TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qytetarët e Prishtinës nga e hëna e 24 nëntorit nuk do të ketë më transport publik e as privat për shkak të bllokimit të buxhetit nga Ministria e Financave. Këtë e ka konfirmuar këtë të diele kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama gjatë një konference për media.
Rama theksoi se buxheti është bllokuar për arsye politike teksa tha se shërbimet jetike të kryeqytetit janë në prag të ndërprerjes.
“Prej mbi një vit në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht në përputhje me procedurat ligjore, kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar, buxheti është blloku për çështje kryesisht politike.
35 milionë euro prej të cilave 25 janë të ardhura të Komunës, 10 milionë të grandit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën’”, tha Rama.
Ai shtoi se kanë marrë edhe paralajmërime të tjera nga ndërmarrje të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa. Sipas Ramës, qytetarët janë në rrezik për interesa zgjedhore.
“Sapo kam përfunduar një takim me përfaqësues të transportit urban dhe shoqata së transportuesve të sektorit privat, të cilët më njoftuan, për fat të keq, nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrje të tjera të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa, duke cenua shërbimet esenciale të qytetarëve.
Me keqardhje, e them se nuk kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore, buxheti i kryeqytetit u përdor si mjet në zgjedhjet lokale, e dini që kanë përfunduar, qytetarët votuan për zhvillim e jo për bllokim”, shtoi ai.
Rama shtoi se shërbimet të transportit urban janë të papaguara prej muajsh të tërë dhe situata ka arritur deri në pikën e bllokimit të shërbimit për qytetarët. Ai bëri thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe Ministrisë së Financave në detyrë, që të veprojnë në mënyrë profesionale, në pajtim me ligjin.
Qeveria: Buxheti nuk është bllokuar, e kemi kaluar para kohe! Ju nuk keni kryer pagesat
Ministri në detyrë i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka reaguar pas konferencës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se shumë shërbime rrezikojnë të ndalen të hënën për shkak të bllokimit të buxhetit, për të cilin Rama tha se po bëhet për shkak të inateve politike.
Murati ka shkruar përmes një postimi në Facebook se të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
Mirëpo, sipas ministrit, Thesari është njoftuar se stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin e punës dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
“Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, ka shkruar ai.
Sipas Muratit, kjo zbulon, sipas tij, edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.
“Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, ka shkruar ai.