BALLKAN, 30 Maj 2024, 16:07

Përdorte dokumentet e një të vdekuri, arrestohet spiuni serb në Veri të Kosovës, dyshohet se punonte për BIA-n

Përdorte dokumentet e një të vdekuri, arrestohet spiuni serb

Një person është arrestuar këtë të enjte në Leposaviq nën dyshimet për vjedhje të identitetit. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet M.K., në momentin e ndaljes kishte në posedim dy karta identiteti, një të Kosovës dhe një të Serbisë, me emra të ndryshëm.

Pas arrestimit i njëjti është dërguar në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës e me urdhër të prokurorit pastaj është ndaluar për 48 orë. Policia e Kosovës ka bërë po ashtu të ditur se është bastisur edhe banesa e të dyshuarit më Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur dokumente të ndryshme e laptop që mund të kontribuojnë në hetimin tutje.

Burime nga autoritetet e sigurisë në Kosovë bëjnë të ditur se i njëjti dyshohet edhe për spiunazh. Kjo për shkak të lidhjeve që ka pasur edhe me ish-shefin e inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin, sidomos gjatë kohës kur ky shërbente si udhëheqës i së ashtuquajturës zyra e Serbisë për Kosovë. M.K., për një kohë ka shërbyer edhe si gazetar i rrjetit “Mosti”, organizatë kjo mediatike në Kosovë në gjuhën serbe.