BALLKAN, 23 Janar 2026, 22:52

Serbi/ SHBA zgjat licencën për NIS deri më 20 shkurt, Bërnabiç: Rafineria do të vijojë punën

Serbi/ SHBA zgjat licencën për NIS deri më 20 shkurt,

Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së, ka vendosur të zgjasë licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) deri më 20 shkurt. Lajmi u konfirmua më 23 janar nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç.

“Kjo do të thotë se NIS dhe rafineria do të vazhdojnë të punojnë. Kjo na jep kohë shtesë për qytetarët, vendin dhe ekonominë,” deklaroi Bërnabiç gjatë një konference për media në Kuvendin serb.

Sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS), OFAC ka theksuar në një letër se kusht për zgjatjen e licencës është që transaksionet të mos përfshijnë subjekte amerikane apo sistemin financiar të SHBA-së, si dhe të mos jenë në dobi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të subjekteve të tjera të sanksionuara, përveç vetë NIS-it.

Po ashtu, transaksionet nuk duhet të lidhen me aktivitete që bien nën sanksionet e vendosura për shkak të politikave të dëmshme të jashtme të Rusisë.

NIS ndodhet aktualisht nën sanksione amerikane për shkak se shumica e aksioneve të saj janë në pronësi të kompanive ruse. Administrata amerikane ka bërë të qartë se heqja e sanksioneve kërkon daljen e Rusisë nga struktura e pronësisë.

Më 19 janar, grupi hungarez MOL konfirmoi se ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me kompaninë ruse Gazprom Neft për blerjen e 56.15% të aksioneve të NIS-it. Ndërkohë, ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, deklaroi se NIS i ka paraqitur administratës amerikane kërkesë për zgjatjen e licencës, teksa negociatat janë ende në proces.

Për finalizimin e këtij transaksioni kërkohet miratimi i OFAC-ut. Licenca e mëparshme e dhënë për vazhdimin e punës skadon në mesnatë.