TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish kryebashkiaku i socialistëve në Kavajë, Elvis Rroshi, ia bëri fora dje duke u bërë thirrje votuesve të Qarkut Tiranë, pra atyre të bashkisë së Kavajës, që të votojnë kushëririn e tij, Elton Rroshi, i cili garon për deputet në zgjedhjet e 11 majit, nën siglën e “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Ish-miku i ngushtë i Ramës dhe ish-kryetari i bashkisë së Kavajës për PS-në në vitet 2011-2016, postoi në rrjetet sociale posterin e fushatës të Elton Rroshit, të cilin e ka djalë xhaxhai, por që garon si pjesë e partisë kundërshtare të asaj që mbështeti Elvisin për të marrë drejtimin e Bashkisë Kavajë, 14 vite më parë.
Berisha nuk është kundër: “Kushëriri nuk është mëkatar për kushëririn. Si quhet ky kandidati? Elton... Me Elvisin se ka lidhje gjaku është gjë tjetër, por nuk ka lidhje, kjo nuk është kriter për kandidatët. Edhe Edi Rama ka dy kushërinj, njëri se na akuzon ne për rrëmbim pronash dhe tjetrin e bën prefekt për të rrëmbyer prona”,- u shpreh kreu i PD-së.
Deh të imagjinosh se si shkruante Roshi, vetëm 6 vite më parë, më 3 shkurt 2019, duke e quajtur Sali Bisha dhe plak i rrjedhur:
“Njësoj si atëherë kur e gjunjëzova disa herë rresht, sërisht Sali Bisha i tërbuar tashmë vazhdon më sulmon edhe pse unë jam duke ndenjur larg zhvillimeve politike. Plaku i rrjedhur me akuzon për prona që në fantazinë e tij janë të sekuestruara apo për skandale imagjinare. Keqardhje për një njeri që nuk ka kufinj, nuk ka logjikë, nuk ka asgjë përveçse facebook-un e tij jofunksional".
Sot e mbrojti edhe drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi:
“Unë nuk e di fare që Elvis Roshi ka dalë në fushatë elektorale, por di t’iu them se koha e Partisë së Punës, të luftës së klasave dhe e goditjeve familjare e farefisnore ka mbaruar në vitin 90 me rrëzimin e diktaturës. Unë nuk e di kë keni ju kushëri, por ju nuk mund të mbani përgjegjësi për të gjithë kushërinjtë tuaj. Unë e di që lufta e klasave është mbyllur në vitin 1990. Nëse shkoni me mentalitetin komunist, që është përdorur edhe ndaj meje, duke më anatemuar si dhëndër socialist e të tjera. Unë ja tregova Veliajt se kush jam, do ia tregoj edhe Ramës”- tha ish-kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2023, në një intervistë televizive.
Me këtë bashkëpunim të ngushtë të partisë së Berishës me ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të Ramës janë fshirë gati 20 vite akuza të rënda, që nisën me Griseldën e famshme, që thuhej se ishte partnere e Roshit në vitin 2011 dhe për të cilën Erion Veliaj, në emër të PS-së, denonconte zyrtarisht PD-në se e kishte rrëmbyer dhe masakruar.
“Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj, dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore……Duke pasur parasysh rrethanat shumë të rënda të situatës në Kavajë, ky njoftim do të jetë i shkurtër dhe më tepër informacion politik do t’ju japim nesër”- shkruante Veliaj për ambasadat e SHBA dhe vendeve të BE-së në 1 qershor 2011.
Një ditë më pas, partnerja e kryebashkiakut të Kavajës, Griselda Roshi pranoi para prokurorëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda se gjithçka ishte trillim dhe se 28-vjeçarja nuk ishte rrëmbyer dhe nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë.
Këto ngjarje ndodhnin pak javë pasi Roshi i kandiduar nga PS e Ramës, fitoi për herë të parë në zgjedhjet e 8 maj 2011, në bastionin e PD-së.
Dy vjet më vonë ai u kandidua sërish nga Edi Rama për kryetar të Bashkisë së Kavajës. Por këtë herë u vu në qendër të kritikave të opozitës, si njeri i dënuar më parë në vende të tjera për trafik droge, ndërkohë që në Shqipëri rezulton i dënuar për plagosje.
Më 1 qershor 2015, PD e akuzonte Roshin se brenda 12 ditëve në kundërshtim me ligjin importoi fiktivisht 595 votues, nëpërmjet 194 kontratave fiktive të nënshkruara nga ai për t’i përdorur si votues në zgjedhjet e 21 qershorit 2015.
Një vit më pas, në maj 2016, PD përsëriste akuzat ndaj Roshit se ai ishte përfshirë në vepra të rënda kriminale, si trafiku i drogës, në Itali, edhe pse ai pranonte se ishte ndaluar dhe dëbuar vetëm nga Gjermania.
Kur në korrik 2018 gjykata e dënoi me 60 orë pune në interes publik, si fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, PD deklaronte se ky vendim është provë se kryeministri Rama po tallet me procesin e dekriminalizimit.
Pasi e larguan nga drejtimi i bashkisë, Roshi i hyri me kokë biznesit agrar dhe bëri hajër. Aplikoi në grantet që jepte BE për bujqësinë përmes programit IPARD dhe mori një herë 70.178 euro, për një serrë diellore dhe më pas edhe 180.309 euro. Pasi plasi skandali i fondeve të BE-së Roshit iu kërkua që të kthente 250.487 eurot, pasi nuk kishte përmbushur kriteret e zbatimit të programit dhe çështja është në gjykatë, ndërsa PD e ka akuzuar edhe për këtë, bashkë me ato të vjetrat për trafik, dhunë e krim.