BLOG, 18 Prill 2023, 12:47

“Shtëpia” e gabuar e Ermonela Jahos

“Shtëpia” e gabuar e Ermonela Jahos
Ermonela Jaho, në Operën e Munihut, në rolin e Violetës, në operën e famshme “La Traviata” të Verdit

Ajo është sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, e vlerësuar maksimalisht në skenat e mëdha botërore. Ajo është Ermonela Jaho, që pak muaj më parë rrembeu çmimin “Artistja e Vitit 2023” nga Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA), në vitin e 53-të të kompeticionit që vlerëson këngëtarë, dirigjentë, operat, vokale apo kompozitorë.

“Me bukurinë unike të  zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr në mënyrë të sigurt dhe shkëlqyese vezulluese, Ermonela Jaho magjepse me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetri është  prania e saj teatrale elektrizuese. Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë  identifikimi me rolet e tyre, një vërtetësi kaq të madhe dhe një  emocion thellësisht emocionues. Sapo hyn në skenë, Ermonela Jaho hedh  jashtë personalitetin e saj si një mantel dhe mishëron plotësisht  karakterin që ajo duhet të interpretojë...”-shkruhej për të, me superlativa.

Shtatorin e kaluar, e pyetur nga një gazetare, nëse do të kishte patur të njëjtën karrierë në Shqipëri, Ermonela fliste pa “dorashka”: Nuk e di a do më fusnin edhe në kor.

Dhe shfrynte dufin për mjerimin intelektual që ka kapluar atdheun:

“...të gjithë duan të jenë numër 1. Nuk ka vend për të gjithë, për të qenë numri 1. Edhe për të vajtur tek ai numri 1, janë gati për t`i pushkatuar të gjithë, për të arritur. Edhe pse ti e sheh, dikush tjetër është më mirë se ty, nuk e pranojmë dot. Edhe nuk e pranojmë dot atë që flet gjuhën tonë. Që kemi ndarë atë bukën me gjalpë apo që jemi ulur bashkë, kemi pirë një kafe. Unë atij nuk ia fal të jetë numri 1. Kjo është logjika jonë. Nuk ta fal!”.

Tani po e provon vetë mbi lëkurën e sopranos së famshme që e njeh gjithë bota, se çfarë do të thotë të jesh e padëshiruar nga “bataku artistik” i Tiranës. Erdhi për të dhënë leksione në Teatrin e Operas për artistët e rinj, por gjeti vetëm disa të ardhur nga vendet fqinje.

“Po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot- u shpreh sopranoja jonë e madhe, pa e fshehur zhgënjimin dhe dhimbjen se ky vend ka mbetur si 3 dekada më parë.

Imagjinoni se çfarë suksesi do të kishte patur Ermonela këto ditë, sikur në vend të sallës së Operas të kishte shkuar, disa kilometra më tutje, në një hangar të madh, ku janë mbledhur VIP-a me kuç e me maç, dhe prej katër muajsh, u shplajnë trutë shqiptarëve me idiotësitë e tyre fenomenale, ku po t’i pyesësh do të të thonë se Ermonela Jaho është deputete e PS-së; Maria Callas është aktore në telenovelat meksikane; Tefta Tashko Koço, drejtoreshë të “Petro Nini Luarasi”; i biri është balerin te trupa e Portokallisë; pa folur për Skënderbeun që ka lindur në vitin 1956.

Imagjinoni se si “piqen” artistët në atë hangar idiotësie, ku “maestro”, Armaldo Kllogjeri do kish vdekur artistikisht anonim për vulgun, edhe pse është tenor dhe solisti i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit, por tashmë është “madhërishëm” njëri prej banorëve të “BBV” dhe ka një këngë që po bën namin me klikime vetëm pse ka qenë aty dhe e ka të siguruar sezonin e koncerteve dhe të dasmave.

Ermonela Jaho bëri një gabim “taktik”. Duhet ta ngrinte “masterclass”-in e saj për timbrin dhe ngjyrat e zërit atje, të hapte barkun se si e vrasin njëri-tjetrin artistët, t’i numëronte një nga një cenet, tradhëtitë, pabesitë, puçet dhe kulisat, të kapej për flokësh, të shahej dhe flirtonte me luanë e gazela që janë mbledhur aty brenda dhe do të ishte...sukses i garantuar. Pasqyrë e shoqërisë së kalbur shqiptare, ku yjet që na nderojnë nëpër botë si Ermonela Jaho, janë skorje, përpara “yjeve të hangarit”.