TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kur na ndajnë 36 ditë nga zgjedhjet e 11 majit Rama fluturoi në Izrael, nga ku kryeministri postoi para pak orësh vizitën në qendrën mjekësore Sheba në Izrael, me të cilën ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, për të na premtuar shëndetësinë në vitin 2030.
Rama shfaqet në videon e postuar po vetë në një ambient ku një “pacient” demonstron se si do të analizohet sëmundja e tij nga inteligjenca artificiale, se si pastaj përmes kompjuterave do të përcaktohet edhe diagnoza dhe mjekimi, duke e ndihmuar shumë mjekun, por edhe pacientin. Rama, i shoqëruar edhe nga kryetarja e komanduar e bashkisë Anuela Ristani që ndiqte leksionin e mjekut izraelit pas derës së sallës, u shpreh shumë optimist se mezi po priste të vinte aty prej shumë kohësh.
Sheba është qendra më e madhe mjekësore në Izrael dhe në Lindjen e Mesme dhe një nga dhjetë spitalet më të mira në mbarë globin në 2020-2021 sipas Neësëeek me pacientë që vijnë nga më shumë se 100 vende. Është qendër kryesore për kërkimin klinik, sepse ka kryer një të katërtën e kërkimeve klinike në Izrael dhe ka më shumë se 90 grupe kërkimore që kanë rreth 4000 kërkime aktive në vit.
Në nëntor 2024 Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u binjakëzua me qendrën spitalore më të madhe izraelite, “Sheba Medical Center”, një partneritet strategjik i cili, sipas qeverisë shqiptare, do të kontribuojë në rritjen e standardeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë.
Sipas marrëveshjes, ekspertë të Sheba-s do të atashohen në Spitalin Onkologjik duke asistuar mjekët tanë në trajtimin e rasteve të vështira, në kohë reale përmes telemjekësisë, do të ofrojnë trajnime dhe mjekët e infermierët shqiptarë do të njihen me terapitë dhe pajisjet më inovative.
Për më tepër, sipas qeverisë, nga 2025-a në Onkologjik dhe në 7 vitet në vijim në sektorët e tjerë në QSUT, Sheba do të mbikëqyrë punën, vendimmarrjet e ndryshme organizative nga protokollet mjekësore te blerja e barnave dhe teknologjisë.
Po si do ta ndihmojnë izraelitët e Sheba-s Onkologikun dhe më pas gjithë QSUT-në?
Siç ka treguar historia e trishtë e këtyre dekadave problem aty nuk është mungesa e inteligjencës artificiale, apo e kompjuterave, por funksionimi i spitaleve si grup i strukturuar kriminal nga roja i godinës që do lekët nën dorë, te mjekët, infermierët, farmacistët..
Një vit më parë plasi në Onkologjik skandali i mostrajtimit të pacientëve që vuanin nga sëmundja e rëndë. Ndërsa pacientët të diagnostikuar me tumor shkonin në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT, për të marrë shërbimin shëndetësor publik, orientoheshin që shërbimet t'i merrnin në klinikën mjekësore “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, që e kishte në zonën e Astirit në Tiranë; në telefonët e mjekëve dhe koordinatorëve të shërbimit, sipas prokurorisë, kanë rezultuar biseda e pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostatike me vlera të konsiderueshme që nxirreshin jashtë spitalit Onkologjik apo bliheshin me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmacitë, si dhe tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale; aparatura e vetme e “Kobalto Terapisë” e cila shërben për radioterapitë u la jashtë kushteve teknike me qëllim që pacientët të mos e merrnin shërbimin tek Onkologjiku, por në klinika të tjera private, duke u kthyer në burim rreziku jo vetëm për mjekët që punonin, por edhe për pacientët; në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekë, specialistët dhe administratori i spitalit të Onkologjikut orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT; mjeku nuk shkonte tek pacientët që kishte në klinikën e vet private kur lajmërohej nga infermierët se pacienti ka temperaturë duke thënë ‘vari leshtë’ kjo e vërtetuar dhe me interceptimin telefonik; Gjithashtu eshtë ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë lekësh prej 10000 Euro në subjektin farmaceutik me administrator Florian Marku dhe që subjekti kishte të njëjtin emër….
Në 24 janar 2025, duke folur në QSUT për krah përfaqësuesve të Sheba-s dhe zyrtarëve shqiptarë, Rama i quajti mjekët e akuzuar kriminelë:
“Rikthehemi pas një situate dramatike prej një grupi kriminelësh…Jam shumë optimist, për ecurinë e transformimit të qendrës spitalore universitare duke filluar nga Onkologjiku, me një pasqyrë kuptimplotë, ky nuk është partneritet formal, shkëmbim rastësor, por është një aleancë strategjike me mirëkuptimin se krah për krah me SHEBA, mjekët e SHEBA do krijojmë një sinergji që do e bëjë në këtë periudhë disa vjeçare QSUT 2030 shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe rajonin', tha Rama gati dy muaj më parë.
Po si? Një gjë është e garantuar. Sa të jetë ky sistem dhe ky “grup kriminelësh” në QSUT, aty do të vidhen jo vetëm pacientët, por edhe inteligjenca artificiale dhe kompjuterët e sjellë nga izraelitët e Sheba-s, sepse ndryshe falimentojnë klinikat private të mjekëve.