TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ca shqiptarë të mbyllur prej disa javësh në "Big Brother" e bëmë mbrëmë xheloz Arditin e Telebingos që ishte deri atë moment “majmuni” numër një që ha bananet “Banaking”, fton edhe fëmijë e pleq ta shijojnë gjithë jetën dhe pastaj merr paratë për xhepin e vet, torbën e spektaklit të së dielës dhe për një festival kënge ku shpërndan 41 çmime për 39 pjesëmarrës në garë.
Kënga “Bana, Banaking” jehoi mbrëmë në shtëpitë e shqiptarëve dhe ata që e sjellin kanë arsye të forta të gëzojnë, kërcejnë dhe këndojnë.
Dje kryeministri Edi Rama paralajmëroi heqjen e skanimit në dogana, ndërsa ishte në një aktivitet në Portin e Durrësit ku u takua me përfaqësues të bizneseve të transportit.
Gjatë bashkëbisedimit Rama urdhëroi doganierët që mos bëjnë 100% kontrolle, por të përdorin “skemën” e befasishme, edhe pse dihet botërisht se kjo do të rritë kontrabandën dhe trafikun e drogës e të armëve, pa llogaritur këtu lëndët e ndaluara toksike dhe të rrezikshme, pjesë e trafikut të “Ekomafias”.
Pas 12 vitesh në qeverisje, Rama komentoi edhe koncesionin e skanimit që u la shqiptarëve mbi kurriz Sali Berisha kur po ikte nga pushteti në vitin 2013, dhe u shfajësua se ky koncesion nuk është hequr sepse do të krijonte një kosto të lartë në Arbitrazh, (a thua se na kushton më pak Beketi) ndaj u shpreh se me anë të një marrëveshjeje do të lehtësohet procesi i skanimit.
“…Kemi bërë një negociatë me ju që atëherë, duke e ulur nga 45 euro në 22, por mbetet një koncesion i gabuar totalisht, sepse skanimi i kamionëve nuk është nevoja juaj, por nevojë e shtetit për çështje të sigurisë dhe luftës kundër kontrabandës… Do të fillojmë të operojmë jo në bazë të kontrollit 100%, por në bazë të kontrollit sipas riskut. Pra, nga 100 dalje nga porti, vetëm në 10 raste do bëhet skanimi… Përtej kostos marramendëse që ka ky koncesion për operatorët, ka të mirën që ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën”,- tha Rama dje përpara biznesmenëve që transportojnë mallrat nga posrti i Durrësit, në prani të drejtorit të Doganave, Gent Gazheli dhe kryepolicit Ilir Proda.
Ky ishte akti i fundit, por tashmë zyrtar i shqyerjes së portit të Durrësit prej qeverisë.
Prej vitesh, historikisht, aty çfarë nuk është futur dhe çfarë nuk është kapur. Deri 3 vite më parë, në Portin e Durrësit ishin kapur rreth 1.5 tonë kokainë, me vlerë tregu mëse 400 milionë euro, ndërsa droga e fortë ishte fshehur në kontejnerët që transportonin fruta ekzotike.
Rastet ishin të bujshme: Më 27 shkurt 2018, në kontejnerët me banane, në pronësi të Arbër Çekajt, u gjetën 613 kg kokainë; në shtator të vitit 2019, në portin e Durrësit, përmes 2 kontejnerëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u kap një sasi prej 137 kg kokainë; më 18 qershor 2022 u kapën në portin e Durrësit 325 kg kokainë që kalonte transit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Droga u gjet në serbatorin e një kamioni me targa të huaja. Më 10 prill, një tjetër sasi prej 134 kg u gjet në një kontejner të mbushur me banane për llogari të kompanisë “Masabi Fruits” me seli në kryeqytet ; në 1 prill 2022 u kap një sasi prej 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një kontejner me banane në pronësi të Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt ; në 17 maj 2022 një tjetër sasi prej 400 kg kokainë, e futur nga porti i Durrësit, u sekuestrua në Kosovë ; për 4 muaj në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit” u kapën 6 ngarkesa me kokainë, me peshë rreth 43 kg në total; në dy episode të ndryshme, në janar dhe në nëntor 2022, u sekuestrua në total rreth 150 kilogramë kokainë në kontejnerët me banane të porositura nga shoqëria “Zico sh.a.”, e njohur me emrin tregtar, “Bana King”; në korrik 2022 në kontejnerin e “Bana King”, rezultoi se mungonin 49 arka që dyshohet se ishin me kokainë dhe hetimet nisën kur erdhi kontejneri dhe kur u konstatua se ishte pa plumbçe dhe i hapur. Pas kapjes së dërgesës tjetër në nëntor 2022, policia tha se kishte shpallur në kërkim pronarin e "Banaking", Trifon Murataj, ndërsa arrestoi administratorin e kompanisë dhe dy punonjës të skanerit në portin e Durrësit.
Prej tre vitesh në portin e Durrësit është ndërprerë edhe zbatimi i Programit të Kontrollit të Kontejnerëve, që mbikqyrej nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), prej vitit 2013, për rreth 6800 kontejnerët që futen çdo muaj në port.
UNODC me qendër në Neë York në raportin e vitit 2023 theksoi se Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës, se Shqipëria ka lidhje direkte me Bolivinë për trafikun e kokainës, por edhe nga Kolumbia, por këtu na e kalojnë Italia, Belgjika dhe Spanja. Por prej gati tre vitesh ne kemi zero raportime për kapje droge në portin e Durrësit, edhe kur aty ishin skanuesit e koncesionarit. Tani e tutje, falë qeverisë, porti është me porta të shqyera dhe ta hajë kush ta hajë prej trafikantëve, ndërsa shqiptarët do t’i këndojnë këngën dhe hanë "Banaking".