TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Procesit i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit ka hyrë në ditën e tetë. Aktivitetet po zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po numërohen votat e diasporës të dërguara përmes postës.
Deri në mesditë janë numëruar rreth 40% e kutive të votimit e sipas këtij rezultati, prin Lëvizja Vetëvendosje me 70% të votave, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 14 për qind të votave me postë. E treta del Partia Demokratike e Kosovës që ka marrë afër 7% të votave e Aleanca 5%.
Votat e diasporës kanë ndryshuar edhe shpërndarjen e mandateve mes partive politike, ku Vetëvendosje prin me 51, Partia Demokratike tash ka 23, Lidhja Demokratike do ketë 19 ulëse e Aleanca shtatë. Në total me postë nga diaspora votuan 82,809 shtetas. Pas numërimit të këtyre votave, do të numërohen edhe 8751 vota me kusht dhe mbi 3 mijë nga personat me nevoja të veçanta.
Në ndërkohë, pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve, për të siguruar që nuk ka pasur manipulim të votave siç ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Qendrat Komunale të Numërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare në fund të muajit qershor, e t’i certifikojë ato më së largu më 6 korrik.