BALLKAN, 7 Mars 2026, 10:14

Zgjedhjet e reja në Kosovë/ Grenell i gëzohet shpërndarjes së Kuvendit: Zoti po na përgatit për rikthimin e Hashim Thaçit

Zgjedhjet e reja në Kosovë/ Grenell i gëzohet shpërndarjes

I dërguari i presidentit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, ka sugjeruar rikthimin në politikë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ai mund të marrë edhe postin e kryeministrit në të ardhmen, në një kohë kur vendi po përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, akuza ndaj të cilave është deklaruar i pafajshëm. Në një postim në rrjetin social X, Grenell shkroi: “Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçit! Thaçi për kryeministër”.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Thaçit në Dhomat e Specializuara në Hagë po shkon drejt përfundimit. Më 18 shkurt, Thaçi dhe bashkë-të akuzuarit e tjerë ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat përmbyllëse në gjykatë.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërtit i kanë mohuar. Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Tani, gjykatësit kanë deri në tre muaj kohë për të marrë një vendim ose për të kërkuar zgjatje të afatit.Komentet  e Grenellit vijnë gjithashtu në një moment tensioni politik në Kosovë, pasi vendi po përballet me krizë institucionale lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi ky institucion dështoi ta zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje u ankua ndaj vendimit në Gjykatën Kushtetuese.

Osmani i mblodhi partitë politike për të diskutuar për zgjedhje të reja, por në takim nuk mori pjesë partia e kryeministrit Albin Kurti. Kurti e quajti dekretin “jokushtetues”, duke thënë se Kushtetuta parasheh afat prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit dhe se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Seanca e 5 marsit në Kuvend dështoi në mungesë kuorumi, pasi deputetët e partive opozitare nuk morën pjesë në votim. Grenell ka qenë i përfshirë më herët në zhvillimet politike që lidhen me Kosovën. Në nëntor të vitit 2019, ai u emërua nga presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, si i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2020, gjatë këtij mandati, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike – të njohur si Marrëveshja e Uashingtonit e cila nuk është zbatuar kurrë në tërësi.