BALLKAN, 25 Shkurt 2024, 12:47

Ushtarët e KFOR-it largohen nga objekti i komunës në Zveçan: Situata është stabilizuar

Ushtarët e KFOR-it largohen nga objekti i komunës në

Njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it janë larguar nga objekti i komunës së Zveçanit ku ishin vendosur vitin e kaluar pas protestave të dhunshme të serbëve pas zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të vendit të banuara më shumicë serbe.

“Situata në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitet nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit KFOR më nuk do të jenë prezentë në ndërtesën e Komunës.

Por, do të mbesin në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim për media të KFOR-it.

Sipas njoftimit, KFOR-i do të vazhdojë ta implementojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.