TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditari i 11 majit, 60 ditë nga dita e zgjedhjeve parlamentare, do t’i kushtohet shëndetit të kryeministrit dhe të atyre që e ndjekin, sepse po pompon me të madhe “agjërimin” 24 e më shumë orësh për të pastruar trupin, mendjen etj.
E tha sot, pasi dha lajmin e stërmadh se tuneli i Murrizit, që është bërë prej vitesh si Kalaja e Rozafës, në rrugën e florinjtë dykalimëshe, të quajtur Rruga e Arbrit, e cila ka gëlltitur gati gjysëm miliardë euro të shqiptarëve, do të hapet nesër dhe nuk do të ketë tra, kaloi te vera 33 mijë euroshe që Ben Ahmetaj e akuzoi se pi dhe te detoksifikimet e rënda me nga 10 mijë euro fundjava që bëka në Italinë e Veriut.
Pasi i mohoi këto më sipër, kaloi te detoksifikimi me zero kosto, duke ndenjur fare pa ngrënë.
Duke folur online “Sy m’sy’ me shqiptarët, Rama hoqi kostumin e kryemininistrit dhe u vesh si nutricionist, për të shpjeguar atë që deklaroi pak ditë më parë se qëndron 2 ditë pa ngrënë.
Tha kryeministri Edi Rama: “Pashë që ishin marrë shumë me atë që thashë unë lidhur me mosngrënien, po është habi e madhe. Nuk thashë që nuk ha bukë dy ditë se nuk kam çfarë ha, dhe nuk e thashë për t’u dukur sikur jam një njeri pa bukë, prandaj mos kujtoni se bëj këto gjëra që ju them për mua.
Nuk e kisha në atë sens, por këneta kënetë e keni parasysh”.
Pastaj e vazhdoi nutricionisti Edi Rama: “Desha të them që e bëj këtë gjë për arsye komplet tjetër, për arsye se agjërimi, jo si besimtar, por për t’u kujdesur për mendjen në radhë të parë, pastaj edhe për trupin sepse mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, dhe për të lehtësuar veten nga ngarkesa, është një metodë dem baba dem, nuk është një gjë që lidhet thjesht me besimin. Abstenimi nga ushqimi, duke konsumuar ujë natyrisht, çaj ose pije pa kalori, bën që të fillojë një pastrim i qelizave dhe të rritet qartësia mendore. Në këtë mënyrë efekt tjetër është edhe mbajtja në një farë mënyre në kontroll e peshës.
Por kujt ti flasësh?! 48 orëshi është akoma më mirë sepse thellon pastrimin. Më i forti dhe më efektivi është treditori. Unë dy-tre herë e kam bërë, sepse është i fortë, edhe për shkak të detyrës është e vështirë për t’i thënë dikujt që s’mundem, por sjell ndryshime të mëdha në fiziologji, provokon humbje të konsiderueshme të yndyrës, ka efekt të madh në sistemin imunitar, mbi zorrën, janë të gjitha gjëra që i kam studiuar si sportist i kahershëm. Fillova të ndjej ngarkesat, por e bëj rrallë këtë gjë”.
Këtu duhet të nisë shqetësimi publik për njeriun që prej të paktën vitit 2017 ka edhe timonin edhe tepsinë e Shqipërisë, sepse kjo puna e agjërimit nuk është “bukë dhe djathë”, por një ekulibër delikat mes shëndetit fizik, mendor dhe mirëqenies.
I ashtuquajturi agjërim 24-orësh po popullarizohet në botë. “Healthline”, pjesë e kompanisë RVO Health, që këshillon online të paktën 100 milionë njerëz në mbarë botën për të jetuar më mirë dhe më gjatë, thotë se gjatë 24 orëshit të agjërimit lejohen vetëm pijet me kalori neutrale dhe më pas personi është i lirë të kthehet në dietën e zakonshme.
Çfarë ndodh kur nuk hamë për 24 orë?
Përveç humbjes së kilogramëve të tepërt, agjërimi 24 orësh mund të ketë efekt pozitiv në metabolizmin dhe shëndetin kardiovaskular. Por kjo lloj diete mund të shkaktojë ndjenjën e urisë së madhe dhe të çojë në komplikime të padëshiruara te personat me kushte të caktuara shëndetësore.
Trupi i njeriut i shfaq reagimet e para pas tetë orësh mosngrënieje. Pas kësaj periudhe përdor yndyrnat e ruajtura për të marrë energjinë që nevojitet për funksionimin e përditshëm. Dietologët theksojnë se çdo agjërim më i gjatë se 24 orë mund të bëjë që trupi të fillojë të përdorë proteinat e ruajtura për energji.
Ndryshimet pozitive janë: humbje peshe, ulje e kolesterolit, duke ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës, reduktimi i proceseve inflamatore në trup duke reduktuar rrezikun e disa llojeve të kancerit, duke inkurajuar një ndjenjë kontrolli mbi të ngrënit, apo uljen e sheqerit në gjak.
Poooor. Nëse e bëjmë shpesh këtë lloj agjërimi, ai mund të çojë në efekte anësore si uria dhe nervozizmi, mungesa e lëndëve ushqyese në trup, humbja e energjisë, rritja e rrezikut të aritmisë dhe hipoglicemisë dhe vështirësi në përqendrim ose në kujtesë.
Për më tepër reagimi i trupit ndaj mungesës së papritur ushqimore mund të pasohet me disa probleme të tjera:
Mund të shtosh në peshë, sepse në rastet e mungesës së ushqimit, trupi aktivizon “modalitetin e urisë” dhe rezervon të gjithë ushqimin që konsumon, në këtë mënyrë, do ta kesh atë për më vonë kur të kesh nevojë më shumë. Në thelb ngadalëson metabolizmin tën. Si përfundim, prodhimi i kortizolit (hormoni i stresit) rritet, dhe kjo bën që të ruash yndyrë; Niveli i sheqerit në gjak mund të bëhet i paqëndrueshëm, sepse, periudhat e gjata pa ngrënë zakonisht çojnë në nivele të paqëndrueshme të sheqerit në gjak. Hipoglicemia (sheqeri jashtëzakonisht i ulët në gjak) shkaktohet shpesh nga agjërimi, veçanërisht nëse keni diabet të tipit 2. Më vonë, mund të vuash nga tensioni i muskujve që prodhon dhimbje koke.
Përfundimi:
Ka më shumë dëme se përfitime, prandaj nutricionistët janë të rezervuar për agjërimin 24 orë e më tepër, në emër të vrasjes së qelizave kancerogjene, sepse mund të vrasësh veten dhe kjo është e rrezikshme kur propagandohet nga një kryeministër. Pikësëpari duhet të shqetësohemi për shëndetin e timonierit të Shqipërisë që e ka deklaruar publikisht se vuante nga hernia, nga astma dhe kushedi nga çfarë sëmundje tjetër që nuk na e ka treguar dhe pastaj edhe të atyre që e ndjekin kryeministrin si guruja e tyre shpirtërore dhe fizike.