TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bashkia e Tiranës kaloi tre ditët e kiametit më të fundit, pas një urdhëri të kryetarit të burgosur, Veliaj, për të shkarkuar kryetaren e deleguar, Anuela Ristani dhe për të vendosur në vend të saj, Sara Goxhajn. Por çudia më e madhe tre ditë ditë zgjat. Sot Ristani është sërish në zyrën e saj, madje edhe duke u ankuar se mediat kanë shpifur, se gjoja krisma nuk ka patur, edhe pse gjylja e madhe e nisur nga qelia e paraburgimit në Durrës plasi në bashkinë e Tiranës.
“Në Bashkinë e Tiranës nuk është zënë askush me “gishta në vesh”, ndërsa keqkuptimi i krijuar nga pamundësia e komunikimit normal nuk ka asnjë lidhje nga fishekzjarrët mediatikë të ditës së sotme”- shprehej dje Ristani.
Ristani thotë se nuk ka patur krisma, por ja që ka shkresa, me firmë dhe me vulë si dhe një kronologji ngjarjesh ku ajo ka edhe rol protagonist.
18 mars 2025
Erion Veliaj, përmes një shkrese të firmosur nga qelia e paraburgimit, shkarkoi nga detyra Anuela Ristanin dhe në vend të saj emëroi Sara Goxhaj, ish-shefen e kabinetit të tij.
“Znj, Sara Goxhaj, Nën/kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë. Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit për qytetarët për zbatimin e këtij urdhri”, thuhej në dokument.
Kjo shkresë revoltoi Ramën, i cili shkoi natën në Bashki dhe më pas detyroi Veliajn të tërhiqej nga ky vendim. Ai përzuri edhe Sara Goxhajn, edhe Alban Dokushin, nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, duke emëruar Jonida Halilin.
20 mars 2025
Kryebashkiaku u tërhoq dje pasdite, duke lënë në fuqi urdhrin e mëparshëm që i delegonte kompetencat Anuela Ristanit, teksa vendimin e 18 Marsit e konsideroi si një keqkuptim.
“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm”,-shkroi Veliaj, duke treguar tërheqje totale.
Pastaj ishte radha e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranë, Anuela Ristani, që ka pas Ramën. Ajo firmosi shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi dhe të nënkryetares Sara Goxhaj, dy njerëzve më të besuar të Erion Veliajt. Në vend të Alban Dokushit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm është emëruar Jonida Halili. Këto ndryshime u raportuan që një ditë më parë nga mediat, të cilat ishin urdhëruar nga Edi Rama, pas përplasjeve që pati në Bashkinë e Tiranës me Dokushin dhe Goxhaj.
Alban Dokushi është një nga njerëzit më të afërt të Erion Veliajt dhe ishte i pari që e vizitoi në qelinë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë te “Mine Peza”, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt. Gjithashtu, Dokushi e ka shoqëruar Veliajn në SPAK edhe kur dëshmoi herën e parë.
Pasi Erion Veliaj përfundoi në qeli, Edi Rama ka shkuar disa herë në Bashkinë e Tiranës, ku ka zhvilluar takime me stafin, bëri edhe një miting në sheshin “Skënderbej” dhe me gati 7 mijë punonjës të Bashkisë dhe institucioneve në varësi të saj.
Në Asamblenë e Partisë Socialiste për Tiranën, pas arrestimit të Veliajt, Rama deklaroi se do jetë vetë kryetar bashkie në distancë, edhe pse kjo cënon hapur pavarësinë e institucioneve vendore.
“Po na godasin për arsye elektorale. Kjo është një goditje e madhe për PS. Unë do të jem edhe kryetar bashkie. Do të takoj të gjithë drejtorët e përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.” – ka deklaronte Rama. Dhe është, përmes Anuela Ristanit.