TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Muaji i shenjtë i Ramazanit po mbaron dhe bashkë me të edhe iftaret. Besimtarët që agjëruan denjësisht këtë muaj, edhe pse me shumë detyrime, qëndruan fort. Por më fort qëndruan politikanët dhe zyrtarët që nuk agjëruan, por ama për të ngrënë nuk lanë vakt pa përlarë, duke bredhur iftar më iftar.
Politologu Afrim Krasniqi dha dje në një takim parazgjedhor ca shifra për iftaret që shtruan politikanët dhe zyrtarët nga ata më lart fare deri te këta rrëmbythjet e bashkive të vogla, që nuk e lanë rastin t’u ikte nga duart për të shtruar iftare dhe të për t’i dhënë elektoratit të 11 majit, një çapë bukë.
Deri dje, qendra e drejtuar nga Krasniqi, Isntituti i Studimeve Politike kishte numëruar mbi 98 iftare, që janë shtruar ose ku kanë marrë pjesë zyrtarët e lartë dhe ata të rangut të ulët dhe krerët fetarë thanë se ata ishin ftuar në iftaret e shtruar prej deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive etj.
Nga Spiropali, Berisha, ministrat, kryebashkiakët, biznesmenët të gjithë kanë pozuar duke qeshur, ngrënë dhe pirë për të mirën e popullit.
Janë faktuar me video, foto dhe fjalë shumë të bukura, prej të gjithëve pa pikë droje dhe turpi, por si vlerë elektorale për ditën e zgjedhjeve.
Më i fundit ai i Berishës mbrëmë, postuar në mënyrë madhështore:
"Sonte isha i ftuar për Iftar në Kavajë, i shtruar nga Kryetari i Bashkisë Fisnik Qosja për Natën e bekuar të Kadrit dhe 35 vjetorin e revoltës antikomuniste të 26 marsit të vitit 1990.
Një urim nga zemra për të gjithë besimtarët musliman për këtë natë të bekuar, Natën e Kadrit, Naten e Fatit. Shpreh gjithashtu mirënjohjen dhe nderimin më të thellë për qendrestarët antikomunistë të Kavajës dhe heroizmin e tyre me 26 mars 1990".
Paralel ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.
Po edhe kryetarja e Kuvendit, kur nuk ishte jashtë vendit, ka qenë në disa iftare.
Vetëm Bora Muzhaqi, ministre për Rininë dhe që kandidon në listën e mbyllur të qarkut të Elbasanit, ka shtruar 5 iftare deri sot në bashkinë Librazhd.
Lista është e pafund dhe po sjellim vetëm disa prej postimeve të “bukës” që shpërndanë politikanët dhe zyrtarët gjatë muajit të Ramazanit.
Në këto pak pamje që janë këtu, se duhen kilometra për t'i futur të gjithë, mungon Rama, që do të shtrojë iftarin në fund, se ka qenë i zënë me përzgjedhjen e videove me bufë, hidheprit me Lulin dhe "Sy m'sy" me popullin virtual.
Sipas ISP-së, edhe pse më 11 maj mbahen zgjedhje parlamentare, bashkitë kryesojnë me aktiviteve, sikur të ishin zgjedhje vendore. Në periudhën janar-mars 2024 bashkitë kryen 1557 aktivitete, qeveria 711, entet e qeverisë 410 etj.
Numrin më të madh të aktiviteteve paraelektorale e mban qarku i Fierit me 471 të tillë, ndjekur nga Korça me 212 dhe më pak aktivitete ka qarku i Kukësit, vetëm 25.
Dhe në muajin e fundit, aktiviteti më i rëndësishëm ka qenë shtrimi i iftarit dhe politika nuk do ta harrojë këtë sakrificë që ka bërë me paratë e popullit në këmbim të votës.