BALLKAN, 2 Gusht 2024, 12:40

Takimi i Kurtit me ambasadorët, reagon qeveria e Kosovës: Ura e Ibrit duhet të hapet, është simbol i lëvizjes së lirë

Takimi i Kurtit me ambasadorët, reagon qeveria e Kosovës: Ura e Ibrit

Qeveria e Kosovës ka njoftuar me anë të një komunikate për takimin e Kurtit me ambasadorët e QUINT-it. Qeveria ka bërë të ditur se në mesin e shumë temave, ajo më kryesorja ka qenë për hapjen e Urës së Ibrit.

Në reagimin e Qeverisë së Kosovës theksohet se Kurti i ka njoftuar ambasasdorët me planin për hapjen e urës.

“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Qeveria ka insistuar më tutje se Ura mbi lumin Ibër, duhet të hapet.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se "riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim". Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet më tutje.

Në komunikatën, bëhen të ditura edhe temat e tjera të diskutimit.

“Diskutuan rreth zhvillimeve në vend dhe temave aktuale. Kryeministri i njoftoi me rezultatet e masave dhe politikave të punësimit dhe mirëqenies në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, konkretisht me masën "Qeveria për Familjet", në kuadër të së cilës deri më tani është ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimi i 231 personave në këto komuna. Ndërkohë që interesimi i qytetarëve nga radhët e komunitetit joshumicë serb për t'u pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e sidomos në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, si dëshmi e vullnetit dhe interesimit të tyre për integrim të qëndrueshëm”, thuhet aty.

Pas takimit, ambasadori amerikan Hovenier, theksoi se Kurtit ia kanë bërë të qartë qëndrimin e QUINT-it dhe NATO-s, se nuk duhet të ndryshojë statusi i Urës së Ibrit.

Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara .... u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht", është shprehur Hovenier pas takimit me Kurtin.

Edhe pse u pyet për arsyet pse e refuzojnë hapjen, Hovenier nuk pranoi të komentojë.