BLOG, 23 Mars 2025, 13:41

DITARI I 11 MAJIT (-50 ditë)/ Rama zbulon dy shtrigat që do të shqyejnë dyert e PS-së në Vlorë

DITARI I 11 MAJIT (-50 ditë)/ Rama zbulon dy shtrigat që do të
Zamira Sinaj dhe Erjona Ismaili

Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh po qëndron në Vlorë. Jo për plazh se është deti disa ballë as aq edhe tragetet kanë ndërprerë lundrimin, por për të prezantuar “trenin” e kandidatëve të PS-së, për t’u tallur pak me tramin e Lul Bashës, për të provokuar partinë e Doktorit se mbrëmë paska patur takim të ngrohtë “përtej të majtës dhe të djathtës” me 100 të rinj të FRPD-së dhe për të paralajmëruar bizneset se gjatë sezonit veror duhet të deklarojnë të gjithë shtretërit, ndryshe do të vijnë taksidarët, edhe pse dihet botërisht prej dekadash, se taksidarët vijnë, por marrin atë pagesën nën dorë dhe ngrënien dhe akomodimin qyl dhe ta bëjnë biznesin me 200 shtretër si garsonerë.

Sot u vesh fiks si vlonjat që të dashurës i thotë qëne, e që dashurinë ta shpreh me dhunë. Duke  prezantuar dy kandidatet për deputete të PS-së në Vlorë, Zamira Sinaj dhe Erjona Ismaili, Rama tha se do ato do të jenë “2 shtrigat” që të punojnë për hapjen e PS-së.

Pasi u bëri dush të ftohtë deputetëve aktualë të PS-së, për të cilët tha se nuk i kanë qëndruar sa duhet afër komunitetit vlonjat, kryetari i PS-së tha se kjo ishte edhe arsyeja që thuajse e gjithë lista e mbyllur e kandidatëve të PS në Vlorë të ndryshojë, duke lënë në krye të listës së mbyllur të qarkut Vlorë, Bledi Çuçin, pastaj dy “shtrigat” Zamira Sina dhe Erjona Ismaili, e më pas, Pirro Vengun ministër i Mbrojtjes dhe në fund të listës së hapur “babain” e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri.

“Ne na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës. Deputet që përtej faktit që nga pikëpamja personale, unë i konsideroj miq, por që nuk kanë rrezatuar asgjë në raport me atë që duhet të rrezatonin këtu në Vlorë dhe mbi të gjitha që nuk kanë krijuar dot me njerëzit dhe për njerëzit atë sinergji mes të qenit qytetar që ndajnë të njëjtën hapësirë dhe të qenit përfaqësues të tyre, duke iu gjendur pranë, duke iu qarë hallin nëse nuk ua zgjidhin dot, etj.

Për këtë më vjen keq dhe them për të gjithë vlonjatët këtë, sepse çfarë ndodh në këtë qytet dhe si sillemi ne në këtë qytet rrezaton edhe në territoret e tjera. Nuk kam parasysh Damianin këtu, sepse ka shumë angazhime të tjera në Tiranë, por e kam me ata deputetë që duhet të rrinë këtu dhe të angazhohen këtu.

Dua të besoj që nga ata që janë në listën e mbyllur dhe këtu kam parasysh qoftë Erionën, qoftë Zamirën, që dua të besoj që do të jenë pika referimi këtu në qytet për njerëzit dhe do të jenë gjithashtu 2 shtrigat këmbëngulëse për të nxitur hapjen e PS”, tha Rama sot në Vlorë.

Dy “shtrigat” që do të shqyejnë dyert e PS-së Vlorë për prurje të reja, u bënë popullore nga vetë Rama pak kohë më parë.

Zamira Sinaj paska qenë te çadra e Lul Bashës në vitin 2017 dhe pas 8 vitesh e gjen veten kandidate për PS-në në Qarkun e Vlorës dhe njëkohësisht dekane e Fakultetit të Ekonomisë. Gati 10 ditë më parë, në banakun televiziv “Flasim” që Rama e bën përveç qindra punëve të tjera, Sina tregoi arsyet pse pranoi ftesën nga Partia Socialiste, ndonëse vinte si një figurë e angazhuar më parë në Partinë Demokratike.

“Më erdhi ftesa nga Partia Socialiste për të hyrë në një tjetër garë, pas asaj që sapo kisha përfunduar në dekanatin e Vlorës, përballë dy zonjave të nderuara. Ftesa më erdhi krejt papritur, dhe madje bëmë edhe disa batuta me drejtuesin Çuçi, duke qenë se unë vij nga një familje e djathtë, ndërsa ata janë të majtë. I kërkova të ndërmjetësonte që të zëvendësoheshin disa ambiente të universitetit që i kemi me qira. I shkrova një mesazh, por nuk më kthente përgjigje. Më pas më ftoi në zyrë dhe më tha: “O goc, ne kemi fushatën, ti më lodh me mesazhe!”, dhe më bëri ftesën për t’u bërë pjesë e ekipit tuaj.

I thashë: “Po mirë, a e di Kryeministri që unë në 2017 kam bërtitur në çadër që ai të largohej?” Ai më tha: “Zoti Kryeministër nuk e ka fare idenë që po ta bëj këtë ftesë. Unë, si drejtues politik, do të ndërtoj ekipin.”

I kërkova pak kohë për ta menduar dhe më la dy javë. Në fakt, pranova, sepse Partia Socialiste nuk më luftoi në garën për dekane, edhe pse aty kishte kandidatë të majtë – dhe këtë e vlerësova shumë »- shprehej Sina, duke i shpjeguar Ramës se si e kapërceu "ylberin".

Ndërsa Erjona Ismaili, po në të njëjtin banak të Ramës, tha se takimi i tyre ndodhi pas përmbytjes së Vlorës, kur një nga shtëpitë e saj ishte përmbytur për të dytën herë, pas dhjetë vjetësh.

"Ju kam nisur një mesazh, bashkë me një telefonatë, jo shumë korrekte nga ana ime. Pastaj më morët ju në telefon. E kam menduar se biseda do të ishte më e qetë sesa ishte… derisa më bëtë pyetjen e parë: “A e ke shtëpinë e siguruar?” Edhe unë thashë: “Sigalin e di vetë!” dhe biseda zgjati 13 minuta sherr.

Rama: Fjalia që mua më nguli në mendje ishte: “Tjetër thoni dhe tjetër na bëni. Dhe kur vjen puna këtu, të njëjtët njerëz, po kjo histori… dhe askush nuk do të dijë se kush ka merita dhe kush nuk ka merita.” Kjo ishte fjalia që më ngeli në mendje. Në mendje të ngelin ato që të dhëmbin"- shprehej Rama, duke u rrekur të shpjegojë pse e kishte futur në listën e sigurtë ish-gazetaren dhe drejtuesen e një projekti OJF-je.