TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edi Rama shkoi mbrëmë afër mesnatës në një zyrë elektorale të PS-së, në bashkinë e Kamzës, atje ku fiks 12 vite më parë u premtoi kamzalijve se legalizimet do të mbylleshin të gjitha në mandatin e parë dhe se ato do të ishin falas. Tani se si vajti kjo puna e legalizimeve e dimë të gjithë dhe kismet pas disa mandatesh edhe përfundojnë. Por kryetari i partisë dhe i qeverisë ishte për punë tjetër atje. Foli për Spiropalin dhe frymën spiropaliste që duhet të motivojë të gjitha strukturat e PS-së nga Tirana deri në fshatin më të humbur, për të patur suksesin personal dhe atë të organizatës.
Në një tryezë të gjerë me të rinjtë që aspirojnë të kenë fatin e Elisës, Rama zbuloi edhe rrugën që të ndjekin për të patur suksesin e saj, kur brenda tre mandateve të Ramës nga një drejtoreshë doganash është sot numri dy i shtetit shqiptar.
Ndërkohë Elisa e postonte takimin live, duke shkuar si në kohën e luftës: Dhe nata vazhdon celulë m’celulë… Uji fle, armiku fle, PS-ja s’fle.
Tha Rama atje, afër mesnatës: “Kamzën e përdorëm si shembull në Shkodër. Elisa këtë punë bën, vjen e sjell frymën e suksesit. Elisa merr suksesin, shkon në një vend tjetër, çon frymën dhe u thotë se siç e bëmë në Kamëz do ta bëjmë në Shkodër.
Tani po shkon në Kavajë. Mbani mend çfarë po ju them, kur të fitojë Kavajën. Shihni Kamzën, merrni frymë thellë, shihni Shkodrën, mbani frymën, dhe pastaj nxirreni të tërën kur të mbarojë numërimi. Merr frymë thellë dhe përgatitu. Frymë, pra, frymë, gjithshka është frymë, jep frymë, merr frymë, lësho frymë, hap frymë, shpërnda frymë.
Pas Kavajës, ku do të shkosh?, iu drejtua pastaj Rama Spiropalit. Se më thotë mua, pse më lëvizni? Po fryma duhet të lëvizë, s’mund të rrijë në një vend. Prandaj shko atje dhe bëj një sukses të ri”, u shpreh Rama.
Ka të drejtë. Elisa, përveçse e ka krahasuar më Skënderbeun dhe ai i ktheu reston duke e quajtur Mamica, kudo që ka vajtur, ka mbjellë dhe korrur sukses, edhe pse u anëtarësua në PS në vitin 2009, pasi kishte milituar te Mjaft dhe G99 dhe në vitin 2012 u zgjodh kryetare e FRESSH-it dhe më shumë mbahet mend për punën e saj në vitet 2013-2015 si drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.
Dikur ishte deputete e Qarkut të Korçës, por pastaj u zvendos në Qarkun e Tiranës dhe tani është e treta, pas Ramës dhe Manastirliut në listën e sigurtë të PS-së në qarkun e Tiranës. Por në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Rama e caktoi drejtues politike për Kamzën. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023e transferoi në Shkodër për të fituar për herë të parë për PS-në bashkinë e Shkodrës dhe ia arriti dhe tani e ka çuar në bashkitë Kavajës dhe të Rrogozhinës për të rrëmbyer edhe atje sa deputetë fitues të mundë. Dhe kjo është frymë, thotë Rama.
Elisa nuk është e vetmja “kiu-fiu” politike e PS-së. Ja Lindita Nikolla p.sh. që ishte deri në korrik 2024 kryetare e Kuvendit deri kur Rama i tha të ikte si e sëmurë rëndë dhe t’i lironte vendin Elisës, ka qenë drejtuese politike në Lezhë dhe më pas u afrua në Kamzë. Majko ishte në Kukës dhe Tropojë derisa kryetari vendosi që Pandi i duhej në Kavajë dhe e zhvendosi (Berisha se ç’tha se kishte bërë krime elektorale), aty edhe ku po banon, në shtëpinë buzë detit Adriatik, siç rrëfeu vetë para pak ditësh. Belindën e kishte në Dibër dhe tani e ka çuar në Fier...
Lista figurave politike të PS-së është gjatë, por Elisa bën dallimin. Sepse, siç thotë Rama, është frymë.