AKTUALITET, 20 Tetor 2020, 18:07

Basha takon Dendias: E kam thënë prej dhjetë vitesh, çështja e detit duhet të zgjidhet përmes Hagës

Basha takon Dendias: E kam thënë prej dhjetë vitesh,

Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë pro vendimit të qeverisë greke dhe asaj shqiptare për zgjidhjen e çështjes së detit përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Basha thotë se qëndrimin t ij e ka shprehur prej dhjetë vitesh, ndërsa shton se i ka kërkuar ministrit Dendias domosdoshmërinë për abrogimin e ligjit të luftës.

“Sot pata kënaqësinë të takohem me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Dendias. Gjatë bisedës, nënvizuam domosdoshmërinë që në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok, të zgjidhim çështjet e mbetura pezull dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, përfshirë edhe lehtësitë për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.

Riktheksova qëndrimin e shprehur prej 10 vitesh, se zgjidhja për çështjen e detit duhet të vijë përmes Gjykatës Ndërkombëtare dhe i përsërita ministrit Dendias domosdoshmërinë për abrogimin e ligjit të luftës. Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare e falenderova atë për mbështetjen e çmuar që Greqia po i jep vendit tonë në procesin historik të integrimit europian”, shkruan Basha.