BLOG, 13 Prill 2023, 15:40

Na la Nebil Çika, i Riu, i paharruari

Na la Nebil Çika, i Riu, i paharruari
Nebil Çika

Më tronditi lajmi i ikjes së beftë të Nebil Çikës (I Riu). Një mik i vjetër, një hero i fjalës së lirë, një rebel deri në ditën e fundit të jetës.

U njohëm kur punonin për gazetën “Albania” dhe u lidhëm shumë. Erdhi një kohë që pas mbarimit të çdo numri gazete, uleshim e kalonim orë duke biseduar. Pinim ndonjë gotë e nuk kursenim askënd me debatet tona. Më pëlqente Nebili se ishte idealist e nuk kishte “lopë të shenjta” në kokë.

Ai besonte se çdo udhëheqës i suksesshëm politik ishte automatikisht për t’u dyshuar. Një konservator i vërtetë, ai besonte se adhurimi për politikanët është tipar i të majtës. E djathta vjen me adhurim për vlerat. Ndryshe nga shumë të tjerë, nuk mërzitej nëse nuk bije dakord me të. E priste kundërshtimin. E donte debatin. Kishte mbaruar për të bashkë me komunizmin, koha kur nuk guxoje të vije në dyshim “orientimet e partisë” apo “citatet e udhëheqësit”.

Na la Nebil Çika, i Riu, i paharruari
Nebil Çika me bashkëshorten

Nebil Çika ishte lindur me “damkë”, në një regjim ku mbiemri përcaktonte fatin e njeriut. Mirëpo, ai vetë mbante me krenari emrin dhe mbiemrin e gjyshit, “një armik i popullit”, në fakt, gazetar e botues, intelektual shqiptar i lindur në Prevezën shqiptare. i pushkatuar nga komunistët pak përpara mbarimit të luftës. Diktatura ra shpejt për fatin e mirë të Nebilit të ri. Natyra e pabindur e kokëshkretë do ta çonte patjetër në ndonjë ndëshkim mizor nga shteti. Inteligjenca natyrore dhe aftësia për të njohur njerëzit mbase do ta mbronte e do ta shpëtonte.

Pas rënies së komunizmit, pati fatin të gjente veten e rindërtonte jetën. Filloi të përdorte shtesën e “I Riu” në emrin e tij për të theksuar lidhjen e gjyshin në rrugën e të cilit vendosi të ecte. Rithemeloi gazetën “Minerva” që ai botonte dikur në kohën kur u vunë themelet e shtetit shqiptar.

U shqua si gazetar. Filloi si reporter e punoi në shumë sektorë të gazetave, por ishte njeri me opinione të forta e vizion të pashoq, kështu që ishte vetëm çështje kohe kur do të dilte si zë më vete. Në atë kuptim, “Minerva” ishte një domosdoshmëri.

Na la Nebil Çika, i Riu, i paharruari
“Minerva” e dikurshme që u ringjall pas rënies së komunizmit, nga Nebil Çika, I Riu

Edhe në krye të Shoqatës së Persekutuarve u përpoq të krijonte një zë më vete, pjesë e politikës, por e pavarur prej saj, mbështetëse e të djathtës, por jo vasale.

Kishim pikëpamje të ndryshme në disa gjëra, por nuk mund të mos ia respektoje idealizmin e vendosmërinë për t’i qendruar një mendimi edhe kur i prishte punë, edhe kur e shihte se i ishte vënë shumica kundër, edhe kur e kërcënonin e ofendonin.

Mbeti deri në fund, luftëtar i një prej kauzave më të tradhëtuara të demokracisë në Shqipëri, atë të demokracisë së brendshme të partive, padyshim një nga problemet themelore të tranzicionit shqiptar.

Vdekja e mori përpara kohe, por ashtu si gjyshi i tij i shquar, la pas shkrime e kujtime, e mbi të gjitha një shembull guximi e pavarësie. Nuk do të harrohet.