BLOG, 10 Prill 2023, 19:00

Ismet Elezi, profesori ynë që jeton në shekullin e dytë të jetës

Ismet Elezi, profesori ynë që jeton në shekullin e dytë
Ismet Elezi

Në 103 vjetorin e lindjes

Profesor Ismet Elezi sot feston datëlindjen e 103-të.
Që prej tre vitesh e ka kapërcyer shekullin e parë dhe po jeton në shekullin e dytë të jetës.

U lind në Fterrën e Labërisë në një familje me kontribute të mëdha atdhetarie, dhe përgjatë gjithë jetës së vet qe edhe mbetet kontributor i madh e vazhdues i denjë i traditës patriotike të familjes dhe Fterrës së tij të dashur.

Ishte partizan që luftoi për lirinë e atdheut, por u bë edhe ndër themeluesit e shkollës shqiptare të jurisprudencës.
Ishte luftëtar me pushkë për çlirimin e atdheut nga pushtuesit, por u bë edhe misionar i dijes dhe shkencës shqiptare.

Pedagog e studiues, doktrinar dhe konstitucionalist me një veprimtari që i kalon tetë dekada, Ismet Elezi ka shënjuar gjurmë referenciale në disa fusha; mbi të gjitha në antropologjinë etnojuridike, së cilës i kushtoi dy veprat e tij të jetës: "E drejta zakonore penale e shqiptarëve" dhe "E drejta zakonore e Labërisë".

Ndër detyrat më të rëndësishme që ka kryer kanë qenë Sekretar Shkencor i lnstitutit të Shkencave, Sekretar Shkencor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Kryetar i Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave (1966-1985).
Ka drejtuar katedrën penale në Fakultetin e Drejtësisë (1957-1990).
Për njëgjysmë shekulli punoi si pedagog dhe është autori i mbi tetëmijë faqeve të botuara.
Profesor që prej vitit 1972, Ismet Elezi është një figurë emblematike e drejtësisë shqiptare jo vetëm si profesor universiteti e formues brezash të tërë juristësh që e kanë admiruar dhe e nderojnë me krenari, por edhe si kontributor i madh në procesin ligjbërës dhe në krijimin e një tradite të vyer të shërbimit në administratën e shtetit.

Puna ma ka dhënë mundësië ta takoj e ta njoh edhe nga afër Profesor Ismet Elezin.
Gjithmonë kam ndjerë tek ai imponimin e njeriut përmes mirësisë së fisniktë dhe madhështisë së thjeshtësisë.
Njeriun nuk e bën të rëndësishëm fakti se sa kohë jeton, por se sa kohën që jeton di ta bëjë të vlefshme përmes gjurmëve që le e vlerave që krijon.
Profesor Ismet Elezi ia dalë që jetën e tij ta bëjë të vlefshme për vete, për familjen, por edhe për popullin dhe vendin.

Ndaj sot, në 103 vjetorin e lindjes, unë uroj që profesori ynë i dashur të jetojë gjatë e më gjatë, me shëndet të mirë e mendje të kthjellët, për gëzim të vet, për gëzim të familjes dhe miqve të shumtë, për gëzim të të gjithë atyre që e duan dhe e nderojnë.