BLOG, 2 Prill 2025, 17:26

DITARI I 11 MAJIT (-40 ditë)/ Rama u kërkon durrsakëve votën për mandatin e katërt me premtimin e 24 orëve ujë, si 12 vite më parë

DITARI I 11 MAJIT (-40 ditë)/ Rama u kërkon durrsakëve votën

Edi Rama replikoi sot me një komentues në rubrikën e tij “Sy m’ Sy” në Facebook, pasi ai la komentin: Durrësi akoma furnizohet një orë në ditë, ndërsa ju vendosni si zonë, pjesërisht me ujë 24 orë. Fakti që nuk pranoni realitetin, ju bën më pak të besueshëm se në 2013, kur të besuam dhe ta dhamë votën masivisht.

Rama iu përgjigj komentuesit se qeveria nuk ka shkop magjik, por gjatë qeverisjes ka bërë një progres shumë të madh për furnizimin me ujë.

“Që kur ti më dhe votën kemi investuar për ujin e pijshëm në Durrës, rreth 60 milionë euro më shumë se të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku me përfitues banorët e të gjitha njësive administrative të asaj bashkie, ku të mos harrojmë, s’ka pasur kurrë ujë 24 orë se ka rëndësi ta kujtojmë edhe këtë…

…Brenda këtij viti, projekti i financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim, hyn në rrugën e realizimit, pasi janë bërë të gjitha procedurat dhe falë këtij projekti, brenda mandatit të 4, përmbyllim edhe të gjithë programin e furnizimit me ujë 24 orë në Durrës”- iu përgjigj Rama komentuesit dhe me kaq kërkoi votën edhe për mandatin e katërt për t’i sjellë Durrrësit ujë 24 orësh.

Durrësi, si shumica e bashkive në vend, ka ujë me orar, ndaj edhe projekti francez ishte menduar se do ta zgjidhte krizën që dëmton rëndë jetën  epërditshme dhe turizmin.

Më 15 nëntor 2022 u nënshkrua në selinë e qeverisë shqiptare marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, me Ministren franceze të Shtetit për Europën, Laurence Bonne, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që plotëson një proces të gjatë, transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.

Marrëveshja e kredisë ishte në shumën 60 milionë euro dhe marrëveshja e  grantit për asistencë teknike në shumën 1 milionë euro.

DITARI I 11 MAJIT (-40 ditë)/ Rama u kërkon durrsakëve votën

Pas disa javësh marrëveshja u depozitua në Kuvend dhe sipas qeverisë ajo parashikonte investime në rrjetin e kanalizimit të qytetit të Durrësit, investime në burimet ujore të këtij qyteti, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe krijimin e një masterplani për sektorin e UKD deri në vitin 2040 dhe me këtë arrihej edhe premtimi i qeverisë për ujë 24 orë dhe për 7 ditë brenda fundit të mandatit qeverisës 2021-2025.

Por më 15 maj 2023, pas keqadministrimit, edhe pse më e mbështetura me hua dhe grante nga donatorët, u mor vendimi për likuidimin e shoqërisë nga Asambleja e Aksionareve të Shoqërisë.

Humbjet UKD-së u dyfishuan gjatë vitit 2022 duke arritur në mbi 1 miliardë lekë afërsisht 10 milionë euro, nga 535 milionë lekë (5 mln euro) që ishin në vitin 2021, sipas të dhënave të raportuara në bilancin zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të biznesit. Detyrimet totale arritën në 16 miliardë lekë, ose më shumë se 150 milionë euro me rritje 11 për qind ndaj vitit 2021.

Bashkia e Durrësit ishte aksioneri kryesor dhe pasa kësaj përgjegjësia për furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit i kaloi Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime Durrës, ku aksionere janë Bashkia e Durrësit, Krujës, Kurbinit e Shijakut dhe Vorës.

Ministria e Financave raportonte vjet se UKD i detyrohet OSSHE me 4,3 miliardë (40 mln euro) fatura të papaguara deri në maj 2023. Të dhënat nga bilanci tregojnë se detyrimet në formën e huamarrjes janë mbi 308 milionë lekë, ndërsa detyrimet të tjera të kompanisë janë rreth 7.9 miliardë lekë.

Ujësjellësi i Durrësit ka qenë historikisht është nga ndërmarrjet me të financuara nga donatorët për shkak të rëndësisë që ka ndër të tjera për zhvillimin e turizmit. Në vitin 2013 Banka Botërore miratoi një kredi prej 85.3 milionë dollarë amerikanë Shqipërisë, për investime në Ujësjellës kanalizimin e Durrësit. Huaja e IBRD-së prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri. Plus marrëveshja 60 milionë euro e Agjencisë Franceze të Zhvillimit.