TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ikja e dritave në Qendrën Spitalore Universitare dje më kujtoi një histori të vjetër kur unë sapo fillova punën si mjek.
U diplomova Mjek i Përgjithshëm në korrik 1985, në Shtator fillova zborin 3-mujor për mjekësinë ushtarake, që e përfundova në Nëntor, dhe në Dhjetor fillova punë si intern në Spitalin e Rrëshenit. Meqë pasioni im ishte për kirurgjinë, u sistemova në një dhomë në repartin e kirurgjisë, dhe 24 orë non stop, kujdesesha për çdo gjë në repart. Shefi i Kirurgjisë ishte Dr. Agim Qarri (ndjesë pastë), një kirurg shumë i guximshëm dhe i formuar për kohën. Ishte fundi i Dhjetorit ose fillimi i Janarit.
Atë natë ishte një kohë shumë e keqe, me shira dhe stuhi dëbore, nga urgjenca më thirrën se një ambulancë e Kurbneshit kishte sjellë një të sëmurë serioz, që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Pasi i kërkova disa analiza të cunguara rutinë......thirra menjëherë Dr. Agimin i cili banonte në pallatin përbri spitalit. Dr. Agimi erdhi menjëherë, mbasi i vuri dorën në bark, u kthye nga unë dhe tha: abdomen akut. Urgjent në sallë!
Dr Petraqi, anstezisti, edhe ai jetonte në Spital, morëm të sëmurin në sallë, dhe dolëm të informonim familjarët e pacientit. Kur hapëm derën e koridorit, vumë re 3-4 fëmijë nga 7 deri 12 vjeç, fëmijët e pacientit, që qanin dhe na shikonin në sy pa mundur të pyesnin për shëndetin e babait të tyre. Mbaj mend që u përkëdhelëm kokat dhe u thamë se babai do të shërohej shpejt. U futëm në sallë menjëherë dhe filluam operacionin, Anestezia me Dr Petraqin, Dila Taçi instrumentare, Unë asistenti, dhe Dr. Agim Qarri me bisturi hapi menjëherë barkun. Pacienti kishte ngatërrim zorrësh, me një segment të gangrenizuar. Në momentin e heqjes së pjesës së gangrenizuar, ikën dritat në gjithë Rrëshenin, rrjedhimisht edhe në Spital.
Spitali kishte gjenerator, por ai nuk punoi. Personeli i spitalit të turnit erdhën menjëherë në sallë me qirinj në dorë, dikush solli dhe një llambë minatori që na ndriçoi barkun dhe bëri të mundur që Dr. Agimi të përfundonte operacionin. Pasi nxorrëm pacientin në reanimacion dhe qetësuam fëmijët e pacientit, morrëm vesh që nënstacioni i Ulzës kishte difekt të rëndë prandaj ishte total blackout.
Të nesërmen raportonim në drejtori. Drejtori Dr. Pal Deti rrinte me kokën ulur dhe dëgjonte raportimin e Dr. Agimit, i cili shpjegoi në detaje ngjarjen. Pyetja e vetme ishte: Po gjeneratori, pse nuk u ndez? Përgjigja....: Gjeneratori dhe personi përgjegjës nuk punoi. Drejtori Dr. Pali atë moment ngriti kokën me sy dhe fytyrë të zbehtë dhe tha: Në se dikush këtu asht armik, ai asht Preng Uci. Unë u zverdha sepse e dija që pas këtyre fjalëve ja behte gazi i Degës.
Prenga pati shumë peripeci nga kjo histori. Ai kishte një motoçikletë dhe karburanti i gjeneratorit shkonte te serbatori i motoçikletës. Kjo histori bëri që Prenga e ndizte dhe testonte përditë gjeneratorin për ta mbajtur në gatishmëri.
Ikja e Dritave në QSUT dhe dështimi i sistemeve backup bën përgjegjës disa "Prenga". Unë inkurajoj Prokurorinë të hetojë dhe verë para përgjegjësisë hajdutët e karburantit, u tha edhe një fjalë sikur kishte mbaruar kontrata e mirëmbajtjes (hajdutllëkut) në këtë rast SPAK-u duhet ta klasifikojë si grup të strukturuar kriminal në bashkëpunim kompaninë me persona përgjegjës të Spitalit. Ministria e Shëndetësisë duhet të zgjohet nga gjumi letargjik dhe Drejtoria Spitalore Jo-ekzistente duhet të "reanimohet" per të kontrolluar gjendjen e gadishmërisë së spitaleve në gjithë Shqipërinë. Çdo neglizhencë kushton jetë.
*Autori është mjek kirurg në Spitalin e Traumës