BLOG, 1 Prill 2025, 15:38

DITARI I 11 MAJIT (-41 ditë)/ Tre “musketierët” që falën krimet e 25 prillit 2021 betohen se do të dënojnë hajdutët e 11 majit

DITARI I 11 MAJIT (-41 ditë)/ Tre “musketierët” që
Çela, Celibashi dhe Dumani

Prej disa javësh, disa zyra të rëndësishme kanë krijuar një “besëlidhje” për të ruajtur votat e 11majit 2025. Në fillim ishte Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme që u betuan me nënë e me babë se do të hetonin krimet zgjedhore. Pastaj futi hundët edhe KQZ-ja, dhe këta të tre kanë shpërndarë lajmin e madh që do t’u fusë frikën në palcë hajdutëve serialë të zgjedhjeve shqiptare. Sot këta të tre, pra Kreu ie Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Komisioneri Publik i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ishin edhe në Ambasadën Britanike për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e re për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të prezantuar në vitin 2025. Kjo e fundit ka shprehur mbështetje për marrëveshjen e re ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe transparencën e zgjedhjeve.

 “Ky angazhim i institucioneve për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta në 11 maj 2025 është vlerësuar pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar, i cili thekson rëndësinë e një procesi zgjedhor të pastër nga krimi dhe manipulimet”, shkruhej në postimin e ambasadës britanike.

Ta flemë mendjen ne se nuk do të jetë si përherë, siç thoshte Stalini, "Populli voton, ne numërojmë"?

Po të shohim vetëm zgjedhjet e kaluara parlamentare, ato të 25 prillit 2021, duhet t’i bëjmë sytë katër sepse partitë kanë muaj që kanë dalë për "Gjah votash" dhe as nuk ua ndjen për SPAK-un e tmerrshëm, që ka burgosur gjysmën e qeverisë dhe të opozitës për krim dhe korrupsion, por asnjë për be, asnjë për krim zgjedhor.

Edhe pse thuhet lart e poshtë se ja erdhi SPAK tani dhe s’kanë nga t’ia mbajnë hajdutët e votave, e vërteta është se SPAK-u aty ishte edhe 4 vite më parë dhe bëri një vrimë në ujë, bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në. Në 17 Dhjetor 2020, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, mori juridiksion për të hetuar korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje  dhe zgjedhjet e 25 Prillit 2021 caktuan edhe debutimin e parë për hetimin e krimeve zgjedhore ngha SPAK.

Në vitin 2017, përpara zgjedhjeve të 17 majit, PS dhe PD arritën konsensus që Kodi Penal të ashpërsojë masat ndëshkimore për personat që përfshihen në krime zgjedhore. Në 17 Dhjetor 2020, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, mori juridiksion për të hetuar korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Kuvendi adoptoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe 15 nenet parashohin ndëshkim me burg për veprave penale që cënojnë zgjedhjet demokratike. Ndëshkimi minimal është 6 muaj, kurse ndëshkimi maksimal është 7 vjet heqje lirie. Por, pavarësisht parashikimeve ligjore të ashpërsuara, hetimet penale në fushën e zgjedhjeve nuk kanë rezultuar efektive, sepse zgjasin shumë në kohë dhe shumica e kallzimeve penale pushohen nga vetë organi i prokurorisë.  Sipas njoftimit të fundit të shpëndarë në datë 2 Nëntor 2021 prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm regjistruan 158 njoftime/kallzime për vepra penale që prekën zgjedhjet e 25 Prillit 2021.  Prej tyre, 91 ishin drejtpërdrejt në formën e kallzimeve dhe pjesa tjetër ishin referime nga policia e shtetit dhe kërkesa për hetim nga institucione të tjera. Prokuroritë e rretheve gjyqësore regjistruan 82 procedime për vepra penale që cënuan zgjedhjet, prej të cilave 2 u regjistruan kryesisht.

Prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm raportuan në Nëntor 2021 se transferuan 24 njoftime në SPAK, ndërkohë SPAK konformoi në Dhjetor 2021 se transferoi 22 procedime penale në prokuroritë e rretheve, pra varavingo nëpër zyrat e drejtësisë së re.

Në datë 3 Dhjetor 2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dora vetë, njoftoi zyrtarisht vendimin për të kallëzuar penalisht pranë organit të prokurorisë shkeljet e konstatuara nga komisionerët dhe stafet ndihmëse në 10% të qëndrave të numërimit. KQZ depozitoi kallëzime penale për shkeljet e konstatuara në 67 anëtarë të 18 grupeve të numërimit, në Korçë, Berat, Gjirokastër, Tiranë, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

Në 24 Dhjetor 2021, SPAK, tha se kishte regjistruar 76 kallzime penale në fushën e zgjedhjeve. Prej tyre, u regjistruan si procedime penale 57 kallëzime. Ndërkohë, 6 procedime erdhën në SPAK me transferim nga prokuroritë e rretheve.

Deri në 24 Dhjetor 2021, vetëm një procedim penal i hetuar nga SPAK arriti të gjykohej plotësisht nga gjykata dhe dy personat e akuzuar nga SPAK morën dënim penal për krime zgjedhore. SPAK konfirmoi gjithashtu në Dhjetor 2021 se edhe një tjetër procedim penal ishte hetuar plotësisht dhe i ishte nisur gjykatës për vendim. Prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm nuk raportuan gjatë vitit 2021 për persona të hetuar prej tyre për krime zgjedhore të cilët u dënuan nga gjykata penale. Pati më tepër kërkesa në gjykatë nga ana prokurorisë për të pushuar hetimet se sa për të dënuar autorët e hetuar për krime zgjedhore.

PD kishte bërë 185 kallëzime në kohë fushatë (130 në prokuroritë e zakonshme dhe 55 në SPAK). Sipas të dhënave të referuara nga sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi në datë 17 Nëntor 2021, nga PD u depozituan në total 130 kallëzime në prokuroritë e rretheve dhe 55 kallëzime në SPAK.

Të vetmit të dënuar që u kapën me presh në duar ishin dy punonjës të bashkisë së Dibrës që u kapën nga zyrtarët e PD-së në flagrancë me shuma monetare dhe karta identiteti në mjetin e tyre në Njësinë Administrative Maqellarë. Akuzat ndaj tyre për krime zgjedhore u provuan dhe Gjykata e Posaçme dënoi me 18 muaj shtetasit D.Xh dhe A.C., por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa e dënimit u reduktua në 12 muaj heqje lirie. Dhe një tjetër ishte një kandidat i LSI-së në Tiranë. Kaq ishte e gjitha vepra madhështore e tre "musketierëve" që do të mbronin zgjedhjet.