BALLKAN, 22 Korrik 2024, 15:13

Masakër në një azil në Kroaci, një person i armatosur vret pesë të moshuar

Masakër në një azil në Kroaci, një person i armatosur

Pesë persona u vranë pasi një person i armatosur hyri në një shtëpi për të moshuarit në Kroaci të hënën dhe hapi zjarr, sipas televizionit publik. Një burrë me armë zjarri hyri në një shtëpi private për të moshuarit në qytetin Daruvar, rreth 75 milje në lindje të kryeqytetit Zagreb, dhe qëlloi ndaj njerëzve që ishin të pranishëm, njoftoi Radiotelevizioni Kroat (HRT).

Pesë nga viktimat humbën jetën menjëherë dhe numri i të plagosurve nuk dihet ende, sipas HRT. Agjencia shtetërore e lajmeve HINA ka raportuar se disa nga të plagosurit janë ende duke marrë ndihmë mjekësore. Personi i armatosur u largua me vrap, por më vonë u arrestua pranë një kafeneje, sipas HINA.

Hetimi është në vazhdim dhe policia nuk ka dhënë detaje shtesë, tha HRT. “Jemi të tmerruar nga vrasja e pesë personave” në shtëpinë e të moshuarve, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç në një postim në rrjetet sociale. “Shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe shpresojmë për shërimin e të plagosurve. Pres që autoritetet kompetente të përcaktojnë të gjitha rrethanat e krimit të tmerrshëm”, tha Plenkoviç.

Zëvendëskryeministri i Kroacisë Davor Bozhinoviç, ministri i Shëndetësisë Vili Berosh dhe ministri i politikës sociale Marin Piletiç po udhëtojnë në Daruvar, shtoi kryeministri.