BLOG, 24 Mars 2025, 11:27

DITARI I 11 MAJIT (-49 ditë)/ Plehrat e Shqipërisë dhe mandati i katërt i Ramës

DITARI I 11 MAJIT (-49 ditë)/ Plehrat e Shqipërisë dhe mandati i

Edi Rama ishte dy ditë në Vlorë. Darkoi me 100 të rinj që tha se ishin të FRPD, të rekrutuar nga Zamira Sinaj, dikur anëtare e PD-së me kryetar Lul Bashën; takoi strukturat e partisë e partisë ku prezantoi dy shtrigat këmbëngulëse Zamirën dhe Erjona Ismailin që do të hapin PS-në e Vlorës, sepse s’ka mbetur këmbë socialisti ndaj le të përlajmë edhe ndonjë demokrat të lëkundur dhe të tunduar nga paraja dhe pushteti, pasi sipas kryetarit, drejtuesit dhe deputetët që ishin e mbajtën të mbyllur; inspektoi Lungomare 3 që do të shkojë deri në Orikum, po që e ka bërë torturë kalimin në të vetmen rrugë kombëtare përgjatë bregdetit; zbuloi edhe Babalen, lokalin e peshkut aty afër dhe bëri një sinkron të shkurtër aty për të tallur b***thën me të shkretin Ervin Salianji që është harruar prej muajsh në burgun e Fierit; mori dhuratë edhe dy bufë prej metali dhe me sytë blu, për të shtrirë logorenë ndaj Berishës, si të vetmin program elektoral që u prezanton shqiptarëve për mandatin e katërt; në mbrëmje takoi sërish të rinjtë e PS-së për të prezantuar kandidatët, duke bërë be e rrufe se vetëm PS-ja dhe ai do ta çojnë vendin në BE dhe ku u mor sërish me shtrigat, të vjetrën Bruna Mersini që ia ka parë hajrin partisë dhe pushtetit se e ka bërë drejtoreshë spitali dhe sërish Zamirën e çadrës së Lulit dhe ato ato do të jenë në një ekip shtrigash, deri kur të kapen për leshrash. Dhe qershia mbi tortë një dy minutësh dashurie me Lul Bashën në telenovelën idiote “He me Rame, o me Bashe”, me “Agapi mou” dhe “sagapo” nga Vlora në Athinë ku po bënte qejf elektoral kreu i Euroatlantikëve.

Plehrat e Vlorës pëlcitën nga inati pse kryeministri as nuk ua hodhi sytë. Natën vonë, ndërsa lideri gjithëpunëbërës ia mbathi për në Sarandë, ato morën flakë me zemërim. Era e fortë e shpërndau zjarrin dhe tymin mbi gjithë Vlorën turistike, aq sa desh u dogjën edhe shtëpitë aty afër.

Zjarrfikësit shkuan sërish te fusha e mbetjeve, siç kanë bërë tërë këto vite, dimër dhe verë dhe thanë se më mirë se ta shuajmë me ujin që nuk e kanë, ta mbysin zjarrin me dhe.

Sot, kur Rama është në Sarandë, për të shpërdarë edhe atje vizionin e madhërishëm të qeverisjes së tij 12-vjeçare që mëton ta shtyjë edhe për 4 vite, me kërcënime ndaj biznesit hotelier se do t’u çojë taksidarët po nuk treguan sa shtretër kanë patur gjatë sezonit, se partia duhet të hapet dhe se deputetët duhet të jenë të popullit dhe jo të PS-së, tymi toksik ka mbulur gjithë Vlorën e bukur dhe pa zot shtëpie.

 Specialistët e gjorë prej vitesh thonë se shpëtim për Vlorën është largimi i mbetjeve drejt landfillit të Sherishtës.

Për këtë vepër, më 5 Dhjetor 2016, ishte nënshkruar edhe marrëveshja për financimin e projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës gjermane KFW, me një kredi në vlerën 12.5 milionë euro dhe dy grante në vlerat 7.5 dhe 1.3 milionë euro.

Më datë 12 Qershor 2020, u shpall fituesi që ishte bashkimi i kompanive JV Bulfaro SPA dhe Integrated Technology Services shpk, përmes një tenderi fiktiv, sepse vlera e kontratës së lidhur 2 muaj para se të shpallej fituesi ishte 9.8 milionë euro dhe kohëzgjatja e ekzekutimit të kontratës ishte 1.5 vite ose deri në tetor 2021.

Në datën 27 Prill 2020 u lidh kontrata nr.3313 me JV ITS & Bulfaro spa. Në zbatim të saj, nga data 28 korrik 2020 deri më 7 janar 2023, ITS e famëkeqit Klodian Zoto u pagua 2.4 milionë euro, edhe pse kjo kompani u vendos nën sekuestro preventive nga GJKKO që më 13 Dhjetor 2021, por pagesat u ndërprenë vetëm më 7 Janar 2023.

Bashkia e Vlorës do të duhej të depozitonte mbetjet në landfillin e ri të Sherishtës që në tetor 2021, por ai vijon të jetë jashtë funksioni, ndërsa banorët dhe turistët dënden nga qeveria e Ramës me tym toksik.

E njëjta histori është edhe në Elbasan, ku inceneratori është një grumbull hekurishtesh dhe plehrat digjen në Bradashesh për ta shpërndarë tymin toksik anembanë Elbasan i bukur Elbasan, dhe i njëjti fat e pret edhe Tiranën, sepse landfilli i Sharrës i ka ezauruar kapacitetet, pra s’ka më vend për plehra, siç thotë kompania nën administrim shtetëror, dhe pse të mos ia vënë flakën edhe këtu si në Vlorë dhe Elbasan.

Po Rama?

Në programi e parë të qeverisë që nisi të drejtojë në vitet 2013-2017 kishte dhe një seksion për trajtimin e mbetjeve ku premtohej:

“Do të krijojmë e zbatojmë standarde të reja në administrimin dhe menaxhimin e intergruar të mbetjeve urbane, duke përdorur mekanizma ekonomikë për të stimuluar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, duke vendosur një partneritet sërish të ngushtë privat-publik. Do të bashkëpunojmë ngushtë me pushtetin vendor, duke e mbështetur në këtë proces. Do të ndalojmë importin e mbetjeve. Do të eliminojmë venddepozitimet e mbetjeve që janë buzë lumenjve dhe do të përcaktojmë vende të tjera të përshtatshme për depozitim. Do të pastrohen ne menyre prioritare akset kryesore rrugore nga mbetjet dhe ndotës të tjerë. Do të ndalojmë në mënyrë urgjente zjarret në vendgrumbullimet e plehrave pranë qyteteve. Do të përfundojë hartimi i të gjitha planeve rajonale për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe do të monitorohet zbatimi i tyre Do të nxitim riciklimin e mbetjeve dhe me synim pakësimin e landfilleve e për të mundësuar incinerimin e tyre me qëllim prodhimin e energjisë elektrike”.

DITARI I 11 MAJIT (-49 ditë)/ Plehrat e Shqipërisë dhe mandati i
Programi i qeverisë 2013-2017 për trajtimin e mbetjeve urbane

Sot, pas gati 12 viteve në pushtet lideri ka halle të tjera, më të mëdha dhe më të rëndësishme për kombin, se plehrat, me të cilat do të na çojë në BE deri në 2030-ën: bufi, këneta, trami i Lulit, dashuria me Lulin, shtrigat e Vlorës, vargjet dhe sërish Luli me ritmin e Unikkatilit dhe “Agapi Mou” e “Sagapo” nga Athina në Vlorë dhe Sarandë.