TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prej disa javësh, që kur ka nisur fushatën e padeklaruar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama i ka shndërruar rrjetet e tij sociale në faqe zoologjie, mbushur plot me bufë. Fotot dhe videot me bufë janë përdorur për të stigmatizuar kreun e PD-së, Sali Berisha si një formë elektorale për t’iu drejtuar elektoratit, jo vetëm atij të PS-së, që të mos votojnë këtë “buf kënete:, por atë si “më të bukurin e shpendëve”.
Berisha i ka përcjellë me indiferentizëm këto epitete që kanë mbushur leksikun dhe rrjetet sociale të kryeministrit. Madje mbrëmë në studion e Grida Dumës, ai tha se nuk e merr fare për ofendim, përkundrazi, sepse, sipas tij bufi ka qenë simbol i perëndeshës së luftës dhe mençurisë, Athinasë.
“Ky njeri ka vetëm batuta me realizmin socialist. Ky njeri nuk e di se çfarë nderi i bën Sali Berishës me bufin. Bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së urtësisë dhe mençurisë. Bufi konsiderohej kaq simbol i arrirë. Athinaja nuk zgjodhi shqiponjën, zgjodhi bufin. Edhe romakët, pas grekëve, nuk i thoshin dot Athina perëndeshës së mençurisë, por e quajtën Minerva. As Minerva nuk e ndërroi simbolin. Do të mërzitet ai (Rama) sonte kur ta marrë vesh. Minerva përsëri ruajti bufin si simbol. Simbol i mençurisë, i zotësisë, i vendimit”- deklaroi mbrëmë Berisha plot gaz dhe hare.
E vazhdoi edhe sot, kur u shfaqur në konferencën e sotme për mediat, me një statujë të bufit në tryezë.
“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni. Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.
Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar.
Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf »- the lideri i PD-së.
Në gjuhën shqipe, sipas fjalorit, fjala buf është një term që përdoret në zoologji dhe ka të bëjë me një shpend grabitqar, me sqep të shkurtër e me sy të mëdhenj, që del e këndon natën dhe pas kësaj fjalë vijnë shprehje si buf kënete, rri si buf; ka edhe kuptim të figurshëm, të keq si njeri i paqethur e i pakrehur, njeri i plogët e i trashë nga mendja.
Në fakt, shpendi që mban mbi sup Athinaja nuk ëhtë buf, por një kukuvajkë.
Shpjegimi historik thotë se: "Athina ishte hyjneshë e luftës, urtësisë, artit, shkencës dhe zejtarisë. Athina ka lindur nga koka e Zeusit, ndaj është më e mençura ndër perëndesha. Simboli i saj është kukuvajka, heshta dhe gjarpri në skeptër. Edhe pse konsiderohej si hyjneshë e luftës, ajo nuk ka shkuar kurrë në luftë. Lufta e saj ishte mendore. Heronjtë dhe mbretërit merrnin këshilla nga ajo. Ajo ndjente një dashuri të thellë kundrejt heronjve si Perseu, Akili, Odisea dhe shumë të tjerë por kjo dashuri nuk ishte aspak erotike. Ajo ishte e pavarur, e fortë dhe fisnike. Athina mbetet virgjëreshë tërë jetën, ajo kishte vendosur që të mos martohej ndonjëherë, përpos ofertave të shumta që kishte nga zotat tjerë. Ajo ka ndihmuar përkrahur njerëzit në realizimit e synimeve të tyre. Nga respekti i madh buronte kundrejt saj, në nder të Athinas emërtohet kryeqyteti aktual i Greqisë, Athina, ndërsa në Akropol, për nder të Athinasë është ndërtuar tempulli – PANTENONI. Simotra e saj romake është perëndesha Minerva".
Pra Doktori të mos gëzohet para kohe dhe të bëjë paralelizma hyjnore me Athinanë, por të këshillohet me zoologët që mund t’i ketë edhe në selinë blu. Deri atëherë po ia ofrojmë ne shpjegimin: KUKUVAJKA (ATHENE NOCTUA) është kryesisht shpend grabitqar i natës, por është aktiv edhe gjatë ditës. Në literaturë për këtë lloj gjenden një numër i larmishëm emrash si psh: shpendkeqi, herëkeqja, furuvejka, kukumjaçka, quka, virrmëkeqja, kukuvaca, kukunjaçka, kukuvaja, druca, verrkeqja. Në popull me siguri duhet të ekzistojnë edhe emra të tjerë për këtë lloj.
Kukuvajka ushqehet me brejtës të vegjël (kryesisht minj), shpendë të vegjël, amfibë dhe reptilë të vegjël, insekte (kryesisht brumbuj dhe karkaleca toke) si dhe krimba toke. Kukuvajka luan një rol shumë të rëndësishëm në kontrollin e popullatës së minjve në zonat urbane dhe rurale, pasi është grabitqari kryesor i tyre. Pa ndihmën e kukuvjakës, pupullata e minjve në zonat urbane do të rritej në nivele të tilla çka do të sillte problem në jetën tonë të përditshme.