BLOG, 25 Mars 2025, 16:35

DITARI I 11 MAJIT (-48 ditë)/ Ulqini i vuri drurin Mohamed Alabarit, Shqipëria i fali Portin e Durrësit për biznes

DITARI I 11 MAJIT (-48 ditë)/ Ulqini i vuri drurin Mohamed Alabarit,

Arabi Mohamed Alabar prej disa vitesh është lëshuar në Ballkan dhe premton se do të bëjë investime të mëdha si ato në Dubai. Por nuk ia ka arritur të rrëmbejë gjë, përveçe në Shqipëri, ku ka marrë portin e Durrësit, më të madhin në vend dhe ndër më të rëndësishmit në rajon.

Por jo në Mal të Zi. Prej javësh qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini kanë protestuar kundër kompanisë së tij, Eagle Hills, për të marrë plazhet me qira, me pankartat “Ulqini nuk është në shitje”. Fundjavën e kaluar protestën nuk e ndaloi as premtimi i kryeministrit Millojko Spajiç, se “Eagle Hills” do të tërhiqet dhe do t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.

“Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha malazezja Dijana Pellinkoviç, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.

Qeveria e Malit të Zi njoftoi se Alabari ka vendosur që plazhet që i ka fituar përmes tenderit, që më parë ishin marrë me qira nga ndërmarrësit lokalë, t’ua dorëzojë atyre me çmimin që ata kanë ofertuar në tender.

Ulqini nuk u josh as nga deklaratat e kryeministrit Spajiç se kompania e Alabarit nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar dhe se ajo është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marine dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.

Por e vërteta ishte ndryshe: Sipas kryeministrit Spajiç qëllimi i investitorëve arabë ishte të merrnin me qira të gjithë Plazhin e Madh për 99 vjet dhe prokejti i Alabarit ishte vetëm një fotografi. Por Mali i Zi e përzëuri dhe Mohamed Alabari është i pakënaqur, sepse, duke theksuar se duke u tërhequr nga qiraja, humbet edhe 100 mijë euro që ka lënë si garanci.

Ndryshe ndodh në vendin e deleve, në jug të Malit të Zi, që quhet Shqipëri, ku prej fundvitit 2020 u lajmërua ardhja e Alabar në Shqpëri me kompaninë "Emaar". Shpejt e shpejt u sajua “Durrës Marina”, një kompani me dy aksionerë, kompania “Eagle Hills” e Alabar që zotëronte 67 për qind të aksioneve dhe 33 për qind nga qeveria shqiptare. Në shkurt 2023 qeveria shqiptare i transferoi aksionerit shqiptar një listë me 281 prona shtetërore për një sipërfaqe totale prej 818 mijë m2, sipërfaqe që do të përdoret në funksion të projektit për të ndërtua pallate.

Gjithçka gati falas. Përveç ofrimit të truallit, qeveria shqiptare e çliroi kompaninë nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturë dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.

Projekti i Durrës Marina parashikon ndërtimin e një kompleksi rezidencial dhe tregtare dhe të një porti turistik jahtesh me një vlerë prej rreth dy miliardë euro.

Sipas planit të biznesit, projekti do të gjenerojë në total shitje në vlerën e afërsisht 3.2 miliardë euro, ndërsa fitimi i pritshëm neto për kompaninë që do të zhvillojë projektin është rreth 854 milionë euro dhe pala shqiptare do të përfitojë një të tretën e tyre, rreth 281 milionë euro.

Pjesa më e madhe e të ardhurave do të vijnë nga shitja e rreth 13 mijë apartamenteve, që do të përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të sipërfaqeve të ndërtimit. Pjesa e mbetur do të shkojë për hotele me katër dhe pesë yje dhe për njësi tregtare. Aty thjesht po bëhen palate që po shiten që në gropë, edhe pse arabi jepte intervista pompoze ku deklaronte se: “Ju premtoj që disa gjëra që ne po bëjmë aty nuk janë bërë kurrkund në botë… Më besoni që disa gjëra që po bëjmë këtu janë më të përparuara dhe se në Dubai. Flitet për qytete inteligjente dhe në Durrës do të jetë një nga më të përparuarit”.

Të njëjtën skemë përdori edhe në Beograd gati një dekadë më parë me projektin “Belgrade Waterfront”, një kompleks grataçelash në breg të lumit Danub. Siç doli më pas, u krijua një sipërmarrje e përbashkët midis qeverisë serbe dhe kompanisë “Eagle Hills”, në prill 2015, por që doli ndryshe nga ajo që ishte premtuar në fillim. Në vend të thesit me 4 miliardë dollarët e premtuar, “Eagle Hills” investoi 160 milionë dollarë dhe më pas i dha hua Serbisë 300 milionë të tjera. Investimi direkt real thuhet se ishte vetëm 20 milionë, por “Eagle Hills” do të marrë 68% të fitimeve dhe shfrytëzim të truallit për 99 vjet.

Në Shqipëri ka marrë portin tregtar, që do të zhvendoset në Porto Romano, jo me paratë e Alabarit, por me paratë e shqiptarëve, deleve që çdo ditë gdhihen edhe më të vjedhur se një ditë më parë.

Më 14 qershor 2023 Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e deputetëve të opozitës për shpalljen anti-kushtetues të Marrëveshjes për Marinën e Jahteve në Durrës, pa i hyrë aspak themelit të çështjes. Tetë nga nëntë gjyqtarët vlerësuan se nuk kishin tagër për të shqyrtuar ligjin ratifikues të Marrëveshjes Ndërkombëtare, e cila i hapi rrugë shkatërrimit të Portit Tregtar të Durrësit dhe ndërtimit aty të një kompleksi gjigant kullash e godinash betoni.

Dhe të gjithë jetuan të lumtur. Edhe opozita.