BLOG, 29 Mars 2025, 14:59

DITARI I 11 MAJIT (-44 ditë)/ Bujqësia, rrugët, uji, legalizimet…, Rama recitoi sot premtimet e vitit 2013 si “Shqipëria 2030”

DITARI I 11 MAJIT (-44 ditë)/ Bujqësia, rrugët, uji,

Edi Rama prezantoi sot programin qeverisës të Shqipërisë 2030, pra atë që thotë prej mujash se do të na pajisë me pasaportën evropiane dhe do t’i themi sikter fukarallëkut.

Fola gjerë e gjatë, me shifra, fakte, këneta dhe bufë dhe nuk u lodh duke nga treguar dy botët: atë të Saliut që u thotë shqiptarëve se nuk duhet kthyer më dhe atë të vetën që e përshkruan me nota idilike, si të vetmen rreze drite që do të shkëlqejë në qiellin evropian. Veshur me të zeza, por ama me atlete të bardha, ai premtoi vetëm ditë të bardha për shqiptarët, por….vetëm nëse ia japin votën atij.

Kërkoi mandatin e katërt, por bëri premtime si në vitin 2013 kur erdhi me Rilindjen.Premton sërish ujë, rrugë, legalizime që atëherë na thoshte se do t’i mbyllte shpejt e shpejt.

Por le të ndjekim çfarë ka thënë në Programin qeverisës 2013-2017 dhe çfarë u tha sot shqiptarëve, p.sh, për vaditjen, për ujin, për rrugët kombëtare e rurale, legalizimet apo koncesionet si check-up-i.

VADITJA

Rama 2013

"Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave. Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit".

Rama 2025

"Toka, kur ne e morëm detyrën, sipërfaqja e tokës ujitshme kishte dy herë e gjysmë më e vogël se sot, pra sot, – që sipas kënetës kanë ikur të tërë nga Shqipëria, – janë 300 mijë hektarë tokë që punohen sepse ujiten, – kur sipas kënetës, të gjithë ishin këtu në Shqipëri, – ishin vetëm 120 mijë hektar tokë.

300 mijë hektar sot ujiten, kullohen, por mbeten dhe 60 mijë hektarë të tjerë për ta përmbyllur të gjithë projektin e ujitjes së çdo pëllëmbe tokë diellore të punueshme në Shqipëri".

UJI

Rama 2013

"Për një cilësi me të lartë shërbimi për qytetarët dhe në shërbim të zhvillimit të sektorëve të tjerë të ekonomisë, kërkohet një përqasje e re e integruar në drejtim të furnizimit me ujë, trajtimit të ujrave të ndotura si dhe mbetjeve urbane. Në këta sektorë do të përfundojnë reformat strukturore si dhe do të investohet edhe duke përfshirë partneritetin publik-privat. Për sistemin e ndërmarrjeve të UjësjellësKanalizime do të realizohet agregimi dhe rajonalizimi i tyre, për të ulur kostot e operimit, rritjen e efikasitetit, veçanërisht duke ulur humbjet teknike dhe mospagimin e shërbimit, realizimin e investimeve dhe shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve. Do të realizohen me prioritet projektet për Ujësjellës-Kanalizime në zonën e Durrësit dhe atë turistike të bregdetit të jugut. Qëllimi është të realizohet një situate optimale në garantimin e furnizimit të vijueshëm me ujë të pijshëm dhe në përmirësimin e ndjeshëm të funksionimit të sistemit të kanalizimeve".

Rama 2025

"Kur ne morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte vetëm në 4 zona urbane, asnjë zonë rurale. Në 2024 ne e kemi mbyllur me 43 zona urbane dhe me 98 zona rurale, që furnizohen 24h rregullisht dhe deri në fund të mandatit të katërt, kemi këtë situatë për të adresuar: 16 zona urbane të mbetura, nga të cilat 11 janë në kantier sot që flasim dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm 90% i perimetrit të Republikës 24 orë, ndërkohë që ai 10% janë pika shumë të largëta nëpër male, që është e pamundur dhe që ekzistojnë edhe në vende të tjera".

RRUGËT

Rama 2013

"Qeveria e mëparshme ka realizuar investime të mëdha në infrastrukturën rrugore e sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, por sot përballemi me një situatë, ku impakti i këtyre investimeve ka qenë inferior, veprat janë realizuar jashtë standardeve teknike, investimet e realizuara si rezultat i mosmirëmbajtjes janë të papërfunduara dhe në degradim (përfshirë edhe Rrugën e Kombit), shërbimet që u ofrohen qytetarëve janë të një cilësie të ulët edhe transport, impakti në mjedis është shumë i rëndë, veprat janë realizuar me një kosto të lartë financiare për vetë kompanitë realizuese, si rezultat i mospagimit të faturave për punimet e kryera.

Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit. Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit. Do të realizojmë gjithashtu investime në rrugët rajonale, të fshatrave dhe qyteteve me qëllim lidhjen me të mirë të tregut me qendrat e prodhimit duke gërshetuar kritetin ekonomik me atë të impaktit social".

Rama 2025

"Nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometër ura dhe 12 kilometër tunele, por dua ta theksoj që nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi vazhduar të punojnë me rrugët e mbetura rrugëve. Këneta, bufit kënetës me daulle kanë hapur shumë kantiere për të fituar vota për të rrokanisur kokën e njerëzve me ato 10 mijë kilometrat fantazmë të rrugëve, por asnjë rrugë të vetme, një të vetme, jo vetëm që nuk e kanë përfunduar, por nuk e kanë financuar, sepse nuk kanë më një problem që një rrugë fillon nga një qeveri, vazhdon nga një qeveri tjetër. Problemi është që nuk e kanë financuar, e kanë hapur me 5 lekë, një rrugë që bën 1 mijë lekë dhe na lanë një gropë të madhe, nga e cila u desh një mandat vetëm që të dilnim nga gropa e infrastrukturës.

Sot, Korridori 8, Korridori Blu për të cilin na qeshnin kur unë e thashë është korridori i piktorit. të gjithë segmentet dhe të dy korridoret do të jenë plotësisht përfunduar brenda mandatit të katërt, ku do të ndërtojmë edhe 700 kilometra rrugë të reja dhe për të ngacmuar pak publikun, por ndërkohë ju do t’i keni të gjitha këto specifike sipas qarqeve. Rruga e bregut, Dhërmi-Sarandë, brenda mandatit të katërt do të jetë një rrugë turistike, që do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogarasë, deri në Dhërmi, rruga e shumëpritur, e shumë dëshiruar dhe e shumë nevojshme.

Tiranë-Krujë, rruga Berat-Çorovodë do të jetë një rrugë e parametrave dhe standardeve europiane.

Ura e Leklit Përmet- Çarshovë, pra do të jenë të lidhura bashkë të gjitha. Ersekë- Leskoviku, Rrëshen Burrelit, Vau i Dejës- Pukë- Fushë Arrëz, Rruga e Vjetër Tepelenë-Vlorë, Ura mbi lumin Vjosë-Selenicë. Skrapar- Gramsh, Skrapar- Përmet, Gjirokastër- Libohovë, Poliçan- Zagori, pra, siç shihet, ose kryqëzimi i llixhave Elbasan – Gramsh, siç shihet, të gjitha këto segmente janë segmente që tani më nuk bëjnë lidhjen nga pika A tek pika B, por janë A-B-C-D dhe krijohen arterie të brendshme që lehtësojnë shumë lidhjen midis qyteteve tona turistike dhe kur shkohet në Korçë, do mund të shkohet në Përmet e në Gjirokastër pa pasur nevojë që të kthehesh dhe t’i biesh prapë nga Tirana.

Ndërkohë që brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat- Ndroq – Plepa. Maqellarë- Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës- Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundon po këtë vit".

LEGALIZIMET

Rama 2013

"Do të vlerësohet informaliteti në territor, do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret procesi i legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme. Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme. Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale".

Atëherë u fiksua në kamera edhe një moment madhështor gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, kur në Kamzë, Pjerin Ndreu fton Ramën të firmosë zotimin se legalizimet do të jenë falas dhe se gjithë procesi i legalizimeve do të jetë i mbaruar brenda mandatit të parë. Rama pa një pa dy, pa iu dridhur dora, e firmosi banerin mavi, siç i tha Pjerini para qindra kamzalinjve në delir.  


Rama 2025

"Legalizimet: 21750, – se këtë e di përmendësh – ishin në ditën që ne morëm detyrë, tetë vjet këneta nxiti ndërtime pa leje nga të katër anët dhe legalizoi vetëm 21 750.

270 mijë legalizime kemi kryer ne.

270 mijë legalizime deri në fund të 2024 dhe brenda vitit 2028 do të mbyllen edhe ato që kanë mbetur. Ky është synimi".

KONCESIONET

Rama 2013

“Do të zhvillojmë programe kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumoriale dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë”- deklaronte Rama.

Në fakt këtu e mbajti fjalën. Koncesioni i check-up, fituar nga kompania “3P Life Logistic” e Vilma Nushit nisi punë në shkurt të vitit 2015. Kontrata koncesionare kishte si qëllim kontrollin mjekësor bazë falas që është një program kombëtar i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.

Për këtë kontratë Partneriteti Publik-Privat në nivel vjetor parashikoheshin 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo. Për t’i shtuar fitimet koncesionarit grupmosha u zgjeruar në 35-70 vjeç. Ajo ka shkuar në SPAK bashkë me koncesionet e tjera, por leku vijon të rrjedhë lumë.

Rama 2025

“Programi i Check-up, aq sa ka qenë i mallkuar dhe i baltosur nga të mallkuarit që jetojnë në llumin e baltës së kënetës, aq ka qenë dhe i dëshiruar dhe i lëvduar nga gjithë ai popull që ka përfituar dhe kërkesës për të vazhduar ta ofrojmë duke rritur edhe kufirin e moshës për përfituesit, që na vjen shumë nga pensionistët, ne në mandatin e katërt do t’i përgjigjemi pozitivisht”.

Kjo që tha sot Rama ishte vendosur kohë më parë, që në nëntor 2024, kur u vendos që koncesioni i Check-Up të përfundojë afatin zyrtar më 2027, gati dy vite më shumë se në kontratën fillestare. Ministria e Shëndetësisë tha atëherë se kontrata me kompaninë “3P Life Logistic” do të jetë aktive deri më 2027 si një shtyrje automatike për pezullimin që iu bë shërbimit gjatë pandemisë Covid- 19, kur kontrata u pezullua nga marsi 2020 deri në shtator 2021, pra për rreth 17 muaj, si rrjedhojë e masave kufizuese në lëvizje për parandalimin e virusit dhe afati i pezullimit shkoi si shtyrje automatike që i lejon kompanisë ofrimin e shërbimit edhe për dy vite të tjera nga viti 2025.