TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vazhdojnë hetimet në qytetin e Trikalasë për të zbardhur shkaqet që çuan në shpërthimin tragjik në fabrikën e Violandës, ku si pasojë humbën jetën pesë punëtore. Gjetjet e para nga hetimet e kryera në ambientet e fabrikës tregojnë se shpërthimi ka ndodhur në zonën ku ndodheshin furrat, pas një rrjedhjeje gazi. Autoritetet kanë vënë nën shqyrtim studimet e sigurisë nga zjarri të fabrikës, e cila edhe një ditë pas tragjedisë vazhdon të “nxjerrë tym”.
Sipas raportimeve nga protothema.gr, objektet e fabrikës së Violandës dispononin studim për mbrojtjen nga zjarri, i cili ishte dorëzuar në mënyrë elektronike nga një inxhinier i autorizuar në shtator të vitit 2025.
Ndërkohë, që nga mesdita e së martës (27 janar) ka nisur procesi i marrjes së dëshmive në Shërbimin Zjarrfikës. Dëshminë e tij e ka dhënë tashmë përgjegjësi i sigurisë së kompanisë, ndërsa ende nuk janë marrë të gjitha deklaratat nga shtatë personat që i mbijetuan zjarrit.
Po ashtu, do të merren dëshmi edhe nga 18 punonjës të tjerë që ishin në turn, por nuk kishin shkuar në punë për shkak të aktivitetit të kompanisë për prerjen e pites së Vitit të Ri. Dëshmi do të japë edhe pronari i fabrikës.
Sapo të mbyllet dosja e hetimit, ajo do t’i përcillet prokurorit kompetent. Ndërkohë, një prokuror është duke u informuar vazhdimisht për çdo element të ri dhe për ecurinë e hetimeve.
Në dosje do të përfshihen, ndër të tjera, raporti i Drejtorisë së Hetimit të Aksidenteve nga Zjarri (DAEE), raporti i Inspektoratit të Punës, i Shërbimit Zjarrfikës, si dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Gjithashtu priten edhe ekzaminimet histologjike, sipas procedurave të parashikuara. Deri në mbrëmje pritet të dërgohet në shërbimin përkatës edhe mostra nga trupi i gruas së pestë, e cila u gjet sot mes rrënojave të fabrikës, ndërsa mostrat e katër viktimave të tjera janë dërguar tashmë për procesin e identifikimit.
Kronologjia e tragjedisë – Fabrika “vazhdon të nxjerrë tym”
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur zjarri shpërtheu pak para orës 04:00 në një nga repartet e fabrikës. Sipas Shërbimit Zjarrfikës, zjarri u parapri nga një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi shembjen e pjesës më të madhe të objektit industrial.
Nga 13 punëtore që ndodheshin në fabrikë në atë moment, tetë arritën të largohen në mënyrë të sigurt, ndërsa pesë të tjera nuk ia dolën dhe humbën jetën në mënyrë tragjike. Përmasat e mëdha të shkatërrimit dhe intensiteti i zjarrit që përfshiu fabrikën e Violandës pas shpërthimit pasqyrohen edhe në pamjet e sotme të realizuara me dron, ku shihen ambientet e fabrikës së biskotave ende duke “nxjerrë tym”.