TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rama VS Berisha në TikTok
Opozita protestoi sot përpara selisë së qeverisë kundër planeve të qeverisë së Ramës për të mbyllur TikTok në Shqipëri për një vit.
Të rinjve të FRPD-së iu bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Gjëja që urreja më shumë ishte censura; nuk mund ta pranoj dhe nuk do ta lejoj që fëmijët tanë të përjetojnë sot të njëjtën dhunë ndaj lirisë së fjalës”- shkroi ai në Facebook përpara nisjes së protestës që u shty me dy orë.
Më 23 dhjetor 2024, Berisha deklaronte se Rama e bënte këtë për të censuruar opozitën:
“Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet.
Ja ku e keni. Është pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën”, shprehej Berisha 3 muaj më parë.
Po sa humbet vërtetë Berisha dhe opozita dhe si fiton Rama nga mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri?
Berisha e publikoi videon e parë më 13 tetor 2022 nga zyra e tij duke u shprehur se teknologjia është e do të mbetet një pasion i tij.
Pas gati tre vitesh, në profilin e tij zyrtar në TikTok, Sali Berisha ka 75200 ndjekës dhe 1.4 milionë pëlqime. Nga ana tjetër kryeministri Rama ka ofro dyfishin, 138 mijë ndjekës, dhe 2.1 milionë pëlqime.
Në përgjithësi videot e Berishës nuk i kalon 1 mijë shikime, kurse një video rutinë e Ramës shkon e pakta 100 mijë shikime.
Në Shqipëri, sipas vlerësimeve, rreth 30% e përdoruesve të TikTok janë nga mosha 13-27 vjeç, që ose nuk kanë mbushur moshën për të votuar, ose nuk duan, edhe pse kanë të drejtë vote, dhe mbi 25 % e përdoruesve janë nga mosha 27-45 vjeç, që nuk besohet se ndikohen nga TikTok për të votuar këtë apo atë.
Ndaj, nëse do të kishte të humbur në këtë vend nga mbyllja e TikTok, nga ana elektorale, padyshim do të ishte Rama, por edhe ai ia ka varur fare TikTok-ut, se ka harruar të postojë prej muajsh.
Por, ama, protesta e sotme me 200 vetë kundër mbylljes së TikTok-ut, do të mbetet në historinë e mitingjeve në Shqipëri dhe Ballkan. Sidomos kur e krahason me protestën madhështore të mbi 104 mijë njerëzve që kanë paralizuar Beogradin prej mëngjesit, duke luftuar për një kauzë të madhe: largimin e autokratit Vuçiç nga pushteti prej gati 8 vitesh si president dhe në politikë prej kur ishte gjallë Milosheviçi, ndërsa në Tiranë për një aplikacion që ka çuar në vetëvrasje disa gra, ka çmendur të gjithë të miturit dhe ka bërë milionerë bullizuesit, perversët dhe mashtruesit.
TikTok-u një mujor i Nokës
Në mintingun e PD-së kundër mbylljes së TikTok-ut ku ka 4 policë për çdo protestues, foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka:
“Rama ka panik nga fjala e lirë. Komisioni i censurës me në krye Braçen këtë qëllim kishte. TikTok-u është aplikacioni më i pakontrolluar nga qeveria ku i çirret maska Ramës. Meqë dështoi me komisionin po përpiqet të bëjë censurën e TikTok-ut. Do të ngelet në histori si armik i fjalës së lirë dhe shqiptarëve”, tha ai.
Nga mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri për një vit do të preket edhe vetë Flamuri. I ftuar në TPZ 10 ditë më parë, kur u pyet nga Ylli Rakipi, Flamuri tha se kishte TikTok, që e hapi një muaj më parë dhe Rakipi ia ktheu me batutë po pse ti tani që do ta mbyllë Edi Rama e hape?!.
Ai ka një llogari modeste me 3688 ndjekës dhe 40600 përlqime. Postimi parafundit i tij, 4 ditë më parë, ku jepte lajmërimin për protestën e sotme, ka marrë vetëm 114 shikime, plus një timen sonte, ndërsa ai fundit, me një slideshow fotosh për 1 majin ka marrë deri tani 2703 shikime: të gjitha shumë pak për një aplikacion ku luhet me videot virale që marrin qindra mijëra shikime. Pra Flamuri nuk dëmtohet nga mbyllja e TikTok-ut ku është mysafir prej një muaji dhe ky është lajm lehtësues për opozitën.
Shembujt e Doktorit dhe të Flamurit tregojnë se opozita nuk ka popullaritet më shumë se qeveria dhe socialistët në TikTok. Por ata ngulmojnë te shifrat e tyre. Sipas PD-së, postimet dhe audienca e tyre në TikTok është shumë më e lartë se e PS, përkatësisht PD: 47.92% dhe PS: 39.17%. Nga postimet PD: 55.39% dhe PS: 35.81%.
Dhe janë të bindur për këtë.
Megjithatë Rama po punon për ta. Nëse humbasin sërish zgjedhjet, më 11 maj, do të kenë se si të gjejnë alibinë e radhës, që përveç vjedhjes dhe blerjes së votës nga qeveria, ishte edhe mbyllja e TikTok-ut, ku ata dilnin të fituar ndaj PS-së.