TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Menjëherë me marrjen e detyrës, ‘Grupi special’ filloi nga puna, ku krahas procesit hetimor ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, si dhe pjesëtarëve të tjerë të atij “grupi armiqësor”, (ku bënin pjesë edhe Nesti Nase, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, Mihallaq Ziçishti ish-gjeneral-major dhe zv/ministër i Brendshëm, Llambi Peçini, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, Fiqret Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin, Elham Gjika, ish-kryetar i Hetuesisë së Tiranës, Kristofor Martiro, ish-hetues që ishte marrë me hetuesinë ndaj Beqir Ballukut, Gani Kodra, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, etj.), ai grup, u muarr edhe me hapjen e studimin e dosjeve për një sërë ish-kuadrosh dhe funksionarësh të lartë të ish-udhëheqjes së PPSH-së, partiakë dhe shtetërorë, të cilët që nga viti 1945, e në vazhdim, ishin dënuar me burg apo vuanin nëpër internime.
Kjo, bëhej për të “zbuluar e zbardhur veprimtarinë armiqësore të grupit agjenturor të Kadri Hazbiut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, dhe pjesë e këtij hetimi, u bënë edhe disa nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës, ish-anëtarë të Byrosë Politike e ministra, si; Liri Belishova, Bedri Spahiu, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Zoi Themeli, Gjin Marku, Maqo Çomo, etj. Në këtë kuadër, një pjesë e madhe e tyre që ndodheshin të internuar, u arrestuan, një pjesë tjetër u thirrën në hetuesi për të deponuar, të tjerëve iu dërguan pyetjet me shkrim, për të dëshmuar mbi ato që u kërkohej etj.
Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, (për propagandën, artin e kulturën), e cila që nga viti 1961, ndodhej e internuar (ndërsa bashkëshorti, Maqo Çomo në burgun e Burrelit), në dhjetor të vitit 1982 dhe janar të 1983-it, iu dërguan dy letra nga ‘Grupi special’, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ishin përpiluar disa akuza dhe disa pyetje, që ajo t’u përgjigjej me shkrim.
Nga dokumenti në fjalë, këto letra drejtuar Liri Belishovës, përkojnë me një situatë tejet të vështirë të familjes së saj, pasi ajo sapo kishte humbur vajzën e vetme, (Drita Çomo, 20 vjeçe, vdiq nga një sëmundje e rëndë në Sanatoriumin e Tiranës), ku asaj i bëhej presion, duke e kërcënuar, me arrestim.
Për më shumë, bëhet e ditur nga ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë, i cili është nxjerrë nga një dosje voluminoze e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), e cili publikohet për herë të parë nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I DREJTORISË SË PARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, ME LETRËN E LIRI BELISHOVËS, SI PËRGJIGJE NDAJ AKUZAVE TË BËRA KUNDËR SAJ NGA GRUPI OPERATIV PRANË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, “PËR ZBARDHJEN E VEPRIMTARISË ARMIQËSORE TË GRUPIT TË KADRI HAZBIUT DHE MEHMET SHEHUT”
PËRGJIGJE AKUZËS DHE PYETJEVE
IV.- Qëndrimi im ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik,
Unë kurrë nuk kamë biseduar kundër tyre me sovjetikët, as para dhe as pas vdekjes së Stalinit, as vetëm dhe as me Maqon. As për vënien në jetë të vendimeve të Kongresit 20-të në Shqipëri. Pas çdo bisedimi që më është dhënë rasti të bëj, kamë njoftuar sh. Enver dhe s’ka gjë qe ai mos t’a dijë.
Në bisedën me Susllovin, unë kamë mbajtur qëndrim të drejtë dhe i kam thënë se nuk mund të ndahet çështja e Koci Xoxes nga Jugosllavët, sepse ai ka qenë agjenti i tyre, ka luftuar për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavin, për unifikimin e ushtrisë, etj.
Këtë mendim i kamë shprehur edhe sh. Enver edhe në Byro. Qëndrimi im, lidhur me mosmarrëveshjet në lëvizjen komuniste në verën e vitit 1960, është analizuar gjerësisht nga Partia dhe janë marrë masat përkatëse – s’është nevoja t’a përshkruaj këtu, nuk ka asgjë të re. Por dua të precizoj tre gjëra, që kohërave të fundit, nuk po thuhen siç kanë ndodhur!
1.- Këshilltarin sovjetik, e kemi takuar unë dhe sh. Gogo Nushi, në ambasadën e Shqipërisë – në ambasadën sovjetike, nuk kamë shkuar, as vetëm, as me ndonjë shok.
Pse vendosëm t’a thërrasim? Kinezet, pasi folën shumë gjatë për mosmarrëveshjet me sovjetikët, na thanë se nuk do të venin në mbledhjen e Bukureshtit.
Bashkë me shokun Gogo, si komunistë, kjo gjë na shqetësoi – po të mos venin kinezët, në të mund të krijohej një gjendje, si ajo me Jugosllavinë në 1949.
Raporti i hollësishëm për shokun Enver, vonohesh deri sa vente në Tiranë. Edhe radiogramet sa të venin e të vinin, vonoheshin –pasi ambasada e jonë, s’kishte lidhje direkte me Tiranën, por nëpërmjet ambasadës tonë në Moskë. Kurse mbledhja do të bëhej dhe ne thirrëm këshilltarin sovjetik.
I folëm shkurt për ato që na kishin thënë sovjetikët – unë për të miat dhe Gogo për të tijat dhe i thamë mendimin tonë qe të ndërhyhej për t’i bindur kinezët të venin në mbledhje, ose ndryshe mbledhja të shtyhej.
Bëmë gabim, se duhej më parë të pyesnim Udhëheqjen e Partisë. Por nuk kemi vepruar si agjentë. Edhe Plenumi i Komitetit Qendror, e quajti vetëm gabim.
Për t’a kuptuar e versuar drejtë, duhet parë situata dhe si mendohej 23 vjet më parë. Mund të sillja këtu disa fakte e shpjegime që e lehtësojnë përgjegjësinë time.
Por po ndalem në faktin se, këshilltarin e thirrem bashkë me sh. Gogo edhe shokët e tjerë të delegacionit ishin dakord. Para se të veja unë në Pekin, sh. Gogo kish biseduar me Kryetarin e delegacionit sovjetik, për ato që i kishin thënë kinezet, mbi mosmarrëveshjet me sovjetikët (ketë punë kinezët, po e bënin me gjithë delegacionet që kishin vajtur në Pekin, për mbledhjen e Federatës Botërore të Sindikatave), kish dërguar dhe ambasadorin tonë, të bisedonte me ambasadorin sovjetik.
Këto, nuk i them se Gogo është i vdekur, sepse këto janë shtruar në Byro e, dihen nga shokët që qenë me Gogon – i them që çështja ime, të mos shikohet si një akt i çuditshëm që mund t’a bënte vetëm një agjente, po të çmohet drejtë.
Po të kisha qenë agjente e sovjetikëve, do të kisha vepruar ndryshe, do t’u kisha dhënë një kopje të raportit të hollësishëm që përgatitëm për sh. Enver.
S’kish nevojë ta thërrisja ambasadorin sovjetik, në ambasadën tonë. Kozllovin e kamë takuar vetëm gjatë darkës që u shtrua për shokun Haxhi dhe ku ishin të gjithë anëtarët e delegacionit.
3.- Dy letrat që më dërgoi shoku Enver, nuk ja u kamë dhënë sovjetikëve. Në të dy letrat, shënohej se ato ishin vetëm për mua dhe pasi t’i lexoja, t’i zhdukja. Dhe unë kështu veprova. Po të isha agjente e sovjetikeve, do te kisha vepruar ndryshe: ata mund t’a merrnin fotokopje.
Veç kësaj, ç’rëndësi kishin këto letra për sovjetikët? Në to flitej për qëndrimin e delegacionin tonë, në mbledhjen e Bukureshtit sovjetiket ketë e dinin) dhe porositesha unë, të mos prononcohesha.
Të zgjatesh për të gjitha çështjet, është e kotë, sepse të gjitha më janë thënë e, u jam përgjigjur 23 vjet më parë. Partia e analizoi çështjen time dhe m’u dha dënimi kapital, u përjashtova.
Megjithëse çështja ime ishte një çështje thjesht Partie, u shqyrtua edhe ne rrugën shtetërore dhe unë u internova. Kjo është tragjedia më e madhe e jetës time.
Tani të shohim mos kamë bërë ndonjë gjë, pas dënimit për të cilin duhet të arrestohem e dënohem? Jo. Gjatë 23 vjetëve, kamë qëndruar ashtu siç thashë, sikur mishtë me gërshërë të më qethin, unë dorën kundër Partisë nuk e ngre.
Pas dënimit, i vura pikë jetës politike, kamë jetuar e internuar në izolim të plotë, me hallet e mia. Nuk kamë zhvilluar asnjë veprimtari kundër Partisë e shtetit dhe nuk kam shkelur ndonjë normë ligjore.
Nuk kamë pasur kontakte me funksionare të ambasadës sovjetike ose të ndonjë ambasade tjetër, as interesime të personave të ndryshëm për mua, ose për Maqon (Pyetjet 20-22).
Vargu i pambarim i fatkeqësive, puna për mbajtjen e familjes dhe sidomos fatkeqësia e tmerrshme e fundit, vdekja e vajzës së vetme, më kanë plakur dhe më kanë shkatërruar shëndetin.
Akuza është e pa drejtë dhe nuk ka asnjë bazë që çështja ime të ngrihet përsëri pas 23 vjetëve, që unë të arrestohem e dënohem.
Fakte dhe prova për këto, nuk ka dhe nuk mund të ketë, përderisa unë nuk kamë bërë gjë kundër Partisë e shtetit, nuk kamë shkelur asnjë normë ligjore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Janë thënë dhe mund të thuhen gjera të ndryshme për mua, si për çdo njeri tjetër, por këto verifikohen, shoshiten. Dhe çështja ime, është shqyrtuar disa herë dhe s’ka mbetur gjë pa u diskutuar.
U shqyrtua gjerësisht pas vetëvrasjes së Nakos, në periudhën e Plenumit të 8-të; atëherë nuk u la gjë pa u thënë kundër meje, Jugosllavët e Koci Xoxja, s’lanë kusur.
Në Plenumin e XI-të e në mbledhjet pas tij, u analizua përsëri çështja ime – u hodhën poshtë gjërat e pa drejta dhe m’u thanë ato që Partia i vlerësoi te drejta.
Pas ngjarjeve të verës 1960 lidhur me mosmarrëveshjet në lëvizjen komuniste, çështja ime u shqyrtua nga Partia dhe shteti dhe u dënova me përjashtim e internim.
Edhe më 1970-ën, pasi i shkrova shokut Enver, çështja ime u muarr në shqyrtim dhe u vendos të më krijoheshin kondita më te lehta dënimi, duke u hequr nga malet e Progonatit, ku ndenja 10 vjet dhe duke u sjell në Cërrik.
Pra, këto fakte të jetës sime, Partia e ka ditur e gjykuar dhe fakte të reja, nuk ka dhe nuk mund te ketë. Prandaj nuk është e drejtë të ngrihet përsëri çështja ime pas 23 vjetësh.
Sigurisht, lufta është e komplikuar dhe për mua siç thashë më lart, unë kamë punuar për kaq vjet nën udhëheqjen direkte të sh. Enver, kamë qenë pranë sh. Nexhmije, që nga fillimi i luftës, kamë luftuar e bashkëpunuar më shumë shokë, që kanë qenë e janë në Udhëheqje të Partisë e të shtetit.
Këta e njohin shumë mirë jetën time e mua, e dinë sa e vendosur kamë qenë, si kamë luftuar e punuar. Fundi, nuk mund të dënohet njeriu me opinione.
Nga ana tjetër, mund të ketë gjera që megjithëse nuk përbëjnë shkelje penale, Partia e shteti i konsiderojnë të dëmshme.
Po këtu, dalim në një fushë tjetër. Marksizmi-leninizmi, na mëson dhe sh. Enver, ka thënë se; çështjet duhet të ndahen, ato që kanë të bëjnë me Partinë, nga ato që duhet të ndiqen administrativisht dhe nga ato që duhen ndjekur në rrugën penale.
Po kështu dhe për atë që çdo gjë ka masë, se nuk duhet tepruar, sepse masa e të unitetit i të kundërtave. Gjatë 23 vjetëve, nuk ka biseduar njeri me mua, nuk më është hequr vërejtja.
Dhe më në fund, siç thashë edhe më lart, unë nuk jam ndonjë rrezik për Partinë dhe shtetin, nuk po u nxjerr ndonjë telash, nuk po bëj ndonjë gjë kundër tyre.
Jetoj si nënë plakë, e helmuar me hallet e mia, krejtësisht e izoluar. Gjate 23 vjetëve, asnjë dëm s’i ka ardhur Partisë e shtetit, nga unë.
SHËNIMI ME SHKRIM DORE I ZV/MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME DHE DREJTORIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT, ZYLYFTAR RAMIZI, NË LETRËN ME PËRGJIGJET E LIRI BELISHOVËS
E poshtër, armike, revizioniste, antiparti, gënjen, për ty kemi fakte të tjera. Memorie.al