TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shqiptarët duket në fund, do të jenë pjesë e qeverisë së maqedonase, vetëm se këtë radhë me koalicionin opozitar Vlen. Kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve të përgjithshme VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, por bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës do t’i nisë përpara këtyre afateve.
Ekzekutivi i ri do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
“Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë së deritashme dhe e shpëtoi vendin e tij”, deklaroi Mickoski.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski pohoi megjithatë se nuk pret që një marrëveshje me VLEN të arrihet menjëherë, edhe pse ujdia, siç tha ai, është e sigurt “nëse ka mirëbesim, pritje realiste dhe fokus në politika në interes të qytetarëve”. Sipas Mucunskit, me VLEN ende nuk është diskutuar për çështje dhe kërkesa konkrete lidhur me pjesëmarrjen e tyre të mundshme në përbërjen e ardhshme të Qeverisë.
Drejtuesit e koalicionit mbrëmjen e 8 majit, kur dolën rezultatet e para jozyrtare, i dhanë sinjalet se do të jenë pjesë e Qeverisë së re, së bashku me VMRO DPMNE-në, ndërsa Kasami që drejton lëvizja BESA, paralajmëroi formimin e grupeve të punës për hartimin e programit të ri qeveritar.