BLOG, 20 Mars 2025, 17:57

DITARI I 11 MAJIT (-53 ditë)/ Fushata veshje-zhveshje nga qelia te kryeministria për drejtueset e bashkisë

DITARI I 11 MAJIT (-53 ditë)/ Fushata veshje-zhveshje nga qelia te
Halili, Ristani dhe Goxhaj

Njëri në qeli, tjetri në kryeministri, Erion Veliaj dhe Edi Rama, në 24 orët e fundit, u morën me nënkryetaret bashkisë, një vish dhe tjetri zhvish nga posti i drejtuesit të komanduar, meqë kryetari është në paraburgimin e Durrësit prej mëse një muaji.

Pas arresimit të Veliajt, në krye të Bashkisë Tiranë me dakordësinë e Ramës si kryetare e komanduar u vendos Anuela Ristani. Ajo ishte në këto 4 javë një hap pas kryeministrit që u vesh edhe kryebashkiak nga halli, duke mbledhur 7 mijë punonjës në sheshin “Nënë Tereza”, inspektuar punët e pambaruara dhe dhënë kurajo partisë së vet në bashkinë më të madhe të qarkut që nxjerr 37 deputetë për zgjedhjet e ardhshme të 17 majit. Por siç duket Ristani në këto 4 javë ka treguar se nuk plotëson kriteret e Veliajt për ta zëvendësuar dhe më 18 mars nga qelia e paraburgimit firmosi dokumentin që ia delegon detyrat e tij Sara Goxhajt, njërës prej 5 nënkryetarve që ka bashkia.

Por nuk ka qenë dakord kryeministri, që ka urdhëruar të shkarkohet Goxhaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi, që ishte dy ditë më parë edhe në SPAK. Pa humbur kohë, në vend të Dokushit, Rama ka emëruar Jonida Halilin në këtë post, njëra prej zv/kryetareve të Bashkisë.

Zonjat e reja të veshura nga Veliaj dhe Rama, nuk janë pa rekorde, si shumica e zyrtarëve të bashkisë dhe më gjerë.

Pak muaj më parë, Sara Goxhaj u denoncua nga Partia Demokratike se ka blerë një apartament në zonën pranë TEG me një cmim shumë më të ulët se vlera reale, nga ndërtuesi Shkëlqim Fusha, edhe ky në masën “detyrim paraqitje” në çështjen “Veliaj-Xoxa”, bashkë me 4 biznesmenë të tjerë, që sipas shkresave ia ka dhënë me një çmim rreth 860 euro metrin katrorë, gati dy herë më pak se çfarë kushtojnë sot apartamentet në Astir. Madje PD tha se ka dyshime se kontrata për blerjen e nënshkruar mes Goxhaj dhe Shkëlqim Fushës është fiktive dhe premtoi se do të çonte çështjen në SPAK.

Ndërsa Jonida Halili është akuzuar nga opozita si pika kyçe e Bashkisë Tiranë, në përllogaritje e të ardhurave që duhet të përfitonte koncesioni korruptiv i Inceneratorit të Tiranës.

Kryedenoncuesi demokrat i skandaleve të bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, shprehej për Halilin:

“Shtetasja Jonida Halili, e cituar me këtë titull nga vetë Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani, në relacionin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të ish zv. KM Arben Ahmetaj, figuron si pika kyçe e Bashkisë Tiranë, në përllogaritjen e të ardhurave që duhet të përfitonte koncensioni korruptiv i Inceneratorit fantazmë të Tiranes. Në muajin maj të vitit 2018, Jonida Halili i dërgon një e-mail Taulant Tushes, drejtorit të bërë tashmë kurban nga Erion Veliaj.

Në këtë e-mail janë përllogaritjet e parave të koncensionarit dhe ky e-mail përfundon nga Taulant Tusha, tek vetë Klodian Zoto. Fakt ky i cituar nga Altin Dumani, por i fshehur nga prokurori Dritan Prençi në dosjen hetimore të Tiranës.

Kjo shtetase jo vetëm që nuk merret në pyetje apo nën hetim nga SPAK, por në një akt karshillëku dhe tallje ndaj organit të akuzës, emërohet tashmë si numri 2 i Bashkisë Tiranë"- denonconte Këlliçi pak kohë më parë.

Gjithsesi si Goxhaj, nuk e gëzoi dot postin e ri, pasi veliaj dha urdhër sot që të rikthehej Ristani. Kjo e fundit dhe Halili nga sot janë në krye të bashkisë së Tiranës, deri kur të rinisë fushata Veliaj-Rama e veshje-zhveshjeve nga posti.