BALLKAN, 10 Shkurt 2024, 13:52

Plan për vrasjen e Albin Kurtit? Dyshohet se ekstremistë të lidhur me Serbinë dhe Rusinë do të organizonin atentat në Shkup

Plan për vrasjen e Albin Kurtit? Dyshohet se ekstremistë të

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dyshohet se është kërcënuar me jetë.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia është përpjekur të vrasë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze.

 “Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar se tashmë Kryeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Nga ana tjetër kryeministri Kurti ka folur për mediet në Kosovë.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Shkup, nuk është ndier i rrezikuar, por e ka parë se ka pasur shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd, por unë sapo erdha nga Shkupi këtu. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, tha Kurti.