BLOG, 10 Qershor 2024, 18:44

Kur Kushtetuta shpërfill Presidentin, Parlamenti "del" nga mendtë!

Kur Kushtetuta shpërfill Presidentin, Parlamenti "del" nga


Pas zgjedhjeve që u bënë dje për Parlamentin evropian, në Francë, por jo vetëm, krahu më i djathtë i politikës, ajo që quhet edhe e djathta e së djathtës, shënoi një rezultat që ishte dy herë më i lartë se ai i grupimit të presidentit Makron.
Analiza e kësaj është një histori tjetër.
Ajo që dua të them është se një orë më pas nga shpallja e rezultatit, Presidenti Makron, shpalli shpërndarjen e parlamentit të Francës dhe kalimin në zgjedhjet e reja parlamentare.
Megjithëse zgjedhjet e djeshme ishin për parlamentin evropian, ai kërkoi që të qartësohet situata e vullnetit kombëtar në mënyrë që të testohet nëse ky vullnet i shprehur dje për Evropën, ndryshon ose jo edhe raportin e forcave politike të përfaqësuara në parlamentin francez.
Ky është roli i një Presidenti. Kur sheh se parlamenti ka një problem, brenda një ore e shpërndan dhe ja jep fjalën elektoratit për zgjedhje të reja.
Po qe se Presidenti nuk e ka këtë fuqi, parlamenti dhe deputetët mund të "çmenden" sikur parashikonte dy ose tre shekuj më parë Rusoi.
Çfarë bëhet po të çmenden deputetët!!! Duhet ta ketë dikush forcën ligjore për t'u thënë ikni në shtëpi, zgjedhje të reja!
Por, në Shqipëri, Kushtetuta nuk ja jep këtë kompetencë Presidentit. Në këtë mënyrë e bën atë lolo të Kuvendit dhe të deputetëve. Kuvendi tallet me Presidentin, madje grupi parlamentar i shumicës tallet me Presidentin. Ktheji, ktheji, ligjet mbrapsht, ne e hedhim në kosh kthimin tënd, as na bëhet vonë fare!
Kjo ka bërë që te ne demokracia dhe shteti të dalin nga shinat ligjore. Prandaj ndodh edhe korrupsioni, edhe inkriminimi i zyrtarëve të lartë, edhe gjithçka e errët nga e cila vuajmë!
Nuk ka kush ta korrigjojë Kuvendin e përbërë nga militantë kur deputetët cmenden!
Kuvendi bën ç'të dojë, deputetët bëjnë ç'të duan! E frikshme!
Duan t'i rrisin pagën vetes, ja rrisin!
Pasi marrin mandatet, kanë qejf t'i dorëzojnë ato apo t'i hedhin në halé, e bëjnë, gjemb në këmbë nuk u hyn!
Duan të rrinë në shtëpi dhe t'i bëjnë mbledhjet online, nga krevati, i bëjnë!
Do shumica t'i heqë të drejtat pakicës, të njohura me Kushtetutë, e bën, pa pikë qederi!
Duan të ikin, të vijnë, përsëri të ikin e prapë të vijnë në një grup parlamentar, shëtisin si duan.
Duan t'i vendosin zjarrin sallës, të zihen me karrige, të hedhin tymuese, a ç'a t'u dojë qejfi, e bëjnë!
Nuk ka askush, pra një hundëlesh, një President, që të ketë fuqi t'u thotë:
Jeni ju aty? Dakord! U çmendët? Mirë, por jam unë këtu!
Zgjedhje të reja!
Ta shihni pastaj sesi deputetët do të vinin në logjikë dhe do t'u vinin trutë! Nuk do të shaheshin nga mëngjezi në darkë me fjalë vagabondësh, sepse ai, Presidenti, do t'u thoshte:
Pa ikni pak në shtëpi tani, se ka ardhur koha që elektorati të testohet, a ju do më apo jo!
Këto rimendoja si para dhjetë vjetëve, mbrëmë kur 60 minuta pasi u shpall rezultati për parlamentin evropian, Presidenti Makron u tha deputetëve të parlamentin të Francës:
Është koha të ikni në shtëpi, të riktheheni te votuesi që të testoheni!
60 minuta më vonë, pra 3600 sekonda pas faktit që vuri në dyshim nëse parlamentarët vendas pasqyrojnë më apo jo vullnetin e elektoratit francez.
Përndryshe bëhet si te ne. Deputeti pasi fiton mandatin, për pesë vjet mund të sillet si i çmendur, kolektivisht, dhe nuk ka asgjë në botë ta vendosë në arësye!
Madje me pak kopilllëk, me pak lavde dhe lajka, kryetarit të partisë, gjashtë muajt e fundit, ky i fundit, e rivendos në listë për deputetë, ja u bënë dhjetë vjet në karrige! Shumëzoje për dy, u bënë njëzet!
Kaq duhet! Festen mbi sy!
Ç'a ke - të thotë - jam përfaqësues i popullit!
Se askush nuk ja bënë 8 me 2!
Populli në det, deputeti në karrige!