TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot plotësim-ndryshimet e Udhëzimit administrativ 13/2022, me të cilën mundësohet që pronat e konfiskuara dhe të sekuestruara tu jepen në shfrytëzim institucioneve publike ose organeve shtetërore pa ankand publik.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se disa pasuri që tashmë janë sekuestruar gjenden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri.
“Ky projekt udhëzim rregullon të drejtën e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar që të jap me qira në fazën e sekuestrimit pasuritë e paluajtshme pa ankand publik nëse kërkohen nga institucionet publike ose organet shtetërore”, tha ai.
Sipas tij, shfrytëzimi i tyre nga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe kontribuon në rritjen e sigurisë.
Lidhur me këtë detaje dha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme pasi eliminojnë procedurat e zgjatura.
Ajo tha se me këtë disa prona që gjenden në veri tashmë kalojnë në menaxhim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht Policisë së Kosovës.
“Bëhet fjalë për pronat e ish krye terroristit Milan Radoiçiq… pronat që kanë qenë të tij, tashmë janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Agjencisë për menaxhimin pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar”, tha ajo, duke shtuar se këto prona kalojnë në menaxhim të Policisë së Kosovës.
Haxhiu tutje tha se me miratimin e plotësim-ndryshimeve në Udhëzimin administrativ mundësohet që të vazhdojnë me procedurat tjera të nevojshme.
Rreth 4 muaj më parë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument me listë të gjatë të pasurisë që i është konfiskuar kreut të grupit terrorist serb Milan Radoiçiq, në veri të Kosovës.
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara ka konfiskuar sot dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.
“Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vet është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ministrja Haxhiu një ditë më parë ka njoftuar se kanë nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
“Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardh koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen”, ka shkruar ajo.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) kishte lëshuar një fletarrestim për Radoiçiqin me kërkesë të Kosovës, i cili iu dërgua përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Supozohet se Radoiçiq ndodhet në Serbi.
Radoiçiq u paraqit para Gjykata e Lartë në Beograd tetorin e vitit të kaluar, por gjykata poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit. Atij i është shqiptuar masa e ndalimit të daljes nga territori i Republikës së Serbisë, si dhe e ndalimit për të shkuar në Kosovë.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje disa herë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë.