TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Maqedonasi trokë i Ramës
Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian u largua nga koalicioni “Shqipëria Madhështore” e Berishës në orët e fundit të regjistrimit të koalicioneve dhe fap shkoi te lista e Ramës. Doktori nuk u mërzit shumë edhe pse foli rëndshëm për ish-aleatin madhështor: “Sa është i vjetër njeriu është edhe tradhtia”.
Kryetari i minoritarëve maqedonas, Vasil Sterjovski, iu drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me kërkesën për për largim, duke kërkuar çregjistrimin e emrit të partisë nga koalicioni “madhështor”.
Sterjovski nuk tha më gjatë, por dihet se Doktori e la jashtë liste dhe ai shkoi te Rama dhe Peleshi që e futën direkt. Por mos të shqetësohen hiç. Doktori nuk ka humbur gjë, dhe Rama nuk ka se ç’të fitojë. Të paktën nëse i besohet atyre që deklarojnë vetë minoritarët maqedonas në KQZ se janë trokë fare. Në raportet e auditit që dorëzojnë në KQZ partitë, Raporti vjetor financiar i Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian për vitin 2023, është mbushur vetëm me zero dhe shyqyr që Sterjovski ka firmosur sa për të patur aty ca germa.
Minoriteti mirë që thotë se nuk ka asgjë për be, por tani nuk ka as njerëz, pra votues. Sipas rezultateve të Censit 2023, në Shqipëri ka 2281 minoritarë maqedonas, ndërkohë që në 2011 ishin deklaruar 5512 minoritarë maqedonas. Pra Doktor nuk ke humbur asgjë. Madje ke fituar se Sterjovski mund edhe të të kërkonte ndonjë lek për fushatë, gjobë që do ta paguajë tani Niko korçari.
Lotët dhe votat e Joridës
Gojët e liga thonë se Jorida Tabaku ka dalë me lotë në sy nga zyra e Doktorit pasi i ka thënë se nuk do të ishte në listën e sigurtë, si Belo, djali i Fahriut e të tjerë. Kishte shkuar e ngrefosur nga shifrat që kishte marrë në Primare si femra më e votuar në Tiranë, edhe pse i pari i shtëpisë së demokratëve kishte plane të tjera.
Ndryshe, nëpër banaqe televizive, hiq TPZ-në, ku nuk vjen për arsyet që rrezik as vetë nuk i di, (edhe pse lajmet ngulmon t’i ketë në portalin tpz.al), shprehej se nuk ishte surprizë për të, pasi ishte një proces që është diskutuar dhe analizuar me kohë, por shtonte se ishte qejfprishur.
“E meritoja të isha në listën e mbyllur dhe e thashë këtë në mënyrë të thjeshtë dhe të sinqertë. Por PD mendon se jam aq e fortë sa mund të fitoj në listën e hapur”.
Jorida është e bindur se do të jetë fituese në garën për deputete të PD-së dhe se do ta çojë deri në fund këtë betejë politike, duke u angazhuar për qytetarët dhe për forcimin e PD-së në të ardhmen.
Po sa reale janë ambiciet e Joridës për t’ia dalë vetë?
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 25 prillit 2021, Jorida mori 5936 në qarkun e Tiranës. Pas katër vitesh Qarku i Tiranës do të ketë këtë herë 37 mandate, ku secila nga partitë garon në listën e mbyllur 12 kandidatë dhe në listën e hapur, 37 kandidatë. Nëse një parti fiton 12 mandate, të gjithë kandidatët e listës së saj të mbyllur hyjnë në parlament.
Nëse bëjmë thjesht llogaritë e kaluara, Jorida do ta ketë pak të vështirë të dalë deputete. Në vitin 2021, nga radhët e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e theu herësin duke siguruar mandatin në Kuvend, pasi mori 11067 vota.
Nga kampi i PS-së asokohe e thyen herësin në Tiranë Fatmir Xhafaj me 16738 vota dhe djali i Qifes me 15697 vota. Jorida do t’ia arrijë nëse do të dy-trefishojë votat në Tiranë, por meqë thotë me krenari se përfaqëson dy familje të nderuara tironse, Tabaku dhe Turdiu, këtu pas 4 viteve janë shtuar të ardhurit nga rrethet dhe të huajt, por jo vendalinjtë, aq sa t’i japin një mandat të njomur me lotë Joridës.