TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rama dha dje lajmin se zona pas Muzeut Historik Kombëtar, ku ndodhen ish-pallati “Ali Kelmendi”, ish-Estrada e Tiranës, e më pas ish-Cirku etj, do të prishen për t’u lënë vendin kullave të reja që do të çojnë edhe më lart Tiranën.
Konkursi i djeshëm u fitua nga studioja franceze e arkitekturës, L’AUC dhe Rama tha ky projekt ideohet për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës.
Ndërsa kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, qetësoi shpirtrat e artistëve, duke thënë se projekti do të jetë edhe një shtëpi e re për teatrin “Metropol”, pra ish-Estradën e Tiranës.
Sipas projektit janë mbi 17,000 m2 truall në qendër të Tiranës, ku janë të ngritura rreth 35 ndërtesa, katër pallate deri në 9 kate, si dhe godinat publike të Teatrit “Metropol”, “Info-Point” i bashkisë, ndërsa zona e ish-Cirkut u shemb në 2021 pasi trualli iu kthye pronarëve. Me atë rast do të shembet edhe ish-universiteti jopublik “Albanian University” (ish-UFO), që kohët e fund është shndërruar në seli të “Veliaj Construction”, gjimnazi “Sinan Tafaj” etj.
Studio franceze propozon ndërtimin e katër kullave tregtare, rezidenciale dhe të hotelerisë, njëra mbi 150 metra e lartë, dhe krah tyre një pallat publik me salla për shfaqje, ekspozita, teatër dhe kinema.
Konkursi ishte ide e kompanisë “Veliaj Construction”, që drejtohet nga Astrit Veliajt, sipërmarrësi që e nisi me stomatologjinë, në një pallat përballë Bankës së Shqipërisë dhe më pas u bë i njohur si sipërmarrësi i Universitetit “UFO”, me godinat e mëdha neoklasike në Tiranë, Durrës, Berat dhe Fier, madje për këtë të fundit në 2015-ën i vunë gjobë 10 milionë lekë se kishte bërë ndërtim pa leje.
Këto plane arkitekturore ishin edhe pjesa hyrëse e videos së që hapi aktivitetin e djeshëm ku theksohej se Astrit Veliaj lindi në Tiranë në një familje me bindje konservatore dhe pronat e tij i vuri në shërbim të dijes.
Veliaj ishte deputet i PD-së prej vitit 2013 dhe pastaj me shkëputje. Ishte ndër të parët që tha atë që është realitet një dekadë më pas, kur në vitin 2015 shprehej se “Partia Demokratike është e Berishës, ndërsa Basha të formojë parti të re”, meqë sipas tij në ato 2 vite Basha nuk u shkëput nga modeli i vjetër dhe ndikimi i Berishës. “E vetmja zgjidhje është që, Basha ta lërë PD-në dhe të themelojë një parti të re, ku të mbledhë të gjithë të pakënaqurit e 23 viteve të drejtimit të PD nga Berisha”, shprehej Veliaj atëherë.
Ai nuk u bë deputet 4 vite më pas, por më 19 shkurt 2018, KKQZ vendosi që ai të merrte mandatin e lënë nga deputeti Eduart Halimi, pasi dy gra u tërhoqën nga gara në mënyrë të dyshimtë. Në tetor 2020 PD nuk e zgjodhi si kandidat për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe ai sërish sulmoi Bashën se zgjedhjet e kandidatëve në PD cenuan klimën e besimit.
Në maj 2022 Veliaj lajmëroi publikisht largimin nga politika, sepse do t’i përkushtohej biznesit.
Dje ai doli në foltoren e aktivitetit për kullat dhe lavdëroi kyeministrin Rama se si e ka ndryshuar Tiranën dhe Shqipërinë dhe se sipas tij, kryeministri Rama është vizionar dhe transformues, që rri zgjuar për të bërë vepra të mëdha, siç janë kullat e reja të Tiranës së ideuar nga kryeministri që do të ndërtohen nga ish-deputeti i Berishës.