BLOG, 15 Prill 2025, 17:28

DITARI I 11 MAJIT (-26 ditë)/ Kush është Big Vullneti këtu?

DITARI I 11 MAJIT (-26 ditë)/ Kush është Big Vullneti këtu?

Kjo fushatë që ka nisur prej muajsh ka sjellë mjaft të mira për shqiptarët. Pensionistët kanë marrë dy bonuse, fermerët po marrin subvencionet dhe lajme të tjera të mira priten edhe gjatë 4 javëve të tjera të fushatës, kur do të hidhet leku përpjetë për votat.

Por “bingon” e këtyre zgjedhjeve e fitoi Big Vullneti, deputeti i vetëdeklaruar biznesmen, që shet çdo gjë të kësaj bote në dyqanet e tij.

Dje ai u shkri në një studio kur i vunë përballë foton e sozisë që ka zbuluar këto ditë, amerikanit strateg që do të bëjë Shqipërinë Madhështore, bashkë me 81-vjeçarin Sali Berisha.

“Nuk kam problem me kundërshtarin LaCivita, nuk më lidh gjë me atë, por kam parë nëpër media që kanë shkruar dhe kam para foton që kemi një ngjashmëri, jemi si sozi të njëri-tjetrit,”-tha dje Big Vullneti dhe i vajtën buzët vesh më vesh.

Më pas ca çapkënë të rrjeteve sociale i kishin bërë edhe një video me AI, ku amerikani dhe shqiptari janë bërë një dhe të dy votojnë për numrin 5, edhe pse paratë i ka dhënë Berisha.


Big Vullneti dhe Chris LaCivita në fakt ngjajnë shumë, jo vetëm nga pamja. I pari është 59 vjeç, i dyti është rrugës për aq. I pari ka mbaruar shkollën e Ushtrisë, i dyti ka qenë marins në Luftë e Parë të Gjirit. I pari është nga Vlora, denbabaden, i dyti është italo-irlandez. I pari e bëri milionin e parë duke shitur mallrat e konsumit, i dyti duke shitur këshilla politike.

Rama e ka quajtur këtë të dytin një turist më shumë, kurse në mitingun hapës e pagëzoi me emrin Latif që ka lindur me këmishë sepse do t’i marrë shumë dollarë Berishës.

I dyti ka lindur me të vërtetë me këmishë. Nuk ka lënë skutë të Shqipërisë pa hapur marketet e tij, edhe pse është deputet dhe nuk i pajtohet biznesi me detyrën, por thotë se i ka shitur kuotat e veta. PD-ja kërkoi t’ia hiqnin mandatin e deputetit, por janarin e shkuar, deputetët e mazhorancës rrëzuan me 61 vota kundër dhe 12 abstenim projektvendimin “Për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtushmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj“. Me ta u bashkua edhe deputeti i PD-së Bujar Leskaj, edhe ai nga Vlora, që duke komentuar, provat e sjella në mocion që ishin disa fatura blerjesh nga institucione publike pranë rrjetit të supermarketeve “Big Market” në pronësi të Sinajt, në shifrën 3.6 milionë lekë, deklaroi: “Në mendimin tim është një çështje me shkallë të ulët materialiteti, pra çështje që nuk mund të cënojë mandatin e një deputeti cilësdo forcë politike që të përfaqësojë”.

Kështu Big Vullneti ia hodhi mandatit të kaluar dhe tani është lëshuar fuqishëm në fushatë duke kërkuar votën 5 edhe në në emër të sozisë së vet, LaCivita.