BLOG, 5 Nëntor 2023, 23:00

Ministri Taulant, shkruaje një status edhe për vajzat që u shtypën afër kryeministrisë!

Ministri Taulant, shkruaje një status edhe për vajzat që u

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u bë meme e madhe një ditë më parë, kur shkroi në postimin e bosit të META-s, Mark Zuckerbeg, “Ju uroj shërim të shpejtë”.

Edhe sot ai ka patur një agjendë të ngjeshur.

Që në pikë të mëngjesit hodhi një video të rehabilitmit të segmentit të dytë të lumit Gjanica në Fier, ku është drejtues politik i PS-së.

Pesë orë më vonë një video të certifikimit të 40 zjarrfikësve të parë të bashkive Kamëz dhe Krujë. Një orë më vonë një tjetër video me rezultatet e kënaqshme të Policisë së Shtetit në disa qarqe. Pastaj hodhi pamjet e një vizite në aeroportin e Rinasit; golin e sulmuesit kuq e zi Sokol Cikalleshi, me një penallti që i dha ekipit turk Konyaspor një pikë dhe në fund hodhi fotoalbumin e javës, me PS-në dhe policinë e Shtetit.

Asnjë fjalë, asnjë rresht, për ngjarjen e rëndë të shënuar sot në rrugën mes selisë së qeverisë dhe hotelit “Rogner” ky një 21-vjeçar hipi makinën me shpejtësi skëterre mbi trotuar, duke shtypur dy vajza që ecnin në trotuar.

Ngjarja e rëndë është anashkaluar me lezet sikur të ishte një gërvishtje makinash dhe jo dy vajza që kanë përfunduar te “Truma” në gjendje të rëndë.

Përmasat e aksidentit bëhen edhe më të mëdha kur 21-vjeçari ka qenë një shkelës i përsëritur i Kodit Rrugor, duke u gjobitur nga policia për ngarje të makinës me shpejtësi të lartë në zonat e banuara, edhe në kohën e ministrit Taulant.

Taulant Balla u emërua nga kryeministri Rama si ministër i Brendshëm më 8 korrik 2023, në vend të Bledi Çuçit. Prej atëhere ka marrë të gjitha ngjarjet e 6 muajve të fundit, të gjithë të arrestuarit dhe i ka bërë kapicë nja 200 e ca e për ta mbyllur i ka vënë operacionit emrin “Tempull”

Më 27 tetor ai festoi 100 ditët e para si ministër, duke thënë, mes dhjetëra lëvdatave për veten dhe policinë se: “E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe ditë pas dite rikthimi i besimit tek Policia e Shtetit po avancon në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme”.

Ngjarja e rëndë sot dhe mosreagimi i ministrit të policëve, tregon se e sotmja është po aq e zezë sa e djeshmja dhe shqiptarët nuk ndihen të sigurtë as në rrugë dhe as në trotuar.

Nuk ka ndryshuar as ministri Taulant, që bëhet meme duke dërguar mesazh për shërim të shpejtë të shefit të META-s që kishte këputur një tendinë, por që nuk ka as moralin qytetar dhe as cipën e shtetarit të përgjegjshëm për të uruar shërimin e dy vajzave të pafajshme që u shtypën sot në mes të Tiranës.

Shkruaje një status ministri Taulant. E ke pjesë njerëzore të detyrës ekzekutive, për të cilën paguhesh.