TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Elisa Spiropali, që po bën fushatë fuqishëm në Kavajë dhe Rrogozhinë për zgjedhjet e 11 majit, paska takuar sot ish-Presidentin Alfred Moisiu dhe më pas ndau edhe lajmin e madh dhe premtimin gjigand se do të bëhet realitet kërkesa e 95-vjeçarit për ngritjen e një muzeu në Kavajë në nder të Aleksandër Moisiut, qytetin e origjinës së këtij artisti të shquar, për të nderuar jetën dhe krijimtarinë e tij.
“Në Kavajën bujare e krenare, një kafe me të urtin, Presidentin Alfred Moisiu, figurë emblematike dhe të respektuar, jo vetëm për qytetin, por për mbarë Shqipërinë. Në vitin e Aleksandër Moisiut, artistit të madh që lidh kulturën shqiptare me atë austriake dhe botërore, do të bëjmë realitet kërkesën e Presidentit Moisiu për ngritjen e një muzeu në Kavajë, qytetin e origjinës së këtij artisti të shquar, për të nderuar jetën dhe krijimtarinë e tij”, shkroi Elisa në profilin e saj në Facebook, bashkë me fotot krah ish-presidentit.
Alfred Moisiu që shërbeu si presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitet 2002-2007, prej vitesh ka ngritur një fondacion me të njëjtin mbiemër dhe objektivi kryesor i tij është ngritja e muzeut “Aleksandër Moisiu” në qendër të Kavajës për ta njohur këtë figurë të madhe, me origjinë shqiptare tek brezat e rinj dhe duke e kthyer atë në një shkolle edukimi, kulture dhe arti, të artit dhe kulturës shqiptare dhe evropiane.
95-vjeçari është i afërm i aktorit të madh shqiptar. Babai i Aleksandrit, Kostandin Moisiu ishte i biri i Themistokliut nga Kavaja dhe ky i fundit, përveç Kostandinit kishte edhe djalin tjetër, Grigorin, nga i cili rrjedh dega e pjesës tjetër të Moisive të Kavajës pra edhe ish-presidenti.
Shqipëria e ka vlerësuar shumë Aleksandër Moisiun. Vetëm në Durrës institucionet më të rëndësishme kanë emrin e tij. Dhe sa për dijeni të Elisës, është edhe një shtëpi-muze në qytetin bregdetar, që është pjesë e rëndësishme e "Muzeut Etnografik" të Durrësit.
Muzeu prej gati 80 vitesh ndodhet në lagjen nr 1, në qendrën historike të qytetit të Durrësit, në një ndërtesë të bukur që është shpallur Monument Kulture. Shtëpia karakteristike qytetare dy-katëshe është e trajtuar me çardak dhe ka vlera historike sepse këtu ka kaluar fëmijërinë e tij, aktori ynë i madh i skenave botërore, Aleksandër Moisiu.
Godina ka një pus të vjetër në oborr, shkallë të drunjta dhe zbukurime dhe, përveç shtëpisë së Moisiut, është muze për kulturën popullore të trevës së Durrësit, me kostumet popullore, stolitë e grave, minderet, mënyra e organizimit të odave, sofra e ushqimit me enët tipike të kohës, qëndismat, etj.
Problemi është se kjo ndërtesë kohët e fundit më shumë ka qëndruar e mbyllur se e hapur për t’i njohur vizitorët vendas dhe të huaj me fëmijërinë e Moisiut të madh, siç po ndodh me shumicën e muzeve, që thuhet se janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Atje në vend të vizitorëve, ka skela, llaç dhe punëtorë. Prej qershorit 2024, ndërtesa i është nënshtruar ndërhyrjeve të restaurimit si pjesë e programit "EU4Culture" që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Dhe punimet do të zgjasin edhe pak, deri kur ta vendosë bashkia ta rihapë sërish muzeun.
Pra, e dashur Elisa, muzeu është dhe, le të hapet ky që është prej dekadash, pastaj merre me nge atë muzeun tjetër në Kavajë, se pret me durim 95-vjeçari Alfred Moisiu.