TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Misioni i OSBE/ODIHR e nisi dje zyrtarisht punën për monitorimin e procesit zgjedhor të para dhe pas 11 majit. Kreu i misionit, Lamberto Zannier, tha se për monitorimin e procesit zgjedhor të 11 majit do të angazhohen 300 vëzhgues afatshkurtër dhe 26 vëzhgues afatgjatë, që do të shpërndahen në 12 qarqet në Shqipëri, nga 274 vëzhgues që ishin katër vite më parë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Zannier tha se nuk do të bashkëpunojë me SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore, se ekipi i tij do të vlerësojë të gjitha aspektet e zgjedhjeve, përfshirë edhe përdorimin e mundshëm të parave të krimit në fushatë.
Zgjedhjet e 11 majit janë të 11-at që mbahen në Shqipëri.
Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjeve më të fundit, atyre të 25 prillit 2021, si çdo zgjedhje (hiq ato të 26 majit 1996 që nuk i njohu madamë Audrey Glover) mbylleshin me frazat shabllone se “zgjedhjet ishin një hap përpara”.
Herën e fundit u tha se: Zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore; zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët qenë në gjendje të bënin fushatë lirisht, në një kuadër ligjor që respekton liritë themelore. Pas një marrëveshje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën mjaftueshëm besim për të marrë pjesë në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë i reformuar, iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në një mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht nga detyrimet e reja të rëndësishme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja. Partia qeverisëse përfitoi avantazhe të rëndësishme nga të qenit pushtet, duke përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative. Kjo u amplifikua edhe nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media. Pretendimet për blerje votash nga partitë politike ishin të përhapura gjatë fushatës dhe një numër i lartë hetimesh u hapën në këtë drejtim. Në një numër të kufizuar qendrash votimi dhe numërimi të vëzhguara, procesi ishte kryesisht transparent dhe i qetë ”.
Ngjarja e rëndë në Elbasan më 21 prill kur u vra Pjerin Xhuvani i PS-së nga Arbër Paplekaj, pjesë e "Strukturës së Mbrojtjes së Votës" së PD-së, dhe u plagosën 3 shtetas të tjerë, u përfshi vetëm si fusnota numër 77 në raport.
OSBE/ODIHR-i i certifikoi zgjedhjet e 25 prillit edhe pse, sipas raportit: vëzhguesit ndërkombëtarë kritikuan qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe Partinë Socialiste për abuzim me pushtetin në funksion të fushatës së tyre elektorale; se “IEOM (Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve) ishte dëshmitar kur paratë iu shpërndanë votuesve në afërsi të një qendre votimi; se ministrat vijuan angazhimet e tyre zyrtare përgjatë të gjithë fushatës; se kryeministri Edi Rama inauguroi disa projekte infrastrukturore gjatë fushatës së zgjedhjeve; se punësimi në sektorin publik u rrit në mënyrë domethënëse në periudhën para zgjedhjeve, me shtimin e mbi 10 mijë rrogëtarëve në shtet të raportuar nga statistikat e INSTAT; se pati raportime për shpërndarjen në formë ryshfeti për votuesit, të granteve të rindërtimit për tërmetin e vitit 2019, tërmet që preku fushëbetejat kyçe të Tiranës dhe Durrësit.
Kësaj radhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it kanë ardhur vonë, se rreth 700 mijë pensionistë i kanë marrë të dy bonuset e shpërndarë nga qeveria, fushata ka muaj që ka nisur me premtime për mrekullira në mandatin e katërt.
Partia në pushtet është e qetë dhe e sigurtë për fitoren e radhës, sepse ka gjithçka nën kontroll. Nën hundën e OSBE/ODIHR-it, edhe pas 18 reformave zgjedhore, rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it si ai për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, janë injoruar, duke i lënë qendrat dhe kutitë e votimit në duart e militantëve të partive që, pasi vjedhin dhe tjetërsojnë votat e partive të vogla, vjedhin edhe njëra-tjetrën, duke deformuar vullnetin e votuesve dhe nxjerrë një rezultat që nuk shpreh verdiktin popullor. Dhe më pas kjo certifikohet 3 muaj më vonë, pra këtë radhë në gusht 2025, nga turistët ndërkombëtarë të zgjedhjeve shqiptare.