hito. Ata ishin arratisur së bashku nga Shqipëria në vitin 1953. Ndërsa Jani, shkoi menjëherë në Amerikë, Kosta pati historinë e mësipërme. Në vitin 1987, Kosta më tregoi se, dhëndri i tij në Janinë, K. Dinaleksi, ishte i njohur i deputetit të Janinës, Papulas, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Ai po interesohej që Papulas, të ndërhynte tek autoritetet shqiptare, për t’i falur pjesën e dënimit.

Dhe kjo pati efekt. Papulas, në atë kohë erdhi për vizitë në Shqipëri. Menjëherë pas kësaj, erdhi një shkresë në burgun e Burrelit, ku thuhej se; Presidiumi i Kuvendit Popullor, kërkonte mendimin për faljen e dënimit të mbetur, të të burgosurit Kosta Fili. Një muaj më pas, Kostën e liruan. U takova me të te Turizmi i Burrelit. Më kërkoi ta ndihmoja, të lidhej me telefon me vajzën e tij, në Janinë. Kishte 28 vite, që ishte ndarë prej saj dhe do t’i dëgjonte zërin për herë të parë. E ndihmova dhe lidhja u krye në çast. Jetova momente tepër prekëse, kur pashë Kostën, goxha burrë, të qante si fëmijë dhe të puthte receptorin si i çmendur…!

“Si u miqësova me njeriun, që do vriste Enverin…”?!

Përballja e parë me Avdul Banushin, u bë në qelinë e tij. Pastaj, takohesha me të, herë pas here. Tani e kisha përpara syve përditë, njeriun “mit”. Disa ditë më vonë, erdhi edhe shkresa, ku jepeshin porosi, që ai ta vuante dënimin në kushtet e konspiracionit të plotë dhe të mos merrte takim me të dënuarit e tjerë. U izolua në birucë, me të dënuarin Sh.N., ish-oficer aviacioni, për të shmangur rrezikun e ndonjë vetëvrasjeje të mundshme. Duke qenë se, Avduli mbante një kapele të bardhë, rojet e burgut, e thërrisnin me nofkën “kasketa”. Në dosjen e Avdulit, kishte mjaft të dhëna interesante. Ai vazhdonte të ndiqej në përpunim aktiv, megjithëse kishte përfunduar procesi i hetimit dhe dënimit të tij.

Gjatë gjykimit, Avduli nuk kishte treguar asgjë për bazat e organizatës në Shqipëri. Pikërisht, ky ishte tashmë objektivi kryesor i përpunimit të tij. I studiova me një frymë dosjen e përpunimit dhe atë hetimore. Evidentova konkluzionin se; kisha të bëja me një subjekt, kundërshtar të vendosur të regjimit komunist, një tip të guximshëm, të patrembur përpara vështirësive. Ai shprehte hapur ndjenjat kombëtare, si dhe mallin për vendlindjen. Mua më konsideronte si bashkëpatriot dhe dëshironte që të bashkëbisedonim. Ndërsa dashurinë për të afërmit, e treste përbrenda vetes dhe nuk e shfaqte. Vlerësonte mirësinë dhe ndiente detyrimin, për ta shpërblyer atë. Sidoqoftë, mbetej një nga njerëzit më të rrezikshëm të pushtetit…!

Emri i Avdul Banushit, ishte kthyer në një legjendë për Sigurimin e Shtetit, në vitet 1972-1974. Të dhënat operative, konfirmonin angazhimin e tij, si eksponent kryesor i “Frontit të Rezistencës Antikomuniste Shqiptare” (FRASH) dhe përpjekjen e dështuar të kësaj organizate, në vitin 1974, për sabotimin e paradës ushtarake në Tiranë, me rastin e 30-vjetorit të çlirimit. Sipas dokumentit sekret, kjo organizatë, kishte planifikuar vendosjen e eksplozivit, në tribunën e paradës ku do të qëndronte udhëheqja e shtetit, ose goditjen e drejtpërdrejtë nga një bazë e FRASH-it, në një nga pallatet e Shallvareve. Për Avdulin, që në bazë të informacioneve, rezultonte të ishte në krye të këtyre veprimeve, ishte krijuar profili i njeriut mit, sadist, kriminel, vrasës. Po në fakt cila ishte biografia e tij?

Avdul Banushi, kishte lindur në Golem të Gjirokastrës. Në vitet 1943-1944, ishte inkuadruar në njësitet guerile të qytetit të Durrësit, ku ishte kapur nga gjermanët dhe ishte internuar në Mauthauzen. Në vitin 1946, pas kapitullimit të Gjermanisë, ishte i lirë dhe iu nënshtrua procedurave për t’u kthyer në atdhe. Në rrugën e rikthimit, u sistemua për një farë kohe, në një kamp refugjatësh, në Regio-Emilia të Italisë. Aty ra në kontakt me një oficer amerikan, me origjinë shqiptare, i cili “tregoi interes” për të dhe e lidhi me krerët e politikës shqiptare në mërgim ,të arratisur në prag dhe pas çlirimit të vendit, si: Abaz Ermenji, Abaz Kupi, Hasan Dosti, etj. Gjatë marrëdhënieve që u krijuan, Avduli ra në influencën e tyre.

Ata e instruktuan që, pasi të kthehej në Shqipëri, të takohej me disa nga lidhjet e tyre. Midis të tjerash i dhanë edhe një letër për Lahe Nuron, nga fshatrat e rrethit të Vlorës, kundërshtar i sistemit. Ky qëndronte i fshehur brenda vendit. Organet e Informacionit, më vonë organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin shtrirë rrjetat edhe në këto kampe, u vunë në dijeni menjëherë mbi misionin e Avdulit. Sapo zbriti nga avioni në Laprakë, gjatë kontrollit, iu kap dhe letra në fjalë. Për këtë, u dënua dhe u dërgua në një kamp pune në Tiranë. U lirua andej në vitin 1957. Më pas, filloi punë si disenjator në qytetin e Patosit. Një ditë dimri të vitit 1960, e shoqëruan për një verifikim në Degën e Punëve të Brendshme Fier, duke u lënë që ta kalonte natën në dhomën e shoqërimit, nga ku mundi të arratisej.

Fillimisht mbërriti në Greqi. Prej aty kaloi në filtrat e Zbulimit Amerikan, i cili vërtetoi pozitën e Avdulit dhe miratoi kërkesën e tij, për të shkuar në Amerikë. U stabilizua me punë e banim në New York. Atje u takua me krerët e emigracionit politik: Vasil Gërmenji, Hasan Dosti, Halim Begeja, Rexhep Krasniqi, etj. Përçarja e tyre, la një përshtypje jo të mirë te Avduli. Gjatë kohës që qëndroja me të në burg, si rastësisht, mbaja në dorë librin e Nasho Jorgaqit, “Mërgata e qyqeve”. Avduli nuk ndenji pa më pyetur se, përse bëhej fjalë në të. I thashë se, i kushtohej një agjenti shqiptar, që operoi në radhët e emigracionit, e kryesisht të Oborrit të mbretit Zog. Kishte dëgjuar për të dhe kërkoi ta lexonte. Pasi e lexoi, më tha: “Autori e ka përshkruar me vërtetësi gjendjen e emigracionit shqiptar në botë. Titulli ‘Mërgata e qyqeve’ është shumë i përshtatshëm për historinë e tyre”.

Në vitin 1972, me krijimin e FRASH-it në Amerikë, Avdul Banushi, u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i saj, ndërkohë që kryetar u zgjodh Vasil Gërmenji dhe zëvendës, Stavri Skëndi. FRASH-i mbante kontakte me oficerin e CIA-s, Xhon. S. Anëtarë të saj, ishin edhe Sabaudin Haznedari, i cili në tetor 1982, erdhi në Shqipëri me grupin e Xhevdet Mustafës. Ajo kishte baza të rëndësishme në Europë, si Subadie Koka në Milano-Itali, Lefter Guveli dhe Nikolla Plasoti, në Greqi, etj. Subadie Koka, ishte me origjinë nga fshati i Avdulit, që në vitin 1943, ishte birësuar nga një çift italian. Pas çlirimit, ajo bashkë me prindërit birësues, u sistemua në Milano. Deri në vitin 1975, FRASH-i veproi shumë aktivisht dhe dërgoi me mision në Europë, disa grupe që udhëhiqeshin nga Avdul Banushi.

Ata kryen akte terrori në përfaqësitë shqiptare në Paris, Romë, Madrid e gjetkë. Gjithashtu, tentuan në vazhdimësi të hynin në Shqipëri, për të vepruar me objektiv kryesor, terror kundër udhëheqjes së shtetit dhe vendosje eksplozivi në ATSH e Ambasadën Kineze. Në nëntor të vitit 1974, një grup me në krye Avdul Banushin, tentoi të hynte në Shqipëri, duke pasur detyrë kryesore vendosjen e eksplozivit në tribunën e paradës, organizuar me rastin e 30-vjetorit të çlirimit, si dhe hedhjen në erë të ATSH-së e, Ambasadës Kineze në Tiranë. Kontribut të veçantë për kapjen e Avdulit dha agjenti i Sigurimit, “Malësori”. Ai penetroi në radhët e FRASH-it në Amerikë dhe fitoi besimin e saj, deri në atë shkallë, sa të caktohej edhe si një nga pjesëmarrësit kryesorë të grupit që u nis ilegalisht në Shqipëri.

Me mjaft vlera, ishte edhe kontributi i bashkëshortes së agjentit tonë, Prendës, e cila mbajti kontakte të vazhdueshme me agjentin tone, nëpërmjet telefonit, gjatë gjithë kohës që grupi endej nëpër Greqi e Jugosllavi, për të gjetur momentin e duhur, të kalimit të kufirit të Shqipërisë. Në Janinë, Avduli i tha “Malësorit”, të bënte bisedën e fundit me gruan në Amerikë, sepse pas kësaj, do hynin në territorin e Shqipërisë, pa i treguar se, në cilin drejtim do ta kalonin kufirin. Në momentin e duhur, gruaja e tij, informoi Sigurimin e Shtetit. U vendos gatishmëria në kufi. Duke qenë se ata ndodheshin në Janinë, forcat kryesore, u vendosën në rrethin e Gjirokastrës, Sarandës e Përmetit. Por Avduli, vendosi të mos hynte në Shqipëri nga kufiri me Greqinë, pasi dyshonte se aty e prisnin forcat e Sigurimit. Në momentin e fundit, plani i kalimit të kufirit ndryshoi.

“Malësori”, u befasua, por tanimë nuk kishte mundësi të informonte. Ata u nisën për në Selanik, me autobusin e linjës dhe prej andej kaluan në Shkup. Aty morën trenin dhe shkuan në Mali të Zi. Fjetën atë mbrëmje në shtëpinë e agjentit, në një fshat pranë kufirit dhe planifikuan që në orët e vona të natës, të hynin në tokën shqiptare. Për të gjitha këto lëvizje, Sigurimi i Shtetit, nuk kishte dijeni, sepse Avduli, nuk e la më agjentin tonë të fliste, me gruan e tij, kanali i vetëm prej nga mund të mësohej itinerari i lëvizjeve të tyre. Por, megjithëse forcat kryesore të Sigurimit, ishin dislokuar në kufirin me Greqinë, gatishmëria ishte vendosur gjatë gjithë kufirit të shtetit shqiptar. Pikërisht, kjo bëri që në përfundim, aksioni për kapjen e Avdulit, të përfundonte me sukses. Në këtë situatë, Prenda u porosit, të ndërpriste çdo lidhje me të njohurit e saj dhe të burrit, nga radhët e emigracionit politik në Amerikë dhe të largohej menjëherë në Mal të Zi. Nga Mali i Zi, ajo do të kalonte kufirin, për në Shqipëri. Çdo gjë shkoi sipas planifikimit.

Nuk kishin kaluar më shumë se dy ditë që kur ishte kapur Avduli, kur i çuan në ballafaqim, gruan e bashkëpunëtorit. Ai u befasua dhe më pas, gjithmonë do më thoshte se, nuk mund ta kuptonte, si arriti të besojë aq shumë tek ata, që e futën në këtë kurth?! “Nuk do ta besoja kurrë, po të më thoshin më parë, se Sigurimi, do të penetronte deri në këtë pikë”, shprehej ai i menduar, sa herë që diskutonin për aventurën e tij.

Avduli, që e kishte të vetin parimin “dysho për këdo”, jo vetëm që nuk i tregoi “shokut” të tij drejtimin, ku do ta kalonin kufirin, si dhe nuk i tregoi asnjë nga bazat, ku do të mbështeteshin në Shqipëri, por i sabotoi edhe armën personale, duke i hequr gjilpërën.

Këto baza, nuk u identifikuan dot edhe gjatë hetimit, me gjithë hetuesinë intensive, me aplikimin e të gjitha formave, madje dhe atë të shtrëngimit fizik. Në gjyq, u dënua me vdekje, dënim të cilin, Kuvendi Popullor i Shqipërisë e ktheu në 25 vjet heqje lirie.