TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Burrdrejtoresha i lyp takim Ramës
Irini Shehu, ishte deri dy javë më parë drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër, por pasi shefi i financës, Shaban Uklala, e denoncoi se i çau ballin me shishe, u largua nga posti.
Irini u mbulua me sharje dhe akuza, si militante e tërbuar e PS-së, edhe pse më parë ka qenë me PD-në, madje edhe kandidate për deputete në 2021. Tani paska edhe disa burra, çuditërisht, që po thonë se është treguar tamam burrneshë veriu, meqë paska goditur një burrë, kur historia e Shqipërisë është e mbushur vetëm me raste të kundërta.
Tani Irini nuk është më drejtoreshë spitali, por partinë e ka me vete, kudo që shkon, edhe në celular. Ndaj i kërkoi takim publikisht Ramës që të bisedojnë shtruar për kandidaturat e qarkut të Dibrës.
“Zoti kryeministër po të kërkoj një takim publikisht sa i takon 48 orëve të fundit të vendosjes së emrave të listës së kandidatëve të Dibrës, shumë i vlefshëm sa takon rezultatit të pritshëm të Partisë Socialiste”- shkroi Irini dy ditë më parë.
Në zgjedhjet e shkuara parlamentare rezultati PS-PD ishte 2-3, ndaj dhe Rama caktoi pas largimit të Belinda Ballukut dhe të Blendi Gonxhjas, sekretarin e përgjigjthshëm të PS-së, Blendi Klosi në këtë qark kaq problematik, të njohur për “tërmetin” e vitit 2016 në zgjedhjet vendore, dosjen “339” dhe së fundi edhe për burrdrejtoreshën që mbeti pa takuar Ramën.
Dashnori mbeti jashtë liste
Dashnor Sula e plasi “bombën”, pas Petro Koçit nga kampi i PS-së. Sot deklaroi shuuuumë i zemëruar se nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit nga Berisha, sepse është SPAK-ist.
“Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.” tha ai.
Ish-prokurori që ka qenë shpeshherë deputet i PD-së, edhe kur dilte me patllake në tribunën e fushës së Peqinit, në fakt doli i pari në Primaret që vetë Berisha i bëri dy javë më parë dhe demokratët e Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshit dhe Belshit e nxorrën më të votuarin.
Pastaj renditi rastet ku luffoi si opozitar në kuvend kur vishej me të bardha, tufën gjigande të preshit në krahun e djathtë dhe një format A4 ku shkruhej AZHBR në dorën e majtë për të sulmuar politikat klienteliste të Ministrisë së Bujqësisë. Apo kur vishej me xhaketën e stampuar me dollarin dhe trifletëshin e kanabisit për të ironizuar bastet online.
Por të gjithave u dha shkelmin, nëse siç thotë mbështeti SPAK-un, atë që Berisha dhe Flamuri i thonë SKAP-i i partisë.
Një lamtumirë e trishtë për Dashnorin që thotë se “kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë”.
Sa për punë, Dashit çfarë nuk i vjen doresh. Do të jetë edhe kamarier te lokali i vet, siç ka dalë disa herë në video, për të treguar se puna nuk është turp.