BLOG, 27 Prill 2023, 20:34

Shuhet avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana, "njeriu" i ish-presidentit Carter

Shuhet avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana, "njeriu" i
Presidenti Jimmy Carter dhe Bardyl Tirana (djathtas), në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1977

Ditën e shtunë, në 22 prill 2023, ndëroi jetë në moshën 85-vjeçare, Bardhyl Tirana, avokat i shquar shqiptaro-amerikan, figurë politike dhe humanitare, në SHBA. Në vitin 1976, ishte bashkëkryetar i Ceremonisë zyrtare të Betimit të Presidentit Jimmy Carter.

Bardhyl Tirana është djali i ekonomistit dhe diplomatit të njohur shqiptar, Rifat Tirana, i cili u vendos bashkë me familjen në SHBA për t’iu shmangur Luftës së Dytë Botërore.

Pasi u diplomua në drejtësi, Bardhyl Tirana ishte një nga juristët e rinj që u bënë pjesë e Departamentit të Drejtësisë në Administratën e Presidentit John F Kennedy.

Në vitin 1964, ai mori pjesë aktive në fushatën për Senator të Robert F Kennedy-t dhe më vonë ishte një figurë e rëndësishme në fushatat presidenciale të kandidatëve demokratë Senatorit George McGovern dhe Guvernatorit Jimmy Carter.

Për rolin e tij të rëndësishmëm, pas fitores së Presidentit Carter, në zgjedhjet e vitit 1976, u caktua bashkëkryetar i Ceremonisë Zyrtare të Betimit të Presidentit në shkallët e Kapitol Hillit.

Në Administratën Carter, shërbeu si Drejtor i Mbrojtjes Civile, në Departamentin e Mbrojtjes. Me propozimin dhe nën drejtimin e tij, u bë bashkimi i të gjitha agjensive federale që ndihmojnë në situata katastrofash dhe aksidentesh madhore, në një institucion të vetëm që njihet sot si FEMA.

Për shumë vite në Washington, ai kishte zyrën e tij private të avokaturës, i njohur si një nga avokatët më të njohur të kryeqytetit amerikan.

Zyra e tij u bë një bazë ndihme për kombin shqiptar, për Kosovën, për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ai kontribuoi në një numër organizatash të komunitetit, ndër të cilat edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për të cilin ofroi rregullisht falas shërbimet e tij ligjore.

Historia e tij dhe e familjes së tij është përshkruar për herë të parë dhe me hollësi nga Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”, në Neë York, në librin e tij “Shqiptarët e Amerikës”, të cilin po e ribotojmë me këtë rast të plotë.

“Me keqardhje mora lajmin nga Turhan Tirana, për vdekjen e Bardhyl Tiranës, një mik imi për 30 vjet”, tha me këtë rast botuesi Bajrami. “Tirana është një nga shqiptarët më të suksesshëm që kam njohur në Amerikë në fushën politike, akademike, të avokaturës e filantropisë”.

“Ai ndihmoi çështjen e Kosovës në Washington në vitet 90-të, në kohën kur ajo kishte nevojë për ndihmë nga njerëz të kalibrit të Bardhyl Tiranës për këshilla ligjore e lobim”, u shpreh Vehbi Bajrami.

Më poshtë vijon shkrimi nga libri “Shqiptarët e Amerikës”:

Shuhet avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana, "njeriu" i
Bardhyl Tirana, përpara nisjes nga Cherry Point, për në Washington, në fund të një vizite në Karolinën Veriore, korrik 1977

Bardhyl Tirana apo “njeriu i Carter-it”

Avokati që drejtoi ceremoninë e inaugurim- it të presidentit Jimmy Carter dhe reformoi Mbrojtjen Civile të Amerikës


Nga Vehbi Bajrami

Shumë bashkatdhetarë mendojnë se shqiptaro – amerikani që ka arritur të ngjitet më lart në administratën amerikane është shefi i CIA-s,

George Tenet. Por, ai vazhdimisht ka refuzuar të përgjigjet drejtpërdrejt nëse me të vërtetë ka origjinë shqiptare. Kjo enigmë mund të merret vesh shumë vite më vonë pasi ai të jetë larguar nga drejtimi i CIA-s. Megjithatë, disa nga bashkatdhetarët tanë që banojnë në Queens më kanë thënë se nëna e tij flet një shqipe të pastër të Vlorës.

Por, një bashkatdhetar tjetër i yni që i ka pasur të hapura për shumë vjet dyert e Shtëpisë së Bardhë deklaron me krenari origjinën e vet. Cili është ai shqip- tar, pra që ka punuar në sferat më të larta drejtuese të Pentagon-it dhe Mbrojtjes Civile në Amerikë? Personalisht kam njohur disa funksionarë të tillë në Ushtrinë Amerikane, përfshirë këtu edhe dy gjeneralë të nderuar shqiptaro – amerikanë. Megjithatë, për mua Bardhyl Tirana zë një vend të merituar.

Emrin e tij e kam hasur për herë të parë në gazetën “The New York Times” kur po punoja për hartimin e një bibliografie të shkrimeve të kësaj gazete për shqip- tarët. Më 20 janar 1977, kjo gazetë kishte botuar një shkrim të gjatë të titulluar: “Organizatori i palodhur i festimeve të inaugurimit”. Aty mora vesh se ky organi- zator i ceremonisë së inaugurimit të presidentit Jimmy Carter kishte qenë Bardhyl Tirana (emrin ai e shkruan Bardyl). Për vite me radhë u përpoqa ta takoja atë, por nuk munda. Vetëm para pak kohësh, në dimrin e vitit 2003, bashkatdhetari Skënder Xhilaga ma realizoi një takim me të. Më pas ne u takuam edhe disa herë të tjera. Më poshtë po riprodhoj gjithçka që Tirana më rrëfeu në bisedat me të.

Bardhyli, angazhimin e tij si me presidentin Carter, ashtu edhe me Robert Kennedy-n, e lidh në një farë mënyre me ndjenjat e respektit për të atin e tij, Refat Tiranën, një ekonomist me emër edhe në arenën ndërkombëtare e që vdiq kur i biri ishte vetëm 14 vjeç.

– Babai im ka ndikuar shumë tek unë. Ai kishte një respekt të thellë për këtë vend dhe ishte krenar që punonte për të, – thotë Tirana.

Bardhyli u lind në dhjetor 1937 në Gjenevë të Zvicrës. I ati i tij, i lindur në Shkodër, punonte në Lidhjen e Kombeve. E ëma e Bardhylit ishte Rosamond Walling, e bija e Ana Strumsky-t, një ruse me origjinë hebreje, e cila qe martuar me William English Walling, familja e të cilit është vendosur në SHBA që në kohën e revolucionit amerikan. Tirana ka studiuar në shkollat publike të Washington-it, në Andover, Princeton, dhe Shkollën e Ligjit (Columbia Law School) të Universitetit Columbia, në New York.

Shuhet avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana, "njeriu" i
Bardhyl Tirana, në moshën 10-vjeçare

-Si u lidhët me Carterin?- e pyes në fillim të bisedës.

-Kam punuar për Robert (Boby) Kennedy-n, në fushatën e tij për t’u zgjedhur senator në New York. Gjatë asaj fushate, unë isha edhe shoferi i Ethel-it, së shoqes së tij dhe fëmijëve të tyre. Kisha për detyrë që të çoja në mbarë shtetin e New York-ut jo vetëm kandi- datin për në Senat por edhe përfaqësuesit e shtypit, gjë që nuk qe e lehtë kur mendon se kisha rreth vetes edhe shërbimin sekret, – rrëfen Tirana.-Unë pra, – vazhdon ai, – duhej të gjeja për ta aeroplanë, autobusë apo mjete të tjera për t’i transportuar dhe për t’i siguruar. Nga ana logjistike kjo është një punë shumë e vështirë. Por unë ia dola mbanë dhe Robert-i e vlerësoi këtë. Në atë kohë punoja në Departamentin e Drejtësisë së SHBA- ve. Pas zgjedhjes së Robert-it si senator, unë kalova në praktikën private të juristit. Kur kandidoi për presi- dent, u angazhova përsëri në fushatën e tij. M’u desh të merrem me lëvizjen e një turme të madhe gazetarësh dhe punonjësish të shërbimit sekret që shoqëronin kan- didatin. Kjo nuk ishte e lehtë. Shumë herë na u desh që t’u shmangnim takimeve që paraqitnin rrezik. Megjithatë, vrasja e tij nuk u shmang dot. Tragjedia ndodhi në prag të Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike, në Los Angels, më 1968, e cila do të cak- tonte përfundimisht kandidatin për president. Të nje- jtën detyrë kam kryer edhe për kandidatin demokrat Mc. Govern.

Edhe kur ai kandidatoi përsëri më 1972, unë mora përsipër të njejtën përgjegjësi. Ndërsa gruaja ime e parë, Gail, drejtoi seksionin e shtypit të këtij kandidati, ashtu siç kishte bërë edhe gjatë fushatës së Robert (Boby) Kennedy-t. Jimmy Carter filloi përpjeket e tij për të siguruar kandidaturën demokratike për presi- dent më 1974. Këshilltari i tij kryesor ishte një doktor, i cili më vonë u martua me një grua nga Washington-i, të cilën unë e kisha përfaqësuar si avokat në procesin e shkurorëzimit disa kohë më parë. Këshilltarja e Carter- it dhe kjo aktiviste që më vonë u martua me të, u për- poqën të më bindin që të merrja përsipër organizimin e transportit, marrëdhëniet me shtypin, shërbimin sekret, itineraret e ndalesave dhe të takimeve me pop- ullin gjatë fushatës elektorale. Fushata e Carter-it nuk kishte shumë para, pasi një pjesë e madhe duhej harx- huar për propagandimin e kandidatit presidencial në mjetet e shtypit. Në këto kushte kuptohej qartë se sa me maturi duhej bërë administrimi i parave për këtë shërbim, të cilin unë e njihja më mirë se kushdo tjetër në Amerikë.

Drejtuesit e fushatës i folën Jimmy Carter-it për mua si një planifikues i mirë që kisha dhënë prova. Unë pata mundësi të bisedoja direkt me të ndërsa hëngrëm bashkë një mëngjes në Washington, – thotë Tirana.

Carter e ftoi t’i bashkohej fushatës së tij elektorale dhe ai pranoi. Tirana udhëtoi për në Atlanta për t’u takuar me drejtuesit e fushatës zgjedhore dhe këshill- tarët më të ngushtë të Carter-it, i cili, në atë kohë, ishte guvernator i shtetit Georgia.

– Që nga ai moment e më vonë unë isha shumë i angazhuar me Jimmy Carter-in. Një muaj më vonë ai erdhi në Washington. Unë shtrova një darkë për nder të tij, e cila ishte darka e parë për të në kryeqytetin amerikan. Aty morën pjesë rreth 15 – 20 politikanë e pushtetarë lokalë, se edhe unë isha zgjedhur në Këshillin e Qytetit, – thotë Tirana.

Zyrtarët lokalë të distriktit Columbia të kryeqytetit amerikan kanë qenë të emëruar nga Kongresi dhe nuk ishin të zgjedhur. Kjo e ka origjinën që në trazirat e Luftës Civile Amerikane për të shmangur konfliktet e influencat e një shteti amerikan ndaj një tjetri. Për këtë u vendos që ky territor të kontrollohet direkt nga Kongresi Amerikan. Në periudhën për të cilën bën fjalë Tirana, u arrit që të ndryshohet klauzola e mësipërme për pushtetarët lokalë që ata të zgjidhen dhe jo të emërohen. Tirana është një nga zyrtarët e parë lokalë të zgjedhur e jo të emëruar në Këshillin e kryeqytetit.

Fushata e Jimmy Carter-it u drejtua nga Atlanta ku ai ngriti edhe qendrën e tij të shtypit.

– Në fillim për fushatën e tij elektorale unë u angazhova në distriktin e Columbia-s të cilin e njihja mirë. Kur Carter-i erdhi në Washington si kandidat, ai kishte nevojë për një zyrë ku do të takohej me zgjed- hësit dhe unë i dhashë zyrën time në Watergate. Ndërkohë, akoma pa u bërë zgjedhjet, nisëm të disku- tojmë për ceremoninë e inaugurimit, nëse do t’i fitonim ato, – thotë Bardhyli.

– Demokratët më zgjodhën mua për të drejtuar cere- moninë e inaugurimit të presidentit, nëse do të fitonte Jimmy Carter-i pasi unë e njihja Washington-in më mirë se çdo njeri tjetër, ngaqë kisha qenë shumë i angazhuar në problemet e qytetit të Washington-it. Dhe kur ai fitoi, unë e organizova dhe e drejtova gjithë ceremoninë inauguruese e cilia doli me të vërtetë e suksesshme, – vijon Tirana.

– Një nga objektivat e mia, sqaron më tej ai, – ishte që ajo të kontrastonte me ceremoninë inauguruese të Nixon-it, i cili kishte harxhuar një sasi marramendëse parash. Ne shpenzuam, shumë pak, pothuaj asgjë, – thotë Bardhyli. -Në fund më tepruan rreth 700 mijë dollarë, ndërkohë që në dispozicion kisha 3, 7 milionë, – thotë ai

– Si ia dolët kësaj? – e pyes unë.

-I ftova të gjithë të punojnë falas, vullnetarisht dhe ashtu punuan, – thotë Tirana dhe qesh.

– Po Nixon-i sa harxhoi? – e pyes përsëri unë.

– Rreth 20 milionë dollarë, – përgjigjet ai dhe shton me të qeshur: – Clinton-i harxhoi edhe më shumë, rreth 35 milionë dollarë.

Shuhet avokati i shquar shqiptaro-amerikan, Bardhyl Tirana, "njeriu" i
Bardhyl Tirana (treguar me shigjetë) fare afër në momentin e betimit. Presidenti Jimmy Carter, duke u puthur me të shoqen, pas betimit zyrtar

***

Pas përfundimit me sukses të ceremonisë së inaugurimit çështja ishte se çfarë do të bënte më pas Tirana. Në atë koha ai qe drejtor i linjës ajrore “Executive Jet Aviation”.

– Herë pas here unë e kisha përdorur këtë kompani për të udhëtuar Carter-i gjatë fushatës së tij. Shtëpia e Bardhë e drejtuar tashmë nga ai e dinte mirë se unë kisha përvojë në fushën e aviacionit, ndaj më ofruan postin e kryetarit të Bordit të Aeronautikës Civile. Por, unë e refuzova atë sepse kisha stoqe në aviacion, gjë që sillte konflikt interesash. Në fushën e mbrojtjes kam qenë gjithmonë i interesuar. Me Pentagonin kisha punuar edhe gjatë organizimit të ceremonisë. Një nga drejtuesit e Departamentit të Mbrojtjes me të cilët punova në atë kohë, i cili më vonë u bë numri dy i Ushtrisë Amerikane, më ftoi të punoja në Departamentin e Mbrojtjes. Unë nuk kisha shërbyer asnjëherë në ushtri. Për të luftuar në Kore kisha qenë shumë i ri ndërsa gjatë luftës në Vietnam e kisha kaluar moshën.

Atëherë i thashë Carter-it që të më dërgonte në Pentagon, pasi ndryshe nga shumë të tjerë nuk kisha kontribuar asnjëherë direkt për ushtrinë.

– Një ditë pas inaugurimit, ndërsa po merresha me dërgimin e letrave të falënderimit, pranë zyrës së presi- dentit, kaloi vetë Carter-i. Atje ishin dhe sekretari i Shtetit, Cyrus Vance dhe sekretari i Mbrojtjes, Harold Brown. Presidenti më tha që të bisedoja me sekretarin Vance. Dhe ashtu bëra. Biseduam rreth një orë, gjë që m’u duk shumë duke pasur parasysh telashet e mëdha që kishte bota. Ai më pyeti nëse dëshiroja të punoja si ambasador.

– Po, – iu përgjigja, – veç se emërimi do të jetë në Siri, Jordani ose Izrael, pasi kisha punuar në atë zonë dhe e njihja mirë. Atje unë kisha ndërmjetësuar për tregtim avionësh midis Izraelit dhe Jordanisë dhe e kisha themeluar edhe një linjë avionësh në Jordani “Arab Wings”. Vance më tha se kishte ndërmend të më dërgonte ambasador në një vend të vogël, diku në Azi ose Afrikë. Unë e refuzova. Shtova se isha i gatshëm të pra- noja një punë si Ndihmëssekretar Shteti, por ai më tha se tashmë stafi i tij ishte plotësuar. Me fjalë të tjera, ai nuk dëshironte që një politikan nga Shtëpia e Bardhë të përzihej në Departamentin e tij. Prej aty shkova të tako- hem me Harold Brown-in. Pata një bisedë të këndshme me të. Nuk i kisha shkaktuar kurrë probleme Forcave Ajrore. Me Forcat Ajrore si dhe me aviacionin ushtarak, kisha bashkëpunuar shpesh madje edhe me atë që hodhi bombën atomike në Hiroshima. Kisha ndihmuar edhe në shitjen aeroplanëve të tyre në Afganistan. Babai im ishte musliman, ndërsa gjyshja nga nëna ishte hebreje. Gjyshi i babait të nënës pat qenë dikur kandi- dat demokrat për zëvendëspresident. Gjitha këto më favorizonin për të punuar në Pentagon, – thotë Tirana.

– Isha në California, duke përfaqësuar një rast para Gjykatës së Apelit në Distriktin e 9-të Federal kur më telefonuan nga zyra ime e më njoftuan se zëvendëssekretari i Mbrojtjes donte të më takonte. Kur u ktheva në Washington ai më tha: “Ne duam që ti të bëhesh drejtor i Mbrojtjes Civile”. “Çfarë dreqin është kjo?”- ia ktheva. “Rusët kanë krijuar disa probleme atje dhe shtypi i ka pasqyruar ato gjërësisht”- m’u përgjigj ai. “Nuk i kam lexuar gazetat, pasi kam qenë shumë i zënë”, – i thashë. Ai më sqaroi se duhej të merresha me kryetarët e bashkive dhe guvernatorët. “Ne menduam, – shtoi ai, – se ti ke shumë përvojë në këtë fushë. Mos u shqetëso se pas dy vjetësh do të transferojmë në një detyrë tjetër”.

Kisha kërkuar vetë të punoja në Pentagon ndaj tani që po më bënin këtë ofertë nuk mund të thosha “jo”. Ai duket e kuptoi heshtjen time dhe filloi të më përshkru- ante atë që do të drejtoja. Ishte një funksion i rëndë- sishëm, pasi do të raportoja vetëm te Sekretari i Mbrojtjes ose zëvendësi i tij. Ish kryetari i bashkisë së New York-ut, LaGuardia, ka qenë drejtori i parë i Mbrojtjes Civile gjatë Luftës së Dytë Botërore. Detyra e tij kryesore ishte që të mbronte qytetarët nga një sulm i mundshëm atomik”.

E pashë në sy zëvendëssekretarin e Mbrojtjes dhe i thashë: “Më duket se kjo agjenci nuk duhet të ekzistojë fare. Nëse emërohem, – shtova unë, – do të përpiqem ta eliminoj fare atë. Por, sido që të jetë, në këto rrethana do t’i bie daulles për ta ndryshuar drejtimin e saj. Në vend që të mbrohen njerëzit nga një sulm atomik, më duket më e nevojshme është t’i mbrojmë ata nga fatke- qësi të shumta natyrore si përmbytje, rrjedhje kimike në qendra industriale, dëme të shkaktuara nga natyra apo prej njerëzve, terrorizëm, probleme për të mbrojtur rezervuaret e ujit etj”.

E mbajta dy vjet këtë punë. Ajo që arrita unë ishte se vërtet munda të eliminoja këtë funksion. Këtë gjë nuk e pëlqeu Shtëpia e Bardhë, pasi do të humbiste një pjesë të influencës së zyrtarëve të saj. Si rezultat i kësaj reforme shumë njerëz të lidhur me politikën do të humbisnin vendin e punës. Sekretari i Mbrojtjes nuk e pëlqeu këtë ide. Ai ngulte këmbë se misioni i kësaj agjencie duhet të ishte që të mbronte njerëzit ndaj një sulmi atomik. Por, donte apo s’donte ai, në të vërtetë, agjencia nuk mund t’ i mbronte njerëzit nga një sulm atomik. Shefat e komandës së bashkuar e pëlqyen propozimin tim. Kjo bëri që të kem një përplasje me Sekretarin e Mbrojtjes. Në këto kushte i paraqita dorëheqjen.

Në atë kohë ai kishte si asistent, një kolonel të ri të quajtur Colin Powell. Një të shtune kisha një takim me Zv/sekretarin e Mbrojtjes. Rreth tij ishin ulur shumë gjeneralë, ndërsa Colin Powell rrinte në këmbë, diku në të majtë. Sipas marrëveshjes që bëmë, unë nuk duhej ta braktisja detyrën dhe ata do ta lejonin agjenc- inë të riorganizohej ashtu siç kisha kërkuar unë. Por, më parë donin të diskutonin përsëri me mua. Tashmë, sipas tyre, nuk ishte e nevojshme të takoja direkt Sekretarin ose Zv/sekretarin e Mbrojtjes por asistentin e tyre, Colin Powell.

Në atë kohë isha anëtar i Këshillit të Politikës së Forcave të Armatosura, në përbërje të të cilit merrnin pjesë Sekretari i Mbrojtjes, ndihmësit e tij, komandantët e forcave të ndryshme ushtarake etj. Unë takohesha me ta çdo të hënë. Sekretar i këtij organizmi ishte Colin Powell. Kështu, në atë kohë unë u njoha mirë me të. Berzezinski ishte në favor të reformës që kisha propozuar unë, po kështu dhe anëtarët e Komandës së Bashkuar. Ne siguruam miratim unanim në Senat ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve patëm 341 vota pro e patëm vetëm 5 vota kundër. Më pas projekti im u shqyrtua në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ku mora pjesë dhe unë.

Komanda e Përgjithshme më caktoi që të drejtoja stërvitjet e përvitshme ushtarake. Prej këtu kalova në industrinë prodhuese. Në kohën e Reagan-it, Departamenti i Mbrojtjes më dekoroi me një medalje “për kontribut të shquar në shërbimet civile”. Sekretari e kishte parë se i dekoruari isha unë, një demokrat e megjithatë e miratoi. Kjo shënoi edhe fundin e karri- erës sime në Pentagon, – thotë Tirana.

E pyes Bardhylin sërish për lidhjet e tij me Carter-in.

– Me Carter-in kam udhëtuar shumë herë bashkë dhe jam takuar shpesh me të. Kam qenë në shtëpinë e tij dhe ai ka qenë në shtëpinë time. Më vonë e pata viz- ituar në zyrën e tij kur ishte guvernator. Në atë kohë shkoja në Atlanta pothuaj se çdo javë.

– Po tani a mbani marrëdhënie me të?

-Tani? Jo! – përgjigjet shkurt Tirana.

Ndjej se diçka më mungon në mozaikun e marrëdhënieve të tij me presidentin Carter, i cili vitin e kaluar u laurua me Çmimin Nobel për Paqe.

-Çfarë bëre me paratë që të tepruan nga organizimi i ceremonisë inaguruese?

– Me paratë që më tepruan, rreth 700 mijë dollarë, krijova një fond të besuar (trust) për të organizuar cere- monitë e tjera presidenciale. Inaugurimi që organizova unë u bë i njohur për faktin se në të mund të mirrte pjesë kushdo pavarësisht se çfarë partie i përkiste. Nuk kishte nevojë për ftesa. Shumë gjëra bëheshin falas. Të gjitha muzeumet në Tregun e Washington-it (Washington Mall) si Smithsonian, Qendra Kennedy, Union Station etj., ishin vënë në dispozicion të pjesë- marrësve dhe kushdo mund të kalonte disa orë të mrekullueshme pa paguar asnjë qindarkë.

– Të ardhurat e siguruara nga përdorimi i 700 mijë dollarëve do t’i jepeshin organizatorëve të ceremonive të mëvonshme presidenciale, pavarësisht se cilës parti i takonte presidenti. Po kështu edhe gjatë inaugurimit të presidentit Reagan, të gjitha veprimtaritë u bënë falas dhe u financuan nga Fondi i Jimmy Carter-it. Përveç kësaj, unë dhashë për fondin edhe rreth 100 mijë dol- larë shtesë. Më pas Carter-i vendosi që paratë e fondit të përdoreshin për bibliotekën e tij presidenciale. Unë e kundërshtova këtë. Në fillim, nga pesë mirëbesuesit e Fondit, në krahun tim ishim tre. Më pas raporti ndryshoi dhe kur u votua unë nuk u rizgjodha.

– Ndoshta jam pak kokëkofërtë, gjë që mund të lidhet me karakterin shqiptar, – thotë ai mendueshëm dhe shton: – Nuk është mirë që njeriu të jetë kokëfortë!

Duke vlerësuar punën e presidentit Carter ai thotë se marrëveshja e Kemp Dejvidit (Camp David) ishte një pikë kulmore. Por, shton ai, Carter humbi rastin dhe nuk e përdori për rizgjedhje, gjë që do të qe një pikë e fortë për të. Por, në këtë sferë ai nuk qe i zoti.

***

Bisnesin e tij Bardhyl Tirana e pati në fushën e kërkimeve të industrisë së gjysmëpërçuesve. Në atë kohë ai ishte drejtor dhe kishte stoqe në një kompani të vogël në Virginia që operonte me teknologji shumë të lartë. Kompani të fuqishme, të kalibrit të AT&T-së paraqitën interes të madh për produktet e kompanisë të cilat ishin shumë më të avancuara teknologjikisht se gjithë të tjerat e industrisë amerikane. Disa pajisje të prodhuara nga kjo kompani u përdorën edhe në anijet kozmike amerikane. Klientët e kompanisë së tij ishin gjigantë të tillë si AT&T, Hitaci, IBM, Texas Instruments, Nipon Electric, Ericsson, Simons etj. Kompania tashmë është shpërbërë.

– Ne ishim shkencëtarë të zotë por jo biznesmenë të aftë, – thotë Tirana, dhe shton: -Kemi pasur zyra dhe në Japoni e Gjermani. Në atë kohë kompania u transferua në San Jose, California. Duke qenë se isha drejtor ekzekutiv, duhej të vendosesha atje. Por, unë nuk desha të lëvizja kështu që iu riktheva përsëri profesion- it tim të avokaturës. Kjo ndodhi më 1984. Ne kemi qenë pesë ortakë në këtë kompani por unë kam pasur pjesën më të madhe të stoqeve.

Kur Bardhyl Tirana iu kthye praktikës së avokatit, revista amerikane “National Law Journal” shkroi gjërë- sisht për të.

Tirana thotë se ai zgjodhi për të punuar me një firmë avokature, ku kolegët të mos influencoheshin nga askush. Ajo filloi të përfaqësonte industrinë prodhuese, duke u marrë me mosmarrëveshje biznesi etj. Në këtë firmë qëndroi deri më 1991. U largua prej saj, siç thotë ai, jo se nuk i pëlqente, pasi ai kishte marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët dhe kolegët, por ngaqë i duhej të punonte shumë. Kurdoherë që kishte ndonjë prob- lem, partnerët do ta thërrisnin atë për shkak të përvojës së tij të madhe. Nisur nga përvoja dhe lidhjet që kishte ai krijoi një seksion për mosmarrëveshjet ligjore. Bashkëshortja e ortakut të tij më të ri, Dave Dickinson, filloi një program të American Bar Association (Shoqatës së Avokatëve të Amerikës) në Tiranë.

– Tani gradualisht po tërhiqem nga praktika ligjore. Nuk po marr më raste të reja, dhe punoj vetëm me klientë të vjetër, madje dhe nga këto vetëm ato të cilat mendoj se mund të mbarojnë relativisht shpejt, në dy- tre vite. Gruaja ime dëshiron që të ndryshojmë vendba- nimin, nga Washington-i në New York. Ndaj, e kemi nxjerrë edhe shtëpinë në ankand, – thotë Tirana.

Një arsye tjetër që ai ka vendosur të lëvizë në New York është se pothuajse të gjithë fëmijët, nipërit e mbe- sat tani janë në këtë qytet të madh.

Krahas praktikës në avokaturë, Tirana synon të merret edhe me veprimtari të tjera që nuk kanë të bëjnë me ligjin. Ai parashikon të kontribuojë vullnetarisht për një zinxhir shkollash në Bronx, me Fondacionin e Kombeve të Bashkuara, i cili i ka kërkuar të jetë për- faqësues i tij. Krahas kësaj po mendon nëse është e mundshme të ndihmojë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, për të rregulluar sheshin “Skënderbej”. Për këtë do të kërkojë konfirmim nga Fondacioni i Kombeve të Bashkuara, por më parë pret të shohë kopjet e letrave të Ramës.

– Me mua do të punojë Skënder Xhilaga, – thotë Bardhyli dhe shton: – Pastaj do të vendos nëse do të mësoj gjuhën shqipe pasi kur më vdiq babai isha shumë i ri.

Vendos të ndërrojmë temë. E pyes për Shoqatën “American Friend of Albania”, që u themelua nga prindërit e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Washington, për të ndihmuar Shqipërinë. Ai nis e flet gjërësisht për babain. Kur vdiq i ati, Refati ishte për- faqësues i “Agjencisë së Dyanshme të Sigurisë” (ADS) në Spanjë, një agjenci kjo e nivelit të lartë ushtarak e civil amerikan. Detyra e saj ishte të jepte ndihmë ekonomike në shkëmbim të bazave ushtarake amerikane. Në atë kohë ai ishte 44 vjeç. Një ditë ai i tha Bardhylit të vogël se ka për të pasur problem me Shqipërinë, prandaj duhet bërë diçka.

– Nuk e di pse nuk arritëm të bënim gjë…Por ndosh- ta vëmendja ishte e përqëndruar në Greqi, – thotë Tirana mendueshëm duke shtuar se babai i tij vdiq në Madrid. Refati kishte qenë shefi i misionit të ADS-së, e cila nuk e ekziston më. Ai ka punuar si për Departamentin e Mbrojtjes, ashtu dhe për Bankën Amerikane të Import Exportit, për zbatimin e Planit Marshall. Në lidhje me krijimin e organizatës “American Friend of Albania”, Bardhyli thotë se mund të ketë qenë një ide e të jatit, porse ai vetë nuk mund ta organizonte atë, pasi punonte për qeverinë. Por, shton ai, mendoj se duhet të këte biseduar me nënën, e cila ka qenë shumë aktive në këtë drejtim.

Kthehem përsëri tek profesioni i avokaturës.

– Cili ka qenë rasti më i rëndësishëm apo dhe më i vështirë që keni përfaqësuar si avokat?-e pyes.

Tirana heziton. Për të rast i rëndësishëm nuk mund të quhet ai ku firma e tij avokatore bëri më shumë para. Ai preferon të flasë për rastin më të fundit, ku ai vazh- don akoma të përfaqësojë një shoqatë të quajtur “Të krishterët e Rinj”. Shpesh, rastet që mbron ai, për nga vetë karakteri i tyre, zgjasin me vite të tëra dhe kanë të bëjnë me grindje, ose mosmarrëveshje që disa herë kapin shuma të mëdha.

Pastaj më tregon për një rast tjetër që ka të bëjë me një bashkatdhetar që kishte lindur në Korçë. Koleksionin e tij të artit dhe paratë ai ia kishte lënë me testament si trashëgim qeverisë shqiptare, në rast se ajo do të mund t’i mirrte ato.

– E mbani mend emrin e personit?- e pyes.

– Boria. B-O-R-I-A, shqipton ai me ngadalë çdo gërmë.

– E çfarë ndodhi?

– Çështja ende nuk ka marrë fund.

– Kur e la testamentin Boria?

– Dikur, para nëntëdhjetave.

– E kush e ka koleksionin e tij tani?

– Mund t’ju jap emrin. Është një kushërirë e tij, e cila është ngarkuar me zbatimin e testamentit. Tani që po flasim, në Korçë po bëhen ndërtime, ndërsa ajo jeton në Boston.

– Po në aspektin ligjor rasti është zgjidhur?

– Po. Ka shumë kohë që ka përfunduar. Ajo që bëra unë ishte që ta vonoja derisa Shqipëria u njoh nga Shtetet e Bashkuara.

– Ky zotëri jetonte në Boston?

– Jo, në periferi të Washington-it. Misioni Shqiptar, në vitin 1991, erdhi për të më takuar në Washington, pasi Shqipëria nuk kishte akoma ambasadë atje.

– Boria ia kishte dërguar testamentin Misionit Shqiptar?

– Jo, jo. Ai ia kishte lënë të dashurës së tij.

– Po ju e kishit takuar ndonjëherë.

– Kurrë. Por Misioni Shqiptar më dha letrat e Gjykatës. Unë nuk kisha të bëja aspak me testamentin, por kryeja thjesht detyrën që bën një avokat.

– Këto vepra janë art shqiptar, apo…?

– Testamenti ende administrohet nga Gjykata e Qarkut të Kontesë së Montgomery-t. Gjysma e rreth 600 mijë dollarëve që la trashëgim, janë ende në Maryland dhe gjysma tjetër janë shpenzuar, ndërsa veprat e artit janë të magazinuara në Washington.

– Çfarë vepra arti janë këto?

– Art japonez dhe kinez. Zoti Boria ka qenë fotograf për gjeneralin Douglas McCarthur. E ka fotografuar atë gjatë zbarkimit në Filipine dhe më pas gjatë luftës në Paqësor.

Z. Boria nuk kishte fëmijë. Ai donte ta ruante kolek- sionin të paprekur dhe të bënte diçka të dobishme për atdheun ndaj vendosi ta dërgonte koleksionin e tij në Shqipëri ku dikush mund ta shohë. Dhe kështu ai do të ekspozohet në Korçë.

Gjatë bisedës me të, një i njohur i afrohet Bardhylit dhe i lutet të pozojë një foto për të. Ai pranon me kënaqësi. Më pas biseda rifillon përsëri. E pyes për kontributin e tij ndaj Kosovës ngaqë e di se ai ka shër- byer në Washington si përfaqësues i huaj i Republikës së Kosovës.

– Harry Bajrakatari me Bujar Bukoshin erdhën në zyrën time ku i prita së bashku me gruan time. Më pyetën nëse kisha dëshirë t’i ndihmoja dhe unë pranova. Kështu, në Departamentin e Drejtësisë, për çdo vit, kam dorëzuar letrat si përfaqësues i huaj i regjistruar i Republikës së Kosovës. Herë pas here kam ndërmjetësuar për takime. Unë prezantova Bukoshin dhe Rugovën tek zyrtarët amerikanë. Këdo që takonim, e dinin se kush isha. Ndoshta prania ime krijoi një farë besueshmërie për Kosovën. Kur ke të bësh me qever- inë, pothuajse nuk e merr vesh kurrë se sa bën e ç’rol luan.

E megjithatë, dihet se Bardhyl Tirana ka bërë shumë. Me të drejtë shumëkush e gjen të saktë cilësimin e gazetës “Washington Star” se ai “është njeri i Carter-it” të vërtetë.